Barcelona ka nisur që tani përgatitjet për merkaton e verës, ku fokusi mbetet përforcimi i repartit sulmues. Kjo ide sidomos përforcohet në prag të largimit të 37-vjeçarit Robert Levandovski, të cilit i përfundon kontrata me katalanasit në fund të këtij sezoni.
Në “Camp Nou”, po përgatiten për një verë të nxehtë merkatoje, ende pa kaluar atë të dimrit.
Drejtuesit e Barcelonës kanë nisur planifikimin për sezonin e ardhshëm dhe ndër prioritetet kryesore spikat përforcimi i repartit të sulmit. Pas dy sezoneve të suksesshme me Robert Lewandowskin në qendër të ofensivës, duket se kapitulli i sulmuesit polak do të mbyllet në fund të këtij sezoni.
Me këtë ndryshim të madh në horizont, katalanasit po kërkojnë një emër që mund të garantojë gola, përvojë dhe vazhdimësi. Kandidati kryesor që ka tërhequr vëmendjen e skautëve blaugranas është Serhou Guirassy, 29 vjeç, sulmuesi i Borussia Dortmund. Guirassy po kalon një moment fantastik në Bundesligë, ku në 62 ndeshje me verdhezinjtë ka realizuar plot 44 gola dhe 13 asistime.
Ai cilësohet si një futbollist me fizik të fortë, teknikë solide dhe një instinkt të mprehtë për golin. Një detaj që e bën edhe më tërheqës për Barçën është klauzola e lirimit prej 50 milionë eurosh, e cila pritet të aktivizohet gjatë verës së ardhshme – një shumë mjaft më e ulët krahasuar me çmimet që kërkohen në treg për sulmues të këtij niveli.
Por, bordi teknik i Barcelonës po mban nën vëzhgim edhe një alternativë më të re dhe më të përballueshme ekonomikisht: Etta Eyong, 22-vjeçari kamerunas që luan për Levanten në Spanjë. Eyong po kalon një sezon të shkëlqyer, me 6 gola dhe 3 asistime, dhe shihet si një talent me potencial të madh për të ardhmen.
Ai ka kontratë afatgjatë me Levanten deri në vitin 2029, megjithatë e kaluara e tij te Villarreal mund të sjellë disa ndërlikime ligjore për të drejtat mbi kartonin e tij.
Sipas mediave spanjolle, Barça mund të shfrytëzojë marrëdhëniet e mira me klubin Valencian për të gjetur një zgjidhje.
Vendimet do të jenë në duart e drejtorit sportiv Deco dhe trajnerit Hansi Flick, të cilët po punojnë ngushtë për të përcaktuar profilin ideal për repartin e sulmit, që do tu siguronte katalansave vazhdimësi dhe sukses për të ardhmen.







