Ballina Kulturë 100 vjetori i Republikës së Shqipërisë/ Promovohet në COD libri “11 Presidentët”,...

100 vjetori i Republikës së Shqipërisë/ Promovohet në COD libri “11 Presidentët”, botim i UET Press

53
0

Në kuadër të 100 vjetorit të Republikës së Shqipërisë, u promovua në COD- Qendra për Hapje dhe Dialog libri i fundit i gazetarit dhe studiuesit Roland Qafoku, “11 Presidentët” (1925-2025), botuar nga shtëpia botuese UET Press.

Ky event i rëndësishëm për zbardhjen dhe evidentimin e së kaluarës dhe historisë së institucionit të Presidencës, mblodhi studiues, historianë, pedagogë dhe studentë, në një dialog dhe ndarje mendimesh, ngjarjesh e faktesh të sjella përmbledhtazi në libër nën syrin detajist dhe penën e zhdërvjellët të gazetarit Qafoku. Nga presidenti themelues, te ai që u gjet i vdekur, presidenti më jetëgjatë në botë, presidenti më konsensual apo presidenti i betejave personale; historia 100 vjeçare e Republikës së Shqipërisë shënohet nga 11 personalitete që kanë lënë gjurmën e tyre si mbajtës të postit më të lartë të shtetit.

Institucioni i Presidentit u themelua më 31 janar të 1925-ës me zgjedhjen nga Asambleja të Ahmet Zogut si presidenti i parë, e njëkohësisht Shqipëria u shpall Republikë. Rrugëtimi nuk ishte aq jetëgjatë për shkak të ambicies së Zogut, i cili më 1 shtator 1928 e shpalli Shqipërinë Mbretëri dhe veten mbret, duke e shuar kështu Republikën e krijuar dy vite më parë.

Ardhja sistemit komunist riemërtoi Shqipërinë Republikë dhe vendi funksionoi me Presidium të Kuvendit Popullor, i cili kishte atributet e kreut të shtetit në një formë kolegjiale. Gjatë katër dekadave njihen tre kryetarë të këtij institucioni: Omer Nishani, Haxhi Lleshi dhe Ramiz Alia, të cilin autori e quan diktatorin e fundit dhe demokratin e parë.

Rrëzimi i sistemit dhe vendosja e pluralizmit kalon përmes gjithë proceseve të nevojshme që kanë parë të gjitha vendet ish-komuniste. Sali Berisha, Rexhep Meidani, Alfred Moisiu, Bamir Topi, Bujar Nishani, Ilir Meta dhe Bajram Begaj janë presidentët e tranzicionit, ku gjithsecili ka kaluar nëpër beteja specifike, me pengesa, kontestime, luftëra personale, por gjithmonë në të njëjtin sistem, atë të konsolidimit të demokracisë.

E pranishme në promovimin e librit, kryetarja e Akademisë së Studimeve Shqiptare, historiania e njohur, Prof. Dr. Nevila Nika, e cilësoi një ngjarje tejet të rrallë për kohën, vendin dhe rajonin këtë ndërmarrje të Ahmet Zogut në 1925, ku tashmë njihet më së miri paqëndrueshmëria politike dhe luftërat e brendshme që po ndodhnin në vend. Mjafton të kujtohet se gjatë pesë viteve, 1920- 1925, u ndërruan 13 qeveri.

“Në Shqipërinë e prapambetur të viteve ’20-të dikush mendon se duhet të kemi një republikë presidenciale. Rrotull nesh ishin të gjithë mbretëri por ne kemi republikë presidenciale.” Për historianen, presidenti i parë shqiptar, edhe pse ishte i ri në atë kohë, nuk ishte i paditur. “Unë hyj te ata njerëz që besoj se politika dhe diplomacia janë talente, ashtu si muzika, piktura. Nuk bëhet kushdo diplomat e politikan”, u shpreh Nika.

Historiani Niko Kotherja vlerësoi më tej punën dhe kontributin e dhënë përmes këtij botimi nga autori Qafoku, duke u ndalur dhe në disa prej ngjarjeve kyçe të këtyre 100 viteve që kanë qenë vendimtare për vijimësinë e institucionit dhe shtetit shqiptar.

I njohur si gazetar dhe i afirmuar si studiues pas botimit të librit “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë”, Roland Qafoku tha se ishte gati i pashmangshëm jetëshkrimi për presidentët në këtë vit të rëndësishëm të kremtimit të njërit prej institucioneve themeltare të shtetit shqiptar.

“Ajo që e bën këtë moment të rëndësishëm është se historia e këtyre 11 presidentëve është në kufijtë e të jashtëzakonshmes. Për mirë, apo për keq ata kanë ndikuar në ngjarjet politike dhe momentet shumë të veçanta, jo thjesht e kanë shkruar historinë, por ata ishin vetë historia.”

Qafoku u ndal shkurtimisht te secili emër duke diktuar ngjarjet, momentet, apo elementët që karakterizojnë secilin president, qofshin ato pozitive apo negative, të lavdërueshme apo të papëlqyeshme.

Nuk munguan diskutimet, komentet dhe përshtypjet nga audienca mbi 11 presidentët e Shqipërisë, figura e personalitete të pangjashme, të sfiduar nga rrethana politike të pakrahasueshme, të cilët përmes vendimeve apo qëndrimeve kanë afirmuar veten dhe kanë pozicionuar rolin e institucionit të Presidentit.