Familja e Britney Spears është gjithnjë e më e shqetësuar për këngëtaren, e cila ka treguar shenja të një sjelljeje gjithnjë e më të paqëndrueshme, sipas raportimeve të mediave të huaja.
Të dashurit e saj tani po shqyrtojnë se si ta ndihmojnë dhe të ndërhyjnë përpara se situata të dalë plotësisht jashtë kontrollit.
Konkretisht, Britney është filmuar disa herë kohët e fundit në situata shqetësuese – nga drejtimi i makinës në drejtim të kundërt pas një daljeje nate, deri te sjellja e papërshtatshme në një restorant, ku mezi qëndronte në këmbë dhe hidhte gota në dysheme.
Këto skena, pohojnë burime pranë familjes, të kujtojnë periudhën e trazuar të vitit 2007 kur këngëtarja pësoi një krizë nervore publike, ka rruar kokën, humbi kujdestarinë e fëmijëve të saj dhe përfundoi në spital.
Kujdestaria zgjati nga viti 2008 deri në vitin 2021 dhe gjatë asaj periudhe pothuajse çdo aspekt i jetës së saj ishte nën kontrollin e të tjerëve.
“Ka shumë shqetësime. Të gjithë duan më të mirën për të, por ajo po merr vendime të këqija tani. Është e frikshme. Pyetja është se si ta ndihmojmë pa përsëritur traumën e së kaluarës”, tha një burim pranë familjes.
Të tjerë shtojnë se, ndërsa duan të ndihmojnë, janë të vetëdijshëm për pasojat që mund të shkaktojë një ndërhyrje e re.
Britney ka qenë gjithnjë e më shumë në qendër të vëmendjes javët e fundit, pasi ish-bashkëshorti i saj Kevin Federline botoi një libër, në të cilën bëri një sërë akuzash rreth sjelljes së saj.
Federline, me të cilin Britney ka dy djem, Sean Preston dhe Jayden James, pohon se fëmijët e tyre pothuajse nuk kanë asnjë kontakt me nënën e tyre sot.Familja Spears, sipas mediave, aktualisht nuk po planifikon ndonjë veprim specifik, por është e vetëdijshme se artistja po përballet me sfida serioze.







