Luciano Spalletti pritet të nënshkruajë sot kontratën me Juventusin, duke u bërë trajneri i ri i “Zonjës së Vjetër”. Ai do të jetë në tribunat e stadiumit Allianz për të ndjekur ndeshjen kundër Udineses, ndërsa nga nesër do të nisë zyrtarisht punën me skuadrën.
Marrëveshja me 65-vjeçarin do të vlejë deri në qershor 2026, me mundësi rinovimi automatik për dy vite të tjera në rast se Juventus arrin kualifikimin në Ligën e Kampionëve. Spalletti do të përfitojë rreth 3 milionë euro në sezon plus bonuse.
Trajneri italian synon ta ringjallë skuadrën dhe ta rikthejë në garën për zonën Champions. Ai pritet të ndryshojë skemën taktike, duke kaluar në mbrojtje me katër lojtarë dhe një sulm me tre, ku Yildiz dhe Conceiçao do të kenë role kyçe përkrah Vlahovic ose David.
Një nga objektivat e tij të parë do të jetë rikthimi në formë i mesfushorit Koopmeiners. Pas përfundimit jo të mirë me Kombëtaren e Italisë, Spalletti është gati për një sfidë të re në Torino dhe shpreson ta udhëheqë Juventusin drejt suksesit.







