Ish-kryeprokurori i Vlorës Aurel Zarka kërkoi pafajësi në seancën e zhvilluar këtë të mërkurë në Apelin e Posaçëm. Mbrojtësi i tij ligjor Julian Mërtiri mbajti të njëjtin qëndrim duke thënë se klienti i tij nuk ka qenë përdorues i aplikacionit SkyECC dhe se Aurel Zarka punonte në Vlorë dhe nuk mund të ndikonte në një çështje që ishte në Tiranë.
Përfshirja e tij në këtë çështje ishte artificiale, sipas Mërtirit, pasi të gjitha bisedat janë bërë nga të tjerët dhe nuk kishte përse ai të përfshihej në ketë marrëdhënie.
Zarka ka ankimuar vendimin e dhënë nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion që e dënoi atë me 4 vite burg për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm në çështjen “Toyota Yaris”, dënim që u reduktua në 2 vite e 8 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar.
Apeli i Posaçëm dëgjoi pretendimet e mbrojtësit të Zarkës dhe u tërhoq për të shpallur vendimin në datë 12 nëntor. Vendimi për dënim në shkallë të parë u dha nga treshja e gjyqtarëve Erjon Çela, Bib Ndreca dhe Rudina Palloj, teksa Zarka u hetua nga prokurori Klodian Braho.







