Ballina Rajoni Dronët mund të zëvendësojnë njësitë amerikane në Ballkanin Perëndimor

Dronët mund të zëvendësojnë njësitë amerikane në Ballkanin Perëndimor

61
0

Ndërsa Washington-i po rishikon praninë e tij ushtarake globale, një ekspert amerikan propozon një model të ri të dislokimit të forcave amerikane në Evropë, ku dronët do të zëvendësonin njësitë tradicionale të ushtrisë – përfshirë edhe në Ballkanin Perëndimor.

Benjamin Jensen, drejtor i Futures Lab pranë Center for Strategic and International Studies (CSIS) në Washington, thotë se formacionet e përziera me dronë mund të ofrojnë fleksibilitet më të madh, kosto më të ulët dhe bashkëpunim më të ngushtë me forcat partnere të NATO-s.

“Njësitë e vendosura përpara në garnizone të mëdha, të përqendruara në këmbësori dhe trupa të blinduara, duhet t’i hapin rrugë formacioneve me dronë që mund të dislokohen më shpejt dhe të rrisin fuqinë luftarake të partnerëve”, shkroi Jensen në një analizë të kohëve të fundit.

Në një përgjigje për Albanian Post, ai pranon se Ballkani Perëndimor mund të shërbejë si terren prove për këtë koncept të ri.

“Imagjinoni ekipe të vogla lëshimi dhe rikuperimi që qarkullojnë nëpër Ballkan, duke ofruar mbështetje shtesë për forcat e NATO-s dhe BE-së. Çelësi do të ishte logjistika – përfshirë vlerësimin e terreneve dhe krijimin e bazave të gatshme për operacione të menjëhershme”, theksoi Jensen.

Siç mëson Albanian Post, Shtetet e Bashkuara ruajnë një prani të kufizuar ushtarake në Ballkan, me gjithsej 10 trupa në Shqipëri, 11 në Kosovë, 13 në Kroaci, 14 në Serbi, 14 në Maqedoninë e Veriut, 16 në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe 6 në Mal të Zi – shumica pjesë e Korpusit të Marinës, sipas të dhënave të Defense Manpower Data Center (qershor 2025).

Në analizën e tij për Hudson Institute, eksperti Daniel Kochis thekson se çdo reduktim i mëtejshëm i pranisë amerikane në Evropë mund të dobësojë ndikimin strategjik të Washington-it dhe besueshmërinë e NATO-s.

“Forcat amerikane në Evropë nuk janë vetëm një garanci sigurie, por edhe një mënyrë për të ruajtur ndikimin strategjik të Shteteve të Bashkuara në kontinent”, shkruan ai, duke theksuar se prania amerikane “ndihmon në ruajtjen e stabilitetit historik dhe në ndërtimin e besimit me aleatët evropianë”.

Megjithatë, Jensen beson se ndryshimi i paradigmës ushtarake përmes dronëve mund të ruajë ndikimin amerikan, por me një formë më moderne dhe më të lehtë për t’u përshtatur.

“Njësitë me dronë mund të dislokohen shpejt, të bashkëpunojnë me aleatët dhe të ofrojnë fleksibilitet më të madh strategjik sesa prania tradicionale tokësore”, sqaroi ai për Albanian Post.

Në një rajon si Ballkani Perëndimor – ku SHBA-të kanë qenë historikisht të pranishme përmes misioneve të NATO-s në Kosovë dhe bashkëpunimeve dypalëshe në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut – një ristrukturim i tillë do të sinjalizonte një fazë të re të politikës amerikane të sigurisë në Evropën Juglindore.