Ballina Politika Kreu i KLSH raporton në Komisionin e Ekonomisë: Problem janë Koncesionet në...

Kreu i KLSH raporton në Komisionin e Ekonomisë: Problem janë Koncesionet në shëndetësi

72
0

Kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, prezantoi raportin e vitit 2024 në Komisionin e përbashkët të Ekonomisë dhe Nismave Qytetare, nga ku ndali vëmendjen te 15 auditimet në fushat me ndjeshmëri publike, si shëndetësia, arsimi dhe shërbimet publike. Në shëndetësi, sipas Shehut, problem kryesor mbeten kontratat koncesionare. Shehu tha se janë konstatuar probleme sa i takon pagesave për koncesionet në shëndetësi, pa u dhënë shërbimi i kontraktuar.

Po kështu, auditimet zbuluan probleme edhe në menaxhimin dhe shpërndarjen e pajisjeve mjekësore, si dhe mungesën e inxhinierëve bio-mjekësorë dhe të kapaciteteve për të trajtuar pacientët me probleme të shëndetit mendor.

Deputetët e opozitës të pranishëm në seancë ngritën shqetësimin edhe për koncesionet në infrastrukturë, Tunelin e Llogarasë dhe Aeroportin e Vlorës, të cilat, sipas tyre, ngrenë hije dyshimi për shpërdorim fondesh dhe nuk ofrojnë siguri për taksapaguesit.
Deputeti Eno Bozdo u ndal te PPP-ja e rrugës Thumanë-Kashar, për të cilën Shehu tha se është në proces auditimi.

Shehu tha se KLSH ka evidentuar problematika edhe sa i takon detyrimeve të papaguara në disa bashki, si dhe largimeve të padrejta nga puna në institucionet qendrore dhe vendore.