Nga Agim Xhafka
U pataksa, u trishtova, por mësova dhe kuptova që jemi të pashpresë. Ja ç’ndodhi. Më në fund stolat te stadiumi “Selman Stërmasi”, që u ishin shkulur dërrasat prej vitesh, u rregulluan. U bënë si të reja, të ulesh me qejf, të shlodhesh e të thuash, o jetë sa e bukur je!
Por ja që sot paradite një çun u sul mbi një stol dhe vrik ia shkuli një dërrasë. Më pas qeshi si histerik. Njësoj u zgërdhinë dhe shokët e tij. Pas dy sekondash mbi stol hypi një djalosh tjetër. E shkuli edhe ai një dërrasë. Stoli po bëhej si ai plaku që në gojë ka veç dy dhëmbë. Një burrë që po kalonte atje u revoltua dhe bërtiti:
-O çuna, a jeni në vete mo, ç’bëni kështu?
Po kaq, jo më shumë. Se gruaja që kish në krah e pickoi dhe i dha “këshillën”:
-Ç’të duhet ty, o burrë? Stolat e tu janë? Mos fut hundët në punëra që s’të takojnë! Oj, ky!
Dhe gati e hoqi zvarrë. Për fat aty po kalonte një polic. Sa pa agresivitetin e djemve, vuri buzën në gaz e me zë melodioz u tha:
-O çuna, po nuk gjetët ndonjë lojë tjetër, mo?! Me dërrasa do e shtyni ditën, -dhe iku.
U largua. Ç’të bëja dhe unë. Ika pas policit. Djemtë i lashë duke u lodhur me dërrasën e fundit.







