Ballina Aktualitet DHL kërkoi 9.2 milionë euro, KQZ i paguan 6.7 milionë për votën...

DHL kërkoi 9.2 milionë euro, KQZ i paguan 6.7 milionë për votën e diasporës

76
0

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar pagesën prej 6.7 milionë euro ndaj kompanisë postare DHL për shërbimin e votimit të diasporës në zgjedhjet e 11 majit. Fillimisht, kompania kishte kërkuar 9.2 milionë euro, duke përfshirë edhe kamatëvonesat, por pas verifikimeve të kontratës KQZ vendosi të shlyejë vetëm shumën përfundimtare.

Pagesa u krye pas një periudhe verifikimesh, siç kishte paralajmëruar më herët kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, i cili theksoi se asnjë detyrim financiar nuk do të shlyhej pa u provuar më parë se shërbimi ishte kryer sipas kushteve kontraktuale.

Kujtojmë se në një shkresë zyrtare drejtuar DHL-së, Celibashi i kërkoi kompanisë të tërhiqte presionin për aplikimin e kamatëvonesave, duke sqaruar se KQZ nuk është e detyruar të paguajë penalitete shtesë pa u vërtetuar zyrtarisht përmbushja e shërbimit. Ai theksoi se, sipas kontratës, çdo shërbim duhet të provohet “në sasi, në cilësi dhe në kohë”, përpara se të kryhet pagesa.

Në të njëjtën komunikim, kreu i KQZ-së i kërkoi DHL-së të caktojë një përfaqësues të posaçëm për ndjekjen e procesit të përmbushjes së detyrimeve kontraktore dhe për finalizimin e procedurave ligjore të pagesës.

Vota e diasporës në zgjedhjet e 11 majit është konsideruar më e shtrenjta në historinë e zgjedhjeve shqiptare, ndërsa është shoqëruar me një sërë problematikash — përfshirë rastet në Greqi, ku shumë emigrantë nuk morën në kohë zarfin me fletën e votimit.