Ballina Dossier Letra që Enver Hoxha nuk e lexoi kurrë: Tri gra polake kërkonin...

Letra që Enver Hoxha nuk e lexoi kurrë: Tri gra polake kërkonin të shkonin tek burrat e tyre në Shqipëri

69
0

Ishte viti 1961, një nga më të errëtit në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare të Shqipërisë komuniste. Pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, regjimi i Enver Hoxhës ndërpreu menjëherë çdo lidhje me vendet e Europës Lindore, përfshirë Poloninë, Çekosllovakinë, Hungarinë dhe Bullgarinë. Pasoja nuk ishte vetëm politike apo diplomatike — por thellësisht njerëzore.

Në mes të propagandës së luftës kundër “revizionizmit”, me dhjetëra familje shqiptaro-polake u ndanë papritur e pa mëshirë. Studentë shqiptarë që kishin studiuar në Varshavë apo Krakov, të martuar me vajza polake, u thirrën urgjentisht në Tiranë dhe nuk u lejuan më të ktheheshin tek gratë e tyre. Ndërkohë, gratë mbetën në Poloni me fëmijët e vegjël, në një realitet të paqartë, midis dashurisë dhe mureve ideologjike.

Në nëntor të atij viti, tri prej tyre — Barbara Tasi, Elisabeta Alibali dhe Françiska Nurja — u ulën e shkruan një letër të përbashkët drejtuar “babait të popullit shqiptar”, Enver Hoxhës. Me një gjuhë të përulur, të dhimbshme e plot shpresë, ato kërkonin vetëm një gjë: të lejoheshin të bashkoheshin me burrat e tyre në Shqipëri.

Letra mbërriti në zyrën e Hoxhës. Në krye të saj, me dorë të fortë dhe firmë të njohur, Hysni Kapo shkroi vetëm dy fjalë: “Asnjë përgjigje!”

Ishte vula e heshtjes mbi një dramë njerëzore që regjimi nuk e pranoi kurrë publikisht.

Dërgojnë: Barbara Tasi, Elisabeta Alibali, Françiska Nurja – Poloni

Merr: Enver Hoxha, Sekretar i Parë i P.P.SH.

Tiranë, 8.11.1961

R.144

I dashur shoku Enver Hoxha,

Jemi gra të studentëve, të cilat deri më 30.6.1961 studjuam në Poloni dhe shkuam për pushimet verore në familjet e tyre, në Atdhe. Siç e di dhe shoku Enver, ata mbetën atje.

Mbetëm vetëm me fëmijët e vegjël, në kushte të rënda jetese.

Përveç kësaj, burrat tanë i dashurojmë shumë, prandaj me të gjitha fuqitë dëshirojmë të bashkohemi me ta.

Gjatë një periudhe prej dy muajsh pritem për të marrë pasaportat, dhe tash që i kemi, na ka mbetur një çështje me rëndësi – çështja e vizës.

Shpeshherë shkojmë në Ambasadën Shqiptare në Varshavë. Ajo e di shumë mirë se si ndodhemi dhe pengesat tona, por pa pëlqimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, nuk është në gjendje të na zgjidhë çështjen.

Burrat tanë përpiqen në Atdhe, në Tiranë, për rregullimin e lejeve për ardhjen tonë, por edhe atje, sa herë që shkojnë në Ministrinë e Jashtme, marrin të njëjtën përgjigje: “prisni”. Me një fjalë, presim ne, presin edhe ata.

Ju lutemi shumë që ju pengojmë të merreni me çështjet tona, por për ne kjo është një çështje me rëndësi – çështje e ekzistencës së familjes në mënyrë normale.

I drejtohemi shokut si babait të gjithë popullit shqiptar, si organit më të lartë në Shqipëri, me lutjen e nxehtë për ndërhyrjen tuaj në çështjen tonë.

Kemi besim se shoku, si baba i familjes së tij, e kupton dhimbjen tonë për ndarjen nga burrat dhe e merr parasysh se kemi fëmijë të vegjël, të cilët jemi të detyruara t’i çojmë në kopësht, që bëjnë një jetë të vështirë pa kujdesin prindëror, nuk e kalojnë mirë atje dhe i merr malli për baballarët e tyre.

Përveç asaj që ju shkruam më sipër, edhe një herë, në mënyrë të ngrohtë ju lutemi të ndërhyni për çështjen tonë dhe për përfundimin e saj.

Kemi besim se shoku, si organi më i lartë shtetëror, do ta shqyrtojë çështjen tonë në mënyrë pozitive dhe me padurim presim përgjigjen tuaj.

Letra që Enver Hoxha nuk e lexoi kurrë: Tri gra polake kërkonin