Nuk është kurrë vonë për t’u bërë legjendë, këtë e di më mirë se kushdo Jamie Cureton, i cili në moshën 50-vjeçare ka thyer një rekord unik në futbollin anglez: ai është bërë lojtari i parë që ka shënuar në të gjitha (10) kategoritë e piramidës së futbollit britanik.
Historia e tij nis në vitin 1994, kur një sulmues i ri, vetëm 19 vjeç, debutonte në Premier League me fanellën e Norwich City-t dhe shënonte kundër Chelsea-t, vetëm 13 sekonda pasi kishte hyrë në fushë. Askush nuk do ta kishte imagjinuar se, pas më shumë se tri dekadash, ai djalosh do të ishte ende aty, duke gjetur rrugën e golit.
Këtë sezon, Cureton e nisi si trajner-lojtar te Cambridge City (skuadër e kategorisë së shtatë), por rezultatet e dobëta çuan në shkarkimin e tij.
Megjithatë, fati kishte përgatitur një tjetër mundësi: më 15 tetor, ai firmosi me Kings Park Rangers, ekip i Eastern Counties Football League, kategoria e dhjetë dhe e fundit e futbollit anglez.
Dhjetë ditë më vonë, më 25 tetor, në ndeshjen kundër Dussindale & Hellesdon Rovers, erdhi edhe goli historik që e futi përfundimisht në librat e rekordeve.
Me atë realizim, Cureton kurorëzoi një karrierë të jashtëzakonshme: 32 vite futboll, 23 skuadra të ndryshme, mbi 1.000 ndeshje dhe një pasion që nuk është shuar kurrë.
“Çdo gol është po aq i veçantë sa i pari,” – u shpreh ai me emocion për BBC. – “Edhe po të isha në Wembley, do ta festoja njësoj. Është një ndjenjë e pabesueshme.”
Shembulli i Jamie Cureton është një dëshmi e gjallë se në futboll, ashtu si në jetë, nuk ka moshë për të ëndërruar.







