Ballina Aktualitet KPA shkarkon përfundimisht ish-gjyqtarin e njohur të Korçës, Besnik Shehu

KPA shkarkon përfundimisht ish-gjyqtarin e njohur të Korçës, Besnik Shehu

69
0

Sot Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar përfundimisht nga detyra gjyqtarin e Korçës, Besnik Shehu, duke lënë në fuqi kështu vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Mimoza Tasi relatore, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 24/2023, datë 05.06.2023, që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Besnik Shehu kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 641, datë 06.04.2023.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:Lënien në fuqi të vendimit nr. 641, datë 06.04.2023 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Besnik Shehu.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

U shpall sot, në Tiranë, më datë 29.10.2025”,- thuhet në njoftimin zyrtar.

Shehu nuk plotësonte 2 kriteret, atë të pastërtisë së figurës dhe profesionalizmin.

Gjithashtu, KPK konstatoi bilanc negativ në vlerën 12.3 milionë lekë për pasurinë e gjyqtarit Shehu, si dhe ngriti dyshime për një transaksion fiktiv me qëllim justifikimin e burimeve të ligjshme në krijimin e pasurive dhe mbulimin e shpenzimeve. Shehu ishte kundër dhe kërkoi çeljen e hetimit në dy kriteret e tjerë të rivlerësimit kalimtar, kërkesë që u rrëzua.

Besnik Shehu e filloi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe punoi prej më shumë se dy dekadash si gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë.