Ballina Dossier I dënuari politik Gëzim Çela: Në ballë të Revoltës së Spaçit mbanim...

I dënuari politik Gëzim Çela: Në ballë të Revoltës së Spaçit mbanim në dorë Flamurin kombëtar pa yll dhe kitaren e Vaçe Zelës

74
0
??????????

Bulevard news*

Shumë është shkruar e folur për shtresën e të persekutuarve, ku bën pjesë edhe Gëzim Çela disidenti që kaloi rininë në burgjet e regjimit komunist. Kanë shkruar për të gazetat; janë bërë emisione televizive dhe dokumentarë; kanë shfaqur interes mediat shqiptare e të huaja; është ngjitur në shumë podiume për të dëshmuar vuajtjet, sakrificat, torturat e masakrat që u janë bërë bashkëvuajtësve si dhe rezistencën e madhe. 21 vite e 8 muaj provoi përçmimin e egër, të rëndë dhe të dhunshëm në burgjet shqiptare. Hyri fare i ri, në moshën 22 vjeçare, për të lënë pas historinë tragjike në moshën 55-vjeçare. Djali i vetëm i ushtarakut Mahmut Çela, ish prefekti i Tiranës dhe gruas fisnike Roza Llupi, mamisë plot dashuri për jetën dhe njerëzit, ka shumë për të thënë veç sa ka shkruar në librat e tij, në gazeta e konferenca.

Shkollimi

Gëzim Çela u lind në Lushnje më 1935. Aty përfundon edhe arsimin unik që ishte i ndarë në dy cikle, 5 klasë dhe 3 klasë. Fal admirimit dhe kulturës që gëzonte e ëma e tij, fiton të drejtën e studimit dhe bursë për në shkollën e mesme pedagogjikë në Shkodër. Ishte viti 1948. Ndërsa kishte nisur të ecte mirë me studime, 3-4 muaj pasi i ishte shtruar librave, e thërrasin në zyrën e konviktit. Konvikti qe vendosur tek ish shkolla jezuite në Shkodër dhe aty ishin sistemuar nxënës të ardhur nga shumë zona të Shqipërisë që vijonin studimet e mesme. Punonjësi i ngarkuar për t’i dhënë lajmin fëmijës 13-vjeçar e ul në tryezë dhe i bën të ditur se shteti ia kishte prerë bursën, ndërkohë që djali urdhërohet të dalë po atë ditë nga konvikti, ndonëse nëna e tij në Lushnje nuk kishte asnjë dijeni për atë që kishte ndodhur me djalin. Asnjë fjalë më shumë, as motivacion dhe as shpjegim. Punonjësi, në kujtimet e Gëzim Çelës, ishte një burrë në moshë, autoritar dhe sillej shumë mirë me ta, por urdhëri ishte i tillë dhe nuk kishte shteg tjetër. Punonjësi madje i tregon nxënësit të pedagogjikes edhe shkresën e firmosur nga ministri Arsimit Karaman Ylli, veprim që më shumë është nxitur për t’i dhënë të kuptojë fëmijës se edhe ai ndihej keq. Ndërprerja e urdhëruar e studimeve do të hidhërojë pa masë atë dhe të ëmën, ndërkohë që Roza, do të përpiqet për të gjetur rrugë të tjera për të shkolluar djalin. Atë natë 13-vjeçari do e kalojë tek një i afërm i familjes në Shkodër dhe të nesërmën merr rrugën për në shtëpi, me valixhen e drunjtë në dorë. Në Durrës gjendet Kil Sheldija, anëtar ndër të parët i Partisë Komuniste të vitit 1941. Gjatë qëndrimit në Durrës Mahmut Çela dhe mamia Roza Çela kishin pasur marrëdhënie shumë të mira në komunitet. Mamia u shërbente grave në çdo çast, ditën e natën dhe kjo i dha asaj emër shumë të mirë. Sheldija që e njihte familjen Çela i afron djalit të ushtarakut të larguar nga atdheu arsimim në gjimnazin “16 shtatori” Durrës dhe u muar vet me regjistrimin. Gjimnazin e kryen në vitin 1964 dhe që nga ajo kohë nxënësit e maturës së Çelës mblidhen çdo vit, sigurisht pas ardhjes së demokracisë, për të kujtuar kohën e studimeve. Takimi realizohet në mjediset e shkollës, aty ku do të kujtohet me 31 maj të këtij viti 60-vjetori i përfundimit të studimeve. Çela ishte bashkënxënës me Ben Çetën, kardiologun e nderuar; mjekun e apasionuar Stefan Vokopola; piktorin e talentuar Zef Ujka; kompozitorin me emër të madh Feim Ibrahimi; stomatologun e nderuar Piro Qerimi; intelektualët Kujtim Zhari, Eqrem Basha, Jorgji Nushi… Pas përfundimit të shkollës së mesme shpresat për të ecur më tej me studimet do të shuhen shumë shpejt. Trokiti së bashku me të ëmën në shumë dyer të cilat iu mbyllen një nga një. I riu përjeton ditë të vështira pasi veç saj, nuk i afrohet as punë. Nënë e bir qenë fare të pafuqishëm për të gjetur rrugëzgjidhje. Këtë që po ndodhte me Rozën dhe Gëzimin, kryefamiljari, Mahmut Çela e kishte parashikuar që në çastin kur vendosi t’i dërgojë mes ulqinakëve gruan e djalin. Kthimin e bashkëshortes me djalin 10 vjeç në Tiranë, Mahmut Çela do e përjetojë shumë keq. Përmes një infermiereje që kishte lidhje me një italian i dërgon fjalë së shoqes duke i kërkuar të tregohet e kujdesshme pasi vendimi i saj për t’u kthyer në Shqipëri do të shoqërohej me vuajtje, siç edhe realisht ndodhi.

Arratia

Mbyllja e të gjithë rrugëve për t’u shkolluar dhe punësuar e shtyu të riun Gëzim Çela në mendime të thella. Rruga e vetme për të kishte mbetur arratia. Nuk e kishte çuar ndonjëherë në mendje ngase edhe e ëma, e cila e kishte dritë të syrit dhe të vetmen shpresë e gëzim, pati bërë të gjitha përpjekjet për ta mbajtur pranë. Pas shumë dilemave vendos t’i tregojë të ëmës vendimin që kishte marrë dhe iu lut asaj të mos e pengonte. Djali do të linte nënën të vetme, ndërsa edhe vet po shkonte i vetëm në rrugë të panjohura, plot rreziqe dhe pa shpresë për t’u kthyer gjallë. Për të rrugët ishin mbyllur, ndaj Çelës nuk i kishte mbetur tjetër veçse të merrte arratinë. Djaloshi takon mikun dhe shokun e tij besnik nga Shkodra. Quhej Luigj Shllaku i cili kishte tentuar të kalonte kufirin edhe një herë tjetër. I ati Shllakut, Gjoni, bënte tregti me pjesën tjetër të kufirit dhe e njihte pëllëmbë më pëllëmbë brezin e kufirit. Meqë i biri kishte vendosur të arratisej Gjoni i afron mundësinë duke i vendosur edhe kushtet. Ai pranon që së bashku me të birin të ndihmonte edhe shokun e tij, Gëzimin dhe kështu u bë. Gjoni porositi të birin që të ishte në Koplik deri në ora 24, por djemtë arritën shumë vonë, diku rreth orës 02.30. Kishin ecur 15 orë në këmbë nga Shkodra deri në vendin e takimit të të atin e Luigj Shllakut. Ai po i priste dhe pasi u bënë të ditur se janë shumë vonë u thotë se duhej detyrimisht provuar arratisja pasi nuk ktheheshin dot pas ngase ishte i bindur se moskthimi i tij në shtëpi deri në të errur do të alarmonte kufirin, siç edhe ndodhi. Ishte viti 1957. U nisën nga Shkodra ditën e fundit të shtatorit dhe arritën në kufi ditën e parë të tetorit. Me t’iu afruar kufirit dëgjohen thirrjet e ushtarëve. Të tre rendin me vrap. Rojet e kufirit qëllojnë me automatik në drejtim të tyre duke vrarë në vend të atin e shokut të Gëzim Çelës. Djemtë e kishin të pamundur të ecnin më tej se nuk dinin nga t’ia mbanin ngase nuk e njihin fare brezin kufitar. Qëndrojnë pas një shkëmbi deri në të gdhirë. Ushtarët kishin rrethuar zonën, ndaj nuk kishte asnjë rrugë shpëtimi. Me të dalë drita pikasen nga ushtarët.

Burgimet

Gjashtë muaj do të mbahet në qelitë e degës së brendshme në Shkodër 22-vjeçari Gëzim Çela. Ishte kapur në flagrancë në kufi ndaj nuk kishte nevojë për ndonjë hetuesi speciale. Ishte e kuptueshme se i biri i një ish ushtaraku të larguar në Amerikë këtë rrugë do të kërkonte për të mbijetuar. Ndaj ia bëjnë shpejt e shpejt gjyqin dhe e dënojnë me 14 vite për tentativë arratisje. Në burgun e Rinasit bëri beton me krah për ndërtimin e aeroportit; në Thumanë për bonifikimin; Gjermë në tharjen e kënetave; Tiranë në ndërtimin e pallateve; Rubik, Laç për t’u liruar në vitin 1964 pas disa amnistive. Këto ishin edhe 7 vitet e para të burgut, pasi Gëzim Çela do të ketë të njëjtin fat jo shumë kohë pas lirisë.  Pas arrestimit të dytë vitet e dënimit i heq në minierën e Manzës. Shtëpinë në Tiranë që e kishin me tapi që në kohën e para çlirimit ia marrin. Nënë e bir kërkojnë të bëjnë pasaportizimin në Tiranë, por e kanë të pamundur. i sorollasin sa andej-këndej duke ia bërë shumë të padurur arritjen e qëllimit. Gjatë kësaj kohe Gëzimi kishte bërë disa përpjekje për të provuar aftësitë e tij sidomos në pikturë. Kohë më pas në minierën e Manzës, ku drejtor ishte Resmi Nuriu, i bën të ditur se pikturonte dhe i binte edhe veglave muzikore. Atje bënte trimozhat dhe pasi dëmtohet del në sipërfaqe duke nisur të shkruajë parrulla e piktura të ndryshme për emulacionin, sigurimin teknik deri edhe parrulla e piktura politike kushtuar marksistë-leninistëve dhe Enver Hoxhës. Tri herë është takuar Çela me Manzën. Në arrestimin e tij të parë për 3 vite do të punojë në këtë minierë; 7 vite të tjera në arrestimin e dytë dhe pasi lirohet sërish do të kthehet atje së bashku me të ëmën për të punuar. Për 6-7 vitet e kohës së mbetur deri në ardhjen e demokracisë mori një banesë shteti në Manzë së cilës i lante qeranë së bashku me të ëmën e cila gjendjen në pension. Në manzë rikthehet për të punuar por tani pa pranga në duar e në këmbë. Ka shumë kujtime nga këtu. Duke gërmuar në errësirën e viteve i kujtohet ajo që kishte ngjarë në vitin 1970. Dikush e kërkon dhe i le në dorë një letër brenda së cilës qe shkruar “Babai vdiq. Të rroni vet. Imami i Filadelfias Hatib Xhemali”. Me këtë emër do të ndeshet pasi në Shqipëri troket demokracie. Vajza e hallës që jetonte në Lezhë kishte martuar të bijën me një djalë në Amerikë dhe që ishte nipi i imamit të Filadelfias prej të cilit mori lajmin. Këtu mëson edhe këtë ngjarje që e trishton shumë. Pikërisht në momentet e ardhjes së letrës i dënuari Çela po kryente provat si regjisor i estradës së minierës. Nuk i ndëpreu provat, por për shkak të lajmit të hidhur shkurtoi kohën për t’u ngushëlluar më pas me letrën. Në vitin 1971 vjen edhe arrestimi i tretë dhe vuajtjen në Spaç. Edhe ai akuzohet për pjesmarrje në revoltën e Spaçit duke u iu bashkëngjitur kështu listës së gjatë. Herën e tretë dënohet me 15 vite dënim prej të cilave 11 vite i kryen në Spaç, 2 vite në burgun e Shën Kollit në Lezhë dhe 1 vit në repart pune për të fituar vetëm një vit amnisti. Çela ka datëlindjen me 21 maj dhe në këtë ditë priste të ëmën për ta vizituar. Roza nuk iu nda të birit asnjëherë, e vizitonte së paku një herë në katër muaj ngado që e transferonin. Pikërisht ditën e datëlindjes së tij në Spaç nis revolta të burgosurve e cila zgjati tre ditë. Roza nuk mundi të takonte të birin ngase drejtori kampit Sulejman Maloku nuk e lejoi. Kjo solli pakënaqësi dhe protestë tek Çela brenda në burg dhe nga ana e së ëmës përtej hekurave. Spaçi tejmbushet me polic e forca ushtrie të cilët marrin dhunshëm që andej 40-50 të dënuar, mes tyre edhe Çelën dhe pasi i hipin në makinë i dërgojnë në Tiranë për hetuesi speciale. Për të shuar revoltën në Spaç kishte mbërrirë edhe Fiqor Shehu, ministër i Brendshëm.  Hetues ishin Koço Josifi dhe Irakli Kocani. Pasi merren në pyetje dërgohen në Rrëshen për t’u gjykuar. Me 23 maj 1973 pushkatohet Pal Zefi, Dërvish Bejko, Skënder Daja dhe një i katër si kokat e revoltës që tronditi nomenklaturën e kuqe, ndërsa 40 të tjerë të burgosur, ridënohen. Teksa Gëzim Çela ishte në qelitë e degës së brendshme në Rrëshen, ai dëgjon zërin e nënë Rozës e cila ulërinte në rrugët e Rrëshenit për refuzimin që i kishin bërë duke i mohuar të takonte të birin. Roza mbante në dorë një pako të vogël dhe në të kishte bukë, djathtë dhe një ëmbëlsirë për të birin me rastin e datëlindjes, pako që nuk ia lanë ta fuste tek Çela. Në Spaç dhe në burgje të tjera Gëzim Çela ka ndeshur edhe në njerëz shumë fisnik, të pathyeshëm dhe me besimin e plotë se sistemi komunist do të binte. Çela në dhjetra intervista për gazeta e televizione shqiptare e të huaja si dhe në librat që shkroi tregon ndodhi deri të pabesura si dhe mbijetesa e qëndresa të jashtëzakonshme. Aty ka njohur edhe klerikun e pathyeshëm At Zef Pllumin, disidentin e madh Isuf Vrionin, poetin Hysen Hoxhën, poetin Visar Zhiti, këngetarin Sherif Merdanin, publicistin Spartak Ngjela e të tjerë. Gëzim Çela fiton lirinë në vitin 1984, në moshën 49-50 vjeç. Ka vuajtur plot 21 vite e 8 muaj në burgjet e dhunshme të regjimit, në minierë, beton, tharje kënete. I dënuari politik kujton se në administratat e burgjeve nuk kishte vetëm xhelat dhe barbarë. Çela është shprehur se aty ka ndeshur edhe në njerëz të mirë. Kështu ruan konsideratë për qëndrimin serioz dhe human të Meto Kondit komandant burgu në Spaç, Faik Lala apo edhe Hazbi Lamçi i cili më pas përfundoi në të njëjtin burg si i dënuar. Një pjesë të kohës në burg e kalonte duke lexuar gazeta e revista. Meqë kishte njohuri të mira në rusisht, në qeli i shkonin revistat ruse, ndërsa krahas punëve të rënda e të rëndomta, bënte edhe piktura. Atje mësoi edhe anglisht edhe pse me shumë vështirësi ngase gardinët nuk lejonin. Teksa është ndalur për të dëshmuar këtë pasion ka thënë se piktori Sali Shijaku është shprehur “Piktor ka qenë Gëzim Çela”dhe këtë vlerësim dëshiron ta thotë gjithandej në mes miqve dhe për median. E ëma tij, Roza, do e vuajë dënimin e të birit edhe për një fat tjetër që ka të bëjë me vendimin e saj për t’u kthyer në Shqipëri. Në degë të brendshme, në mjedise të hapura dhe në salla gjyqi ajo u ka thënë hetuesve e gjykatësve “ E solla me dorën time në Tiranë. Dënojeni sa të doni djalin tim”. Vendimi i gabuar i saj do e mundojë gjithë jetën, deri ditën e mbylljes së syve. Shpesh ndodhte që vet Çela bëhej shkak për të detyruar administratën e burgut të merrte dënime të reja. Një rast i tillë është izolimi për një muaj në birucë në vitin 1963. Ishte muaji nëntor. Me të marrë vesh për këtë vrasje të ish presidentit amerikan, Çela hidhërohet pa masë dhe kjo bie në sy të administratës të cilët ia bëjnë të ditur edhe Rozës atë që kishte ngjarë me të birin e saj.

Kitara Veçes në qeli

Gjatë kohës që vuantë dënimin e parë në burgun e Tiranës u njoh me bashkëvuajtësin Sotiraq Tase, muzikant shumë i apasionuar. Burgu kishte dhomë kulture dhe bibliotekë. Aty lejohej të lozje në instrumente ndaj dhe Tase e shfrytëzonte më së miri duke i rënë mandolinës. Duke parë se Gëzimi ishte shumë i dhënë pas artit, i kërkon që të bëjë përpjekje për të gjetur një kitare e cila do të shërbente si mundësi e mirë për shoqërimin e mandolinës. I riu vendos të kërkojë ndihmën e të ëmës në takimin e parë që do të realizohej në mjediset e burgut. Sapo takimi ndodhi i lutet të takojë Medi Prodanin për t’i siguruar një kitare. Me Prodanin, kitaristin e dëgjuar, njiheshin familjarisht në Lushnje por që qe shpërngulur në Tiranë. Për shkak të miqësisë që kishin iu drejtua për ndihmë, ndihmë e cila nuk u realizua ngase ishte e pamundur të gjendej një kitare. Ndërsa priste së bashku me takimin e rradhës, edhe mbërritjen në burg të kitares, nuk ndodhi ashtu. Megjithatë nuk do të vonojë dhe rasti e sjell gjatë takimit të Rozës me Vaçe Zelën të realizohet dëshira e Gëzimit. Maminë e njihnin të gjithë në Lushnje, ndërsa Vaçe për shkak të respektit sa herë që e takonte Rozën e pyeste për të birin e burgosur. Pikërisht në të tilla biseda rrjedh edhe kërkesa që vinte nga qelitë e burgut të Tiranës. Këngetarja nuk heziton fare madje i përgjigjet me shumë dashamirësi dhe adhurim duke i premtuar se do i jepte kitaren e saj. E pabesuar, por e vërtetë. Me të marrë kitaren shkon dhe takon Gëzimin i cili lumturohet jashtë mase. Ishte 25 vjeç dhe muzika qe ndër pasionet e tij të veçanta. Nisi të mësojë akordet falë edhe ndihmës nga bashkëvuajtësi Tase. Dhoma e kulturës gjallërohet duke u kthyer në vend argëtimi për të dënuarit. Me të përfunduar këtë dënim, Gëzimi nuk e merr kitaren, vendos t’ua lërë të dënuarve të tjerë. Ndërsa e kishte harruar për disa kohë, rikthimi për të dytën herë në burg dhe vuajtja e dënimit në Spaç e përballë sërish me kitaren e lënë në Tiranë. Madje këtu kitare e Vaçes është kthyer edhe në simbol për të burgosurit në ditën e revoltës së madhe të 21 majit 1973. Kitarja kishte shëtitur nëpër burgje së bashku me të dënuarit që i binin asaj dhe përfundimisht u shfaq në Spaç. Këtu, në burgun e Spaçit Gëzim Çela do të kalojë gjysmën e dënimit të gjatë, plot 11 vite. Skënder Daja, njëri nga kryesuesit e revoltës së Spaçit, i cili u pushkatua sapo u shtyp revolta, mbante në njërën dorë kitaren e Vaçes dhe në tjetrën flamurin. Gjatë  trazirave në këtë burg, të dënuarit mundën të fshihnin kitaren pa rënë në dorë të policisë dhe ushtrisë. Pasi e futën në një thes e strehuan brenda një zgafelle, në nëntokë. Aty e lanë deri sa situata u qetësua. Një nga ata që e shpëtoi kitaren ishte edhe Fiqiri Muho, marinar nga Durrësi, i persekutuar politik. Ai e takon një ditë Çelën në Tiranë dhe i tregon se pasi kishte dalë nga burgu e kishte marrë me vete kitaren e Vaçe Zelës të cilën Gëzimit ia kishte bërë dhuratë këngëtarja përmes nënë Rozës. Ky ka qenë edhe një nga çastet më fatlume që nuk harrohet asnjëherë të kujtohet nga Gëzim Çela sa herë që vendoset përballë gazetarëve. Edhe sot, e ka dhe e ruan me shumë kujdes në shtëpinë e tij, buzë Vollgës, në studion e tij të mbushur me piktura, poezi, shënime, fotografi, relike të ndryshme. Në ballë ka foton e të atit, foton e nënë Rozës dhe kitaren e Vaçes dhe të trija bien në sy me të hyrë në studio.

Historik i shkurtër

Mahmut Çela djalë i një familje ulqinake dhe Roza Llupi e bija e një familje shkodrane, prindër të Gëzim Çelës, u njohën në qytetin verior të Shkodrës. Çela ka studiuar në Izburg të Austrisë për artin ushtarak, kurse Llupi ka kryer studimet për mami, ndihmësmjeke, në Beograd falë bursës së dhënë nga ministri i Arsimit në atë kohë Mustafa Juka. Llupi kishte kryer para vitit 1993 edhe shkollën amerikane në Shkodër. Ulqinaku kishte pikëpamje fanoliste dhe e kishte shoqëruar kreun e revulucionit të qershorit 1924 në meshën e parë të zhvilluar në Korçë. Kjo ngjarje është e regjistruar edhe në saj të një fotoje të vitit 1921 nga foto “Sotiri”. Me ardhjen në pushtet e qeverisë së Nolit, ulqinaku i shkolluar në Austri emërohet kryetar gjykate në Shkodër. Pikërisht në këtë periudhë njihet me gruan e tij të ardshhme e cila vinte nga derë katorike shkodrane, ndërsa vet ishte musliman. Çifti solli në jetë fëmijën e tyre të vetëm, Gëzim Çelën, i cili do të dënohet tri herë nga regjimi komunist për të vuajtur në burgjet e dhunshme 22 vite. Pas ardhjes në krye të qeverisë të Ahmet Zogut, ushtaraku Mahmut Çela vazdhon të shërbejë në superstrukturën e shtetit edhe pse njihej si fanolist. Vite më pas familja transferohet në Berat, Roza si mami infermiere dhe Mahmuti si ushtarak, deri në vitin 1941. Në këtë kohë ai caktohet federal shqiptar në Prishtinë ndonëse nuk kishte ndryshuar asgjë nga pikëpamjet e tij në mbështetje të Nolit i cili kishte ikur në ekzil. Atje qëndori dy vite për t’u kthyer në Shqipëri, këtë herë si prefekt i Tiranës më 1943. Në atë kohë Durrësi ishte nën juridiksionin e prefekturës së Tiranës dhe popullata e qytetit bregdetar që shpërngulur për në Shijak, Kavajë e Tiranë. Dy muaj para se të niste beteja e Tiranës, Çela merr të shoqen dhe djalin për t’u strehuar në Shkodër, atje ku ishin vendosur edhe pjesa tjetër e legalistëve, ballistëve, gjermanëve dhe italianëvë të mbetur në pritje për të kaluar detin. Që aty, me të gjetur të parën mundësi, niset më gruan e të birin për në Ulqin dhe pasi i strehon ata në vendin e të parëve të tij, kthehet në Shkodër për t’u larguar jashtë Shqipërisë. Përqafimi i ndarjes me Rozën dhe Gëzimin, atje në Ulqin, ka qenë edhe takimi i fundit ngase Mahmut Çela përfundoi në Filadelfia të Amerikës pasi qëndroi një kohë të gjatë në Kanada për të mos u kthyer kurrë në Shqipëri. Ushtaraku ishte i bindur se në Shqipëri do të niste lufta politike ndaj vendosi t’i largonte gruan e të birin dhe si vendin më të përshtatshëm zgjodhi Ulqinin. Por një vit pasi vendi ishte çliruar nga gjermanët Roza Çela merr djalin 10-vjeçar dhe kthehet në Tiranë me pajton tek ish shtëpia. Banesa ishte zënë kohë më parë ngase shtëpia e ish prefektit të Tiranës qe konfiskuar nga shteti. Kështu që nënë e bir sistemohen në hotel. Për një vit Roza Çela do të shërbejë në profesionin e saj në Durrës, pastaj do të shpërngulet në Lushnje për t’u rikthyer në Durrës vetëm pasi djali saj, Gëzim Çela, të përfundojë 22 vitet e dënimit. Pasi i jep fund të gjithë kalvarit vuajtjes së denimeve kthehet në Durrës, merr të ëmën dhe shkon për të punuar në Manzë. Demokracia e gjen pikërisht në qytetin e varfër të minatorëve, në veri të Durrësit. Kalimi i viteve dhe lënia pas e periudhës më fatkeqe për të dhe për bashkëvuajtësit e regjimit komunist e nxiti të mendojë për të hedhur në letër kujtimet dhe emocionet. Shkruan poezi, mban ditar, merr pjesë në konferenca të ndryshme dhe përvjetor për vlerësimin e figurave të rezistencës antikomuniste. Gëzim Çela shkroi librin “Nga burgu i Spaçit drejt lirisë” (tregime të jetuara dhe shqetësimet e tranzicionit) dhe “Klithma e një nëne”. Brenda atyre fletëve janë histori të shumta, ngjarje tonditëse, krime dhe tortuara të hequra në burgje. Por jo vetëm kaq. Librat janë dëshmi të drejtpërdrejta të qëndresës së pashembullt, guximit deri në vetmohim në emër të lirisë e flamurit, personazhe që frymëzojnë me aktet e panumërta. Ka edhe poezi, foto, skica, tablo të ndryshme, faksimile, hartën e burgjeve shqiptare në kohën e diktaturës. Aty gjendet edhe Stema e familjes, foto nga Marubi ku ka dalë e ëma Roza Llupi në moshë të vogël; vlerësimi që i ka bërë bashkia e Lushnjes nënën së tij me motivacionin “I jepet zonjës Roza Çela (pas vdekjes) me motivacionin: Nëna mami që nuk u kursye kurrë për të sjellë në jetë fëmijët tanë. “ si dhe mirënjohja e qytetit të Durrësit dhënë të atit, Mahmut Çela.Studio është një pasuri më vete. Aty hynë e dalin shpesh dhe pandërprerë gazetarë, historian, studiues, shqiptarë e të huaj. Dëgjojnë, pyesin, intervistojnë, fotografojnë, xhirojnë duke e kthyer atë kënd të sistemuar mirë në një galeri që prodhon pa ndërprerë lajme e shkrime interesante. Ardhja e demokracisë e gjeti Gëzim Çelën në moshën 55-vjeçar. Burgosjet e njëpasnjëshme dhe vitet e gjata të qëndrimit në burgjet politike ia mohuan të drejtën e krijimit të familjes. Me të ardhur demokracia, në vitin 1991, largohet nga Manza e vendoset në Durrës. Pikërisht në këtë kohë bashkëmoshatari tij në gjimnaz Piro Qerimi i afron mundësinë e krijimit të familjes duke e njohur me stomatologen Irena Beligradi, me të cilën martohet në vitin 1992. Aktivizohet ndër të parët në strukturat e PD, hap agjensinë detare “Demokracia” nis të shfaqet në mediat e kohës dhe ndërmerr edhe udhëtime jashtë vendi si në Itali, Gjermani, Amerikë, Francë. Pasi Në Amerikë gjen varrin e të atit dhe e sistemon duke i vendosur pllakë e lule, nxiton të bëjë homazhe edhe tek varri ish presidentit amerikan Xhon Kenedi. Në Itali ftohet në studio televizive dhe intervistohet nga media e shkruar për të rrëfyer vitet e burgut dhe atë që ndodhte në qelitë e frikshme të diktaturës. Në Tiranë të Re i ati, Mahmut Çela kishte blerë para çlirimit 1500 m2 tokë truall. Nga zyra e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme nxori dokumentin e pronësisë dhe me letra në dorë u interesua për pronën. Vetëm 500 m2 kishte mbetur e lirë pasi pjesa tjetër qe zënë me ndërtime të shumta. Pasi plotëson të gjithë dokumentacionin, e shet këtë sipërfaqe prej 500 m2 me 200 dollarë m2 dhe me paratë e siguruara blen një apartament në një nga dy ndërtesat e larta buzë shëtitores “Taulantia” në hyrje të portit të Durrësit, ku edhe jeton me bashkëshorten. Gëzim Çela ka statusin e të përndjekurit politik dhe në bazë të ligjit duhet të fitojë dëmshpërblimin për vitet e burgut në shumën 12 milion lekë. Në 24 vite të demokracisë ka marrë vetëm 2 milion në dy këste.

*Sqarim: Për shkak të një problemi, janë fshirë nga memoria e web-it bulevardnews.com, më shumë se 100 portrete, intervista dhe dossier. Shkrimet në fjalë janë të gjithë të botuar në gazetën Bulevard në versionin print dhe pavarsisht se në këto vite shumë njerëz kanë shkruar edhe për emra të përbashkët, koha, rrethanat, problematika, këndvështrimi kur janë botuar këto shkrime mbartin në vetvete një pjesë të memories së qytetit të Durrësit. Duke kërkuar ndjesë, disa prej emrave të shkrimeve nuk jetojnë, redaksia do t’i rihedhë edhe në online, ashtu siç edhe janë botuar, pa ndërhyrë. Koha dhe njerëzit kanë të drejtën e gjykimit dhe vlerësimit. Ky sqarim do të shoqëroj çdo shkrim për të rikrijuar arshivën online. Një falenderim për grupin e punës dhe veçanërisht gazetarin Xhevahir Gradica, që është marrë me këtë rubrikë në gazetën Bulevard. Ju faleminderit për mirëkuptimin!