Kanosi me armë, specialistin e Policisë së zonës, arrestohet 46-vjeçari dhe i sekuestrohen arma sportive (pistoletë) dhe automjeti që drejtonte ky shtetas, në gjendje të dehur.
Pas njoftimit të një specialisti të Seksionit të Policimit në Komunitet të Komisariatit të Policisë Durrës, se në fshatin Katund Sukth, ishte kanosur me armë, shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Durrës, të planëzuar me shërbim për monitorimin e kësaj zone, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë mundësuar arrestimin e autorit, shtetasit L. Sh., 46 vjeç, banues në fshatin Katund Sukth.
Nga hetimet e deritanishme, dyshohet se 46-vjeçari ka zbritur nga automjeti, sapo ka parë SPZ-në e zonës, me shërbim, dhe e ka kanosur atë, me armën sportive që mbante pa leje.
Nga verifikimet e mëtejshme, rezultoi se shtetasi L. Sh. e drejtonte automjetin ku mbante armën, në gjendje të dehur.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.







