Ish-ministri i Infrastrukturës në Qeverinë “Kurti 2”, Liburn Aliu, është zyrtarizuar sot si drejtori i ri i Portit të Durrësit. Ceremonia e prezantimit u zhvillua në prani të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila sapo ishte kthyer nga një vizitë zyrtare në Rumani.
Gjatë fjalës së tij, Aliu falënderoi autoritetet shqiptare për besimin e dhënë dhe u shpreh me humor për lidhjet e tij me të dy vendet.
“Jam i nderuar dhe falënderoj Republikën e Shqipërisë, kryeministrin dhe ministren që ma besuan këtë detyrë. Ju këtu më shihni si të Kosovës, atje më shohin si të Shqipërisë — nuk është e lehtë… por këtë detyrë do ta bëjmë bashkë. Uroj që në tre vite portin e mallrave ta shohim të realizuar dhe të lidhur me rrjetet rrugore e hekurudhore të rajonit”, u shpreh ai.
Aliu ka ndjekur gjimnazin për disa vite në Shqipëri. Aipritet të udhëheqë një nga projektet më të rëndësishme të infrastrukturës dhe transportit në vend, atë të transformimit të Portit të Durrësit në një nyje strategjike tregtare për rajonin.







