Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka kritikuar strategjinë e opozitës, duke thënë se Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama nuk mund të largohen nga pushteti përmes ndërhyrjes së SPAK-ut, por vetëm përmes votës.
Sipas Manjanit, opozita po mundohet t’i shesë opinionit publik idenë se goditjet penale ndaj figurave të larta të mazhorancës, përfshirë zëvendëskryeministren Belinda Balluku, do të rrëzojnë qeverinë, ndërkohë që vetë opozita ka humbur vazhdimisht politikisht në zgjedhje. Ai kujtoi se një pjesë e opozitës e cilëson SPAK-un si “institucion të Ramës”, ndërsa në të njëjtën kohë pretendon se pikërisht ai institucion do të rrëzojë Ramën. Kjo, sipas tij, “nuk rri askund si logjikë”.
“Opozita duhet të na tregojë si mundet politikisht, dmth me votë, Belinda, Edi e gjithë PS dhe jo me SPAK. Aq më tepër që këtë të fundit e quan të Ramës.
Rrihen në zgjedhje si gomari n’duhan dhe dalin tani të na mbushin mendjen se Ramën do e rrëzojë SPAK, nuk rri askund si llogjikë.
Belinda Balluku mund të ketë gjynahet e saj, por Gaz Bardhit nuk ja mbush Ajo dot gropat elektorale që i krijoi PD, si dje me Lulin ashtu edhe sot me Berishën. Është politikani që i ka sjellë gropat më të mëdha partisë së vet.
“Ec përpara! Ta tregon Islami ty!” Është batutë filmi e Bepinit (Bujar Kapexhiut) tek Dueli i Heshtur, jo logjikë politike.
U pëlqen apo jo;
E arrijnë apo jo;
E besojnë apo jo;
PS rrëzohet nga pushteti vetëm me votë. Nuk e di edhe sa kohë e prova duhet për ta kuptuar kaq gjë.
Çdo goditje e SPAK, Ramës i bëhet vetëm shëndet elektoral.
Shëndet Ramës e gropë gjithnjë e më e thellë PD-së…” – shkruan Manjani.







