Argjentina vendosi të zgjedhë sërish Javier Milein, duke i dhënë atij një fitore të papritur në zgjedhjet legjislative që dje rinovuan gjysmën e Dhomës së Deputetëve (127 vende nga 257) dhe një të tretën e Senatit.
Partia e presidentit, “La Libertad Avanza”, ka kaluar 40 për qind të votave në nivel kombëtar, duke fituar garën kundër peronistëve të “Fuerza Patria” pothuajse në të gjitha provincat nga Cordoba në Santa Fe, deri në skajin jugor të Tokës së Zjarrit dhe madje ka përmbysur rezultatin edhe në provincën e Buenos Airesit, bastion i së majtës, ku në fillim të shtatorit kishte humbur zgjedhjet lokale me 14 pikë diferencë.
“Urime presidentit Javier Milei për fitoren e tij dërrmuese në Argjentinë. Ai po bën një punë të jashtëzakonshme! Besimi ynë tek ai është justifikuar nga populli argjentinas”, shkroi Trump në rrjetin e tij social Truth.
Asnjëherë më parë zgjedhje të mes-mandatit nuk ishin ndjekur me kaq vëmendje nga Uashingtoni dhe nga e gjithë bota.
Që nga sot, Milei do të mund të mbështetet në një prani parlamentare shumë më të qëndrueshme.
Sipas projeksioneve të para, “La Libertad Avanza”, me 64 deputetët e rinj të zgjedhur, kalon një të tretën e vendeve në Kongres dhe do të mund të shmangë faktin, që opozita të bllokojë vetot presidenciale për ligjet që kërcënojnë ekuilibrin buxhetor.
“Mos u dorëzoni, sepse jemi në gjysmë të rrugës dhe jemi në rrugën e duhur”, tha Milei gjatë eventit përmbyllës të fushatës së tij në qytetin Rosario.
Nga ana tjetër, Axel Kicillof, guvernator i Buenos Aires-it, e ka quajtur “mizor” programin e Mileit.
Qeveria shkoi në zgjedhje në një moment të paqëndrueshmërisë së fortë ekonomiko-financiare, të përkeqësuar nga tensioni valutor dhe nga rënia e konsumit të brendshëm.
Vendimtare ka qenë mbështetja e SHBA-ve, që ka hapur një linjë kredie prej 20 miliardë dollarësh, të destinuar për tregun e borxhit sovran argjentinas.







