Ballina Rajoni Alarm për bomba në disa shkolla, Ministria e Brendshme del me njoftimin...

Alarm për bomba në disa shkolla, Ministria e Brendshme del me njoftimin urgjent

115
0

Në adresat e email-eve të shkollave në Shkup dhe në Kumanovë kanë mbërritur kërcënime për bomba të vendosura të cilat do të aktivizoheshin mëngjesin e sotëm. Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftuan se janë kryer kontrolle dhe konfirmuan se paralajmërimet ishin false.

“Në SPB Shkup dhe SPB Kumanovë dje rreth orës 18 është denoncuar se në email adresat e 30 shkollave në Shkup dhe 17 në Kumanovë, kanë arritur mesazhe për pajisje eksplozive të vendosura në shkolla. Menjëherë janë ndërmarrë masa dhe aktivitete të nevojshme, janë kryer kontrolle dhe është konfirmuar se bëhet fjalë për denoncime të rreme”, njoftoi Ministria e Brendshme.

Një prej shkollave e cila u kontrollua mëngjesin e sotëm, ishte shkolla fillore “Hasan Prishtina” në Çair. Kërcënimi kishte arritur dje në email adresën e vjetër të shkollës, adresë e cila nuk kontrollohet rregullisht. Drejtoresha e kësaj shkolle, Esma Fazlija, njoftoi se policia ka arritur para se fëmijët të fillojnë mësimin dhe nuk ka pasur nevojë për evakuim.

Paralajmërimet për bomba të vendosura nëpër shkolla nuk është diçka e re në Maqedoninë e Veriut. Sipas mediave vendase, kjo gjë është duke u praktikuar prej vitesh, që pas periudhës së pandemisë.