Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), Arben Shehu, raportoi sot në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, Punës dhe Financave mbi veprimtarinë audituese të institucionit për vitin 2024.
KLSH, sipas Shehut, evidentoi shkelje në administrimin e kontratave koncesionare e PPP, me pagesa për shërbime të pakryera dhe angazhime pa fonde në vlerë 6,7 miliardë lekë, ndërsa detyrimet e akumuluara të ndërmarrjeve të ujësjellës kanalizimeve arritën në 30,9 miliardë lekë dhe stoku i detyrimeve të prapambetura në 8,1 miliardë lekë.
Sipas Shehut, KLSH ka realizuar gjithsej 159 misione auditimi në institucionet publike, që përfshijnë auditime financiare, përputhshmërie, performance, të sistemeve IT, të kombinuara, tematike dhe verifikuese.
Shehu bëri të ditur se u zhvilluan 45 auditime financiare, 43 përputhshmërie, 35 të kombinuara, 15 performance, 8 IT dhe 13 për zbatimin e rekomandimeve, duke mbuluar 205 subjekte publike, përfshirë 97 të qeverisjes qendrore, 75 të vetëqeverisjes vendore, 13 institucione të pavarura dhe 20 shoqëri publike me shumicë shtetërore.
Gjatë vitit 2024, KLSH, tha Shehu, ka referuar 13 kallëzime penale dhe ka përcjellë 35 materiale të tjera informuese për çështje që kërkojnë hetim të mëtejshëm nga organet e drejtësisë.
Sipas tij, në bashkitë e audituara u konstatuan prona të paregjistruara, asete pa certifikata pronësie, mungesë harmonizimi të të dhënave kontabël me sistemin e Thesarit dhe shkelje të parimeve të kontabilitetit publik në regjistrimin e detyrimeve.
Auditimet e përputhshmërisë nxorën në pah mosrespektim të kuadrit ligjor në prokurime, menaxhimin buxhetor dhe raportimin fiskal.
Në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, vijoi Shehu, u konstatua stok borxhi doganor prej 47,6 miliardë lekësh, me rikuperim vetëm 1,2% gjatë vitit, dhe dobësi në kontrollin ndaj kontrabandës, çka solli opinion të kualifikuar.
Në Administratën Tatimore, shtoi ai, stoku i borxhit tatimor arriti në 155,2 miliardë lekë për mbi 181 mijë tatimpagues, me shtesë vjetore prej 40 miliardë lekësh dhe 2,35 miliardë jashtë sistemit elektronik.







