Ballina Kronika ‘Mos e prek kalin se është i acaruar sot’/ Detaje tronditëse nga...

‘Mos e prek kalin se është i acaruar sot’/ Detaje tronditëse nga vrasja me thikë e turistit në Berat

58
0

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur pasditen e djeshme në lagjen ‘Kala’ të qytetit të Beratit, ku një 42-vjeçar humbi jetën pas një konflikti të çastit.

Sipas burimeve zyrtare nga Drejtoria e Policisë Berat, ngjarja ka ndodhur pas një debati të nisur për shkak të një kali. Autori, Kristo Mema, 63 vjeç (i njohur edhe me emrin Kontandin Hoxha), është konfliktuar me viktimën Keli Hoxha, 42 vjeç, banues në Tiranë dhe me origjinë nga Tropoja.

Debati, sipas dëshmisë së autorit, ka nisur pasi viktima kishte prekur kalin e tij. “Mos e prek kalin se është i acaruar sot”, mësohet se ka qenë shprehja që ndezi sherrin mes dy burrave. Mema ka deklaruar në polici se pas kësaj, viktima e ka ofenduar dhe sharë, ndërsa ai, në gjaknxehtësi e sipër, ka nxjerrë thikën që e mbante fshehur në samarin e kalit dhe e ka goditur.

Pas krimit, 63-vjeçari është larguar nga vendngjarja, ka çuar kalin në kasolle, ka marrë disa ushqime dhe është fshehur në një nga shpellat e kalasë, ku më pas u kap nga policia, në zonën e njohur si “Shpella e Memecit”, pranë Kishës së Shën Mëhillit.

Nga ana tjetër, familjarët e viktimës kanë mohuar pretendimet e autorit, duke deklaruar se konflikti ka nisur vetëm sepse Keli Hoxha e kishte prekur kalin dhe se nuk ka pasur as sharje e as ofendime. “Pasi i tha ‘mos e prek kalin’, Keli iu përgjigj ‘s’ka asgjë të keqe’, dhe në atë moment ai e qëlloi me thikë”, thanë ata në dëshminë e tyre.

Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të banorëve dhe dërgimit të tij në Spitalin Rajonal të Beratit, 42-vjeçari nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë pak pas mbërritjes.

Hetimet zbulojnë gjithashtu se Kristo Mema kishte një të kaluar kriminale: në vitin 1993 ai kishte kryer një vrasje në Berat, por pas ngjarjes ishte larguar në Greqi për rreth 25 vjet, ku kishte ndërruar edhe emrin. Për shkak të parashkrimit të dënimit, ai nuk kishte vuajtur asnjë ditë burg për atë krim.

Policia e Beratit po vijon hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të sqaruar motivet e sakta të vrasjes.