Procesi i vettingu-t mbetet themeli i reformës në drejtësi dhe një nga kushtet kyçe për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Këtë e theksoi ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, gjatë një vizite në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku u prit nga kryetari Sokol Çomo.
Gonzato nënvizoi rëndësinë e finalizimit të të gjitha aktiviteteve të vettingut përpara qershorit 2026, datë kur përfundon mandati kushtetues i institucioneve të rivlerësimit. Ai e cilësoi këtë proces si “shtyllë kurrizore të reformës në drejtësi” dhe thelbësor për avancimin e Shqipërisë drejt BE-së.
Ambasadori bëri të qartë se unioni do të vazhdojë mbështetjen e plotë për procesin e vettingut dhe për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), që ka luajtur një rol të rëndësishëm në garantimin e transparencës dhe integritetit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Gonzato po ashtu dënoi ashpër sulmet dhe fushatat dezinformuese kundër ONM-së dhe vëzhguesve ndërkombëtarë, duke i cilësuar ato si “të pajustifikuara dhe të papranueshme”.
“Këto sulme synojnë të minojnë besimin e qytetarëve te sistemi i drejtësisë dhe të dëmtojnë ecurinë e reformës në drejtësi”, theksoi ai.
Procesi i vettingut, që nisi në vitin 2017, është një nga elementët më të rëndësishëm të reformës në drejtësi dhe mbetet kusht thelbësor për hapjen e kapitujve të parë të negociatave me Bashkimin Evropian.
Njoftimi i Ambasadës së BE në Tiranë
Procesi i rivlerësimit (vettingu) mbetet shtylla kurrizore e reformës në drejtësi dhe përfundimi i tij është një hap themelor në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Gjatë vizitës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, u takua me Kryetarin Sokol Çomo dhe theksoi rëndësinë e finalizimit të të gjitha aktiviteteve të vettingut përpara qershorit 2026, kur përfundon mandati kushtetues.
Bashkimi Evropian qëndron fort në mbështetje të procesit të vettingut dhe të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM). Sulmet e fundit të pajustifikuara dhe dezinformimi ndaj ONM-së dhe vëzhguesve të saj ndërkombëtarë janë të papranueshme dhe synojnë të minojnë besimin te sistemi i drejtësisë dhe reforma në drejtësi.







