Ballina Politika Tempulli i demokracisë s’di të bëjë tendera, hetim 5 punonjësve të Spiropalit:...

Tempulli i demokracisë s’di të bëjë tendera, hetim 5 punonjësve të Spiropalit: Shkelën ligjin!

96
0

Institucionet dhe zyrtarët shtetërorë janë vënë në “garë” se kush i bën më keq tenderat ose kush vjedh dhe shpërdorin më shumë. Dyshime për paracaktime, mashtrime, falsifikime dokumentesh, duke shpërdoruar dhjetëra miliona euro. Por, pavarësisht se disa zyrtarë janë vënë nën akuzë, madje edhe zv.kryeministra, ministra, kryetar bashkie, apo drejtor të mëdhenj, sërish ka abuzime dhe shkelje të ligjit.

Por kur edhe tempulli i demokracisë, Kuvendi, mos të dijë të bërë tendera, si i bëhet? Normalisht, që sistemi është “qelbur nga koka”, pasi mjafton të dëgjosh gjuhën apo cilësinë e përfaqësimit, injorancën e disave, të jemi këtu ku jemi, pa asnjë perspektive dhe me abuzime të frikshme.

Dhe ç’të presësh nga një legjislaturë, ajo që kaloi apo kjo që është zgjedhur së fundmi, që të bëjë ligje të mira, kur vetë Kuvendi kapet me shkelje në bërjen e tenderave. Natyrisht, deputetët nuk përgatisin dokumente për tënderat, nuk zgjedhin firmën fituese apo nuk lidhin kontratë, por ata janë pikërisht hartuesit e ligjeve që rregullojnë bërjen e procedurave.

Normalisht, të parët që duhet t’a zbatojnë ligjin, janë punonjësit e Kuvendit të Shqipërisë, me qëllim që të tjerët të mos vjedhin.

Tempulli i demokracisë s’di të bëjë tendera, hetim 5

Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, disa ditë më parë Agjencia e Prokurimit Publik ka nxjerrë një njoftim për një verifikim të kryer pranë Kuvendit të Shqipërisë. Është bërë një hetim administrativ, i iniciuar nga palë të treta (firma që kanë marrë pjesë në tendera), ku janë gjetur shkelje në dy procedura tenderi të hapura. Një tender për “kontratë publike furnizimi” dhe një tender për “kontratë publike për shërbime”.

“Autoriteti kontraktor (Kuvendi) nuk ka vepruar në përputhje me nenin 78 të vendimit të Këshillit të Ministrave ‘për miratimin e rregullave të prokurimit publik’, i ndryshuar, lidhur me argumentimin e specifikimeve teknike, në procedurat e prokurimit objekt hetimi administrativ”, thotë Agjencia e Prokurimit Publik.

Një shkelje e rëndë, pavarësisht se APP-ja e ka thjeshtuar, duke cituar ligje dhe VKM-ra. Ajo shkruan në dokument se punonjësit e Kuvendit nuk kanë bërë në rregull dokumentet e tenderit, ose më saktë, ia kanë përshtatur një firme, që më vonë doli edhe fituese. Këtu kemi të bëjmë me një paracaktim fituesi, një vepër e rëndë penale, që normalisht që meriton edhe një hetim penal, krahas atij administrativ.

Shkelja e dytë është se Kuvendi, thotë APP-ja, nuk ka vepruar në bazë të ligjit, edhe për hartimin dhe argumentimin e kritereve të veçanta të kualifikimit, në të paktën 2 tendera. Pra, kanë përjashtuar firma vetëm nëpërmjet dokumenteve, sërish një vepër penale.

Në fund, APP-ja shkruan se vendosi t’i propozojë titullarit të Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, marrjen e masës disiplinore ndaj 5 personave, të evidentuar përgjegjës për mangësi të konstatuara në vendim.

Burime nga APP-ja i thanë VoxNews se shkeljet e gjetura janë në kohën që Kuvendi drejtohej nga zonja Elisa Spiropali, tashmë Ministre e Jashtme. Punonjësit janë ende në detyrë, teksa tashmë Peleshi duhet të marrë një vendim, nëse do të marrë ndonjë masë apo do t’i kallëzojë në SPAK apo në Prokurorinë e Tiranës.

Tashmë “topi” është në anën e Peleshit, i cili duket se ka një “luftë” të hapur me Spiropalin, pas publikimit edhe të listës së gjatë të këshilltarëve me paga marramendëse./ Voxnews