Breshia, Itali, nuk është vendi më i dukshëm për një rikthim triumfal të një politikani amerikan të turpëruar.
Por kur Paul Manafort u shfaq në një aktivitet politik atje në prill — më pak se pesë vjet pasi dënimet e tij për krime financiare e lobimi, si edhe ndërhyrje te dëshmitarët, u fshinë nga një falje e Presidentit Donald Trump — shënoi përmbushjen e një udhëtimi të pamundur “rrethor”: nga rregullues global me profil të lartë, në të burgosur federal e mbrapsht.
Manafort ndodhej në qytetin industrial në periferi të Milanos me një klient të ri, në emër të të cilit po përpiqej të inxhinieronte një “rimodelim” politik që sillte ndër mend disa nga projektet e viteve 1980 që e bënë atë një figurë pothuajse mitike në botën fitimprurëse të konsulencës dhe lobimit për fushata të huaja.
Në ato vite, Manafort e ndërtoi emrin duke ndihmuar në “larjen” e reputacionit të figurave të huaja me duar të përgjakura, të cilët i shiste në Uashingtonin e Ronald Reagan si aleatë të Luftës së Ftohtë. Por është një epokë e re në Uashington dhe oferta ka ndryshuar. Në vend të fitimit të përkrahjes së një administrate amerikane duke i paraqitur klientët si shtylla antikomuniste, ai po i pozicionon si shokë armësh të Trump në luftën kundër elitave globaliste dhe “shtetit të thellë”.
Kështu që partneri i tij në aktivitetin e Breshias ishte: Sali Berisha, ish-president dhe kryeministër i Shqipërisë, i cili ishte sanksionuar nga Departamenti i Shtetit i SHBA për “korrupsion domethënës” dhe i akuzuar në një çështje korrupsioni në vendlindje, po kërkonte rikthim në pushtet në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Duke garuar si kryetar i opozitës konservatore kundër Partisë Socialiste në pushtet të kryeministrit Edi Rama, Berisha ishte rizbuluar si një viktimë në stilin e Trump e një “gjuetie shtrigash” nga rivalë vendas dhe globalistë të majtë, përfshirë miliarderin investitor George Soros dhe administratën e presidentit të mëparshëm Joe Biden. Mesazhet, sipas dy personave në dijeni të përpjekjes, u formësuan gjerësisht nga Manafort.
S’ka gjë se për vite me radhë, Berisha kishte qenë një ndërkombëtarist i deklaruar dhe mbrojtës i NATO-s që shprehte vlerësim për Sorosin dhe kultivonte marrëdhënie si me dy presidentët George Bush, ashtu edhe me Bill dhe Hillary Clinton.
Në Breshia, në një takim të emigrantëve shqiptarë që priteshin të votonin në zgjedhjet e ardhshme, përpjekja e Berishës për t’u lidhur me një president amerikan që kishte dalë si lider jozyrtar i një lëvizjeje populiste të djathtë u theksua nga dy operativët që shiheshin pranë tij në rreshtin e parë të një turme ku mbështetësit valëvitnin flamuj italianë e shqiptarë, si edhe ata me stemën e partisë së Berishës.
Në të djathtë të tij ishte bashkë-menaxheri i fushatës së Trump 2024, Chris LaCivita, me një xhaketë të hapur blu të çelët paksa të rrudhur dhe kravatë të varur mbi barkun e tij të gjerë. Në të majtë të Berishës, i dukshëm në formë, me një kostum blu të errët të qepur për mrekulli, kravatë të kuqe dhe buzëqeshje të sigurt nën një kokë me flokë të argjendtë të krehur me kujdes, ishte Manafort. Nëse ndonjë nga votuesit potencialë në turmë kishte probleme me historinë ligjore të operativit dhe faljen gjerësisht të papëlqyer, nuk dihet nëse u shprehën publikisht.
Kjo paraqitje, disa ditë pas 76-vjetorit të Manafort, ishte ndoshta manifestimi më i hapur i një përpjekjeje për të gjeneruar biznes që nisi jo shumë kohë pas faljes.
Hoyos tha se shumica e punës së Manafort pas faljes ka qenë me korporata, jo me klientë politikë. Për shembull, qëkurse Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë, Manafort ka qenë duke këshilluar interesa të kriptos për mënyrën si të lundrojnë në orbitën e Trump.
Megjithatë, në javët pas Ditës së Zgjedhjeve, Manafort, duke nuhatur mundësi, filloi të kërkonte agresivisht interesa populiste të djathta anembanë globit që kërkonin të rreshtoheshin me Trump.
Ndër ata për të cilët Manafort ka eksploruar mundësinë e punës zgjedhore: një miliarder francez që ka mbështetur politikanë anti-imigracion si Marine Le Pen dhe një kryebashkiak ultrakonservator peruan që po synon një fushatë presidenciale vitin e ardhshëm, sipas personave të njohur me përpjekjet e tij.
Në muajt e fundit, Manafort ka këshilluar edhe me partinë e Milorad Dodik, autokratit pro-rus që ka shërbyer si president i territorit vetëqeverisës të Ballkanit, Republika Srpska. Manafort u angazhua për të ndihmuar në përgatitjen për një zgjedhje, sipas katër personave të njohur me punën e tij.
Përgatitjet erdhën teksa Dodik kërkonte ndihmë nga Trump për t’u mbrojtur nga presioni në shumë fronte. Ai po përballet me sanksione në SHBA dhe akuza penale në Bosnjë për mosbindje ndaj zyrtarit ndërkombëtar të ngarkuar me mbikëqyrjen e marrëveshjes së paqes të Dejtonit të vitit 1995, që i dha fund luftës së përgjakshme sektare mes boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve. Dodik, një nacionalist serb, ka mohuar se ushtria e Srpskës kreu gjenocid kundër myslimanëve boshnjakë gjatë asaj lufte.
Qeveria e Dodikut kishte angazhuar një numër aleatësh të Trumpit për të provuar të bindnin administratën amerikane të hiqte sanksionet dhe të tërhiqej nga zbatimi i marrëveshjeve të Dejtonit. Jo ndryshe nga ajo që bëri Manafort me Berishën, mbështetësit amerikanë të Dodikut e kanë paraqitur atë si shënjestër të institucioneve të lidhura me demokratët që synojnë ta ndëshkojnë pse guxon t’u kundërvihet.
Konsulenca e Manafort në Srpska, e cila nuk është raportuar më parë, u fokusua te politika e brendshme dhe jo te sanksionet apo çështjet gjyqësore, sipas personave të njohur me të.
Përfaqësues nga qeveria e Srpskës nuk iu përgjigjën pyetjeve për rolin e Manafort.
Përpjekjet duket se u futën në limbo në fund të muajit të kaluar, kur Dodik bëri koncesione ndaj një vendimi gjykate që kërkonte shkarkimin e tij si president. Edhe pse ai vijoi të sinjalizonte se ende e konsideron veten president, ai njoftoigjatë një paraqitjeje në Rusi se po bekonte një besnik — gjithashtu nën sanksione të SHBA — si kandidatin e preferuar të partisë për ta zëvendësuar në një zgjedhje të posaçme muajin e ardhshëm.
Manafort tha se konsultimi i tij me partinë e Dodikut nuk kishte lidhje me përpjekjen për të ndikuar politikën e SHBA.
Në një deklaratë me shkrim këtë muaj, ai mohoi se ishte takuar me ndokënd në qeverinë e SHBA lidhur me “ndonjë klient të huaj. Unë bëj zgjedhje jashtë vendit, por jo lobim.”
Manafort e bëri emrin në politikë duke ndihmuar në krijimin e një modeli të ri konsulence. Ai përfshinte drejtimin e fushatave politike në SHBA si konsulent dhe pastaj, sapo klientët e tij hynin në zyrë, përpjekjen për t’i ndikuar ata si lobist për interesa të ndryshme korporative. Në vitet 1980 dhe 1990, ai e zgjeroi modelin ndërkombëtarisht, duke arkëtuar miliona dollarë për të drejtuar fushata elektorale ose të marrëdhënieve me publikun për politikanë të huaj dhe gjithashtu duke lobuar për qeveritë e tyre ose grupe në Uashington.
Puna e bëri të pasur, teksa kaloi dekada duke udhëtuar botën e duke grumbulluar dhjetëra miliona dollarë duke përfaqësuar një galeri “keqbërësish” diktatorësh kleptokratë, komandantësh lufte brutalë dhe oligarkësh grykës. Por e bëri edhe famëkeq.
Përfaqësimi nga Manafort i klientëve si diktatori brutal filipinas Ferdinand Marcos dhe udhëheqësi gueril angolez me duar të përgjakura Jonas Savimbi u paraqit dukshëm në një raport të vitit 1992 nga një organizatë vëzhguese të quajtur “Lobimi i Torturuesve.”
Por në rastet e Marcos, Savimbi dhe shumë të tjerëve, Manafort ndihmoi të fitohej mbështetje në Uashington duke i pozicionuar si aleatë të administratave Reagan dhe Bush në rivalitetin global me Bashkimin Sovjetik.
“Nuk kam punuar kurrë me një vend që ishte në kundërshtim me interesat e politikës së jashtme të SHBA. Ky ishte kriteri i vetëm në gjithçka bëmë,” më tha Manafort. “Mënyra si e balancoja ishte: nëse ata ishin në anën e SHBA. Tani, e them në një kuptim të gjerë. Politika e jashtme e SHBA quhet pro-demokraci, por s’është gjithmonë pro-demokraci, është pro-SHBA.”
Për shembull, ai e quajti Savimbin, i cili akuzohej me prova se digjte kundërshtarë në turrat e druve në mitingje publike, “luftëtari i lirisë i Reagan kundër kubanezëve”, të cilët atëherë po ndihmonin qeverinë pro-komuniste të Angolës të luftonte rebelët.
Manafort nisi një fushatë të sofistikuar që e ktheu Savimbin në kauzë të famshme në qarqet republikane, ndërsa zbuti shqetësimet e burokratëve të qeverisë për brutalitetin, fleksibilitetin ideologjik dhe etjen e tij për pushtet. Me asistencë amerikane të lehtësuar nga Manafort, firma e të cilit do të paguhej mbi 5 milionë dollarë në tarifa të raportuara për punën e saj, Savimbi vazhdoi luftën kundër qeverisë angoleze gjatë viteve të Reagan dhe Bush.
Kur Savimbi u vra nga ushtarët e qeverisë së Angolës në 2002, lufta civile që ai kishte ushtruar për tre dekada kishte lënë rreth 500,000 angolezë të vdekur dhe 4 milionë të pastrehë.
Pa asistencën që Manafort siguroi për Savimbin, luftimet gjasat nuk do të zgjatnin kaq shumë — ose nuk do të ishin kaq vdekjeprurëse.
Rreth një muaj pas vdekjes së Savimbi, u nënshkrua një marrëveshje armëpushimi i përhershëm.
Deri atëherë, natyrisht, Lufta e Ftohtë kishte mbaruar — dhe pyetja se cilat butona të shtypeshin për të joshur Uashingtonin ishte bërë shumë më e ndërlikuar.
Konsulenca politike e huaj është një industri fitimprurëse por e turbullt për konsulentët amerikanë. Ata mund të mbledhin pagesa të mëdha nga interesa të turbullta me pak gjurmë dokumentare, pasi kërkesat për raportim të financimit të fushatave në shumicën e vendeve janë më pak të rrepta se në Shtetet e Bashkuara. Dhe, ndonëse konsulentët shpesh shihen nga klientët si një kanal drejt Uashingtonit, puna e konsulencës politike nuk e ndez vetvetiu detyrimin për deklarim në SHBA sipas Aktit për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj (FARA). Ai kërkon vetëm që njerëzit të depozitojnë raporte në Departamentin e Drejtësisë duke detajuar punën e lobimit ose të marrëdhënieve me publikun në SHBA për çështje politike ndërkombëtare.
Manafort nuk është regjistruar sipas aktit për partinë e Berishës apo ndonjë klient tjetër qëkur doli nga burgu. Partia e Berishës do të kërkohet të deklarojë pagesat ndaj konsulentëve të saj amerikanë për punë politike deri më 3 nëntor, sipas komisionit zgjedhor shqiptar.
Veçmas, aleatët e Berishës nënshkruan një kontratë prej 250,000 dollarësh në muaj me një firmë lobimi që ka lidhje me Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, për të provuar heqjen e sanksioneve ndaj politikanit shqiptar.
Gazetari ukrainas dhe deputeti Serhiy Leshchenko tregon një monitor me gjoja një faqe të një libri të jashtëligjshëm kontabiliteti të partisë së ish-presidentit ukrainas Viktor Yanukovych me nënshkrime pagesash për Paul Manafort, gjatë një konference shtypi në Kiev më 19 gusht 2016.
Pyetjet rreth pajtueshmërisë me FARA dhe shpërblimit nuk janë të vogla për Manafort.
Pasi një nga klientët e tij më të paguar — një president i Ukrainës i lidhur me Rusinë — u rrëzua nga pushteti në 2014 nga protesta masive kundër korrupsionit të tij dhe afrimit me Moskën, Manafort filloi të kishte vështirësi në pagesën e faturave. Ai mbeti pas me pagesat e kartave të kreditit, që përfshinin abonimet e tij 210,000 dollarë për sezon për biletat e Yankees dhe shpenzime të tjera. Financat iu shtrinë më tej nga lufta e pasuksesshme për të shmangur akuzat se kishte shkelur FARA-n dhe kishte kryer krime financiare të lidhura me punën në Ukrainë.
Ndërsa punoi në fushatën shqiptare me disa nga anëtarët e të njëjtit ekip që solli në Ukrainë — përfshirë sondazhistin Tony Fabrizio — Manafort thotë se po tregohet i kujdesshëm të shmangë gjithçka që mund të ngjajë qoftë edhe larg me lobim.
E megjithatë, ishte e lehtë të shihej se si përpjekjet e ekipit të tij në Shqipëri mund t’i pëlqenin një audience të caktuar në 1600 Pennsylvania Avenue. Kjo u bë e qartë nga mesazhet e vetë Berishës dhe vendimi i tij jokonvencional për të rekrutuar disa nga bashkëpunëtorët e Manafort — megjithëse jo vetë Manafortin famëkeqisht të tërhequr nga shtypi — për të mbajtur fjalime në fushatë.
Në një fjalim në një zonë rurale të veriut të Shqipërisë, Philip Griffin, një zëvendës prej kohësh i Manafort që kishte punuar krah shefit të tij në Ukrainë, vuri një vijë të drejtpërdrejtë mes kauzës së Trump dhe asaj të Berishës.
“Në Amerikë, socialistët u përpoqën të shkatërronin Donald Trump duke përdorur sistemin ligjor. Por Donald Trump dhe populli amerikan nuk e pranuan, nuk e lejuan,” tha Griffin para një turme që brohoriste duke valëvitur flamuj amerikanë dhe ata të Partisë Demokratike të Berishës. “Këtu në Shqipëri, socialistët po provojnë të njëjtat truke. Dhe jam këtu për t’ju thënë se nuk do të kenë sukses as këtu.”
LaCivita, i cili rekrutoi Manafort si këshilltar të lartë dhe Fabrizion si analist të opinionit publik për t’iu bashkuar ekipit të Berishës, bëri disa paraqitje në Shqipëri në emër të Berishës, duke hapur një fjalim me pyetjen drejtuar turmës: “Kush është gati ta bëjë Shqipërinë përsëri të madhe?” Në një forum tjetër, LaCivita e quajti Ramën “asgjë më shumë se një kukull e George Soros”, dhe e damkosi Berishën si “një mik të vërtetë të Shteteve të Bashkuara, i cili do të punojë me sukses me Presidentin Trump dhe Shtetet e Bashkuara.” LaCivita nuk pranoi të komentonte. Fabrizio nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Ndërsa kandidatët shqiptarë kishin mbështetur konsulentë amerikanë në zgjedhjet e mëparshme, ata nuk kishin qenë kurrë kaq të spikatur, tha Agon Maliqi, analist politik shqiptar dhe studiues në Atlantic Council.
“Këtë herë, mendoj se ishte më në frymën e momentit trumpian — të sjellësh njerëz të lidhur me Trump për të sinjalizuar si brenda vendit ashtu edhe jashtë se kjo është pjesë e një vale të ngjashme, dhe se Shqipëria është pjesë e saj”, tha Maliqi.
I bënte sens Berishës të përpiqej të mbështillej me flamurin e Trump, tha Maliqi, sepse ndjenjat proamerikane janë të thella në Shqipëri, por ai tha se nuk përputhej vërtet me dekadat e pozicionimit politik të Berishës.
“Berisha ka një histori sundimi të dorës së fortë, por si një transatlantikist pro-NATO që admironte Reagan dhe punoi ngushtë me administratat e Bushit, ai përputhet më komod si një republikan klasik” tha Maliqi.
Mund të ishte synuar gjithashtu të frenonte prokurorët shqiptarë që ndiqnin një çështje korrupsioni ndaj Berishës, të lidhur me një aferë toke që përfshinte dhëndrin e tij, meqë zbatimi i ligjit në Shqipëri merr asistencë dhe udhëzime nga qeveria e SHBA.
Me gjasë, kampi i Berishës nuk do ta kishte përqafuar Trumpin po të mos mendonte se do të funksiononte me votuesit realë shqiptarë. Por potenciali për të fituar vullnet të mirë në Uashington është një përfitim shtesë — sidomos sepse, në Uashington, më pak njerëz janë të vetëdijshëm se sa i papajtueshëm tingëllonte retorika MAGA nga një figurë e “establishmentit” si Berisha. Por nëse kjo rizbulim i veçantë mund të duket i çuditshëm për kandidatin, duket krejt natyrshëm për konsulentin e tij.
Ndërkohë që Manafort mbetet në favorin e Trump, ai nuk është as afër rrethit të brendshëm të vendimmarrjes në politikën e jashtme siç ishte nën Reagan apo Bush.
Por formula e paraqitjes së politikanëve të largët si populistë pro-Trump mund të jetë një plan për të fituar favor në Uashingtonin e Trump në të njëjtën mënyrë siç ishte kundërshtimi i komunizmit gjatë administratave Reagan dhe Bush, edhe nëse nuk pati aq ndikim në Shqipëri sa puna e mëhershme e Manafort për Savimbin apo Marcosin.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përgatitet të votojë në një qendër votimi, sipër; votues kontrollojnë emrat në listat zgjedhore në një qendër votimi në Tiranë
Duke hyrë në zgjedhjet parlamentare shqiptare, pati disa përshpirtime se Departamenti i Shtetit mund t’i jepte Berishës një përjashtim që do t’i lejonte të udhëtonte në SHBA pavarësisht sanksioneve. Do të kishte qenë një surprizë e tetorit — përveçse në maj — që aleatët e Berishës parashikonin se do ta shtynte drejt fitores duke afirmuar narrativën se ai kishte lidhje në nivelet më të larta të administratës së Trump që mund të ndihmonin Shqipërinë.
Vetëm se nuk ndodhi.
Sanksionet mbetën në fuqi dhe Berisha humbi keq.
Partia e tij siguroi më pak se një të tretën e votave, më poshtë se performanca në zgjedhjet e fundit. Socialistët, ndërkohë, përfunduan me mbi 53 për qind, duke i zgjatur mandatin Ramës si kryeministër.
Megjithatë, Alfred Lela, zëdhënës i Partisë Demokratike të Shqipërisë, argumentoi se angazhimi i Manafort dhe LaCivita ishte një sukses.
Mbështetës të opozitës shqiptare mbajnë një pankartë që tregon Presidentin e SHBA Donald Trump dhe liderin e opozitës shqiptare Sali Berisha (CR) gjatë një proteste antiqeveritare para Kryeministrisë në Tiranë, 8 shkurt 2025.
“Përmes asistencës së miqve tanë amerikanë, arritëm të demonstronim kapacitetin e Partisë Demokratike për të krijuar një prezencë moderne politike dhe për të promovuar vizionin që të gjithë shqiptarët duhet të gëzojnë të njëjtat mundësi për liri dhe prosperitet që Presidenti Trump po punon t’i sigurojë në Shtetet e Bashkuara dhe anembanë botës,” tha Lela në një deklaratë.
Jo të gjithë qenë kaq bujarë.
Berisha dhe ekipi i tij morën një faqe tjetër nga manuali i Trump, duke pretenduar se zgjedhjet u manipuluan nga socialistët.
LaCivita e amplifikoi pretendimin, ashtu si edhe firma e lobimit e punësuar nga aleatët e Berishës.
Rivlerësimi i kërkuar nga partia e tij gjeti vetëm gabime margjinale në numërimin e votave.
I pyetur nëse pajtohej me pretendimin se zgjedhjet u manipuluan kundër partisë së Berishës, Manafort nuk u përgjigj.
Teknikisht, kontrata mes partisë së Berishës dhe LaCivita-s është ende aktive, por nuk është e qartë nëse lideri i opozitës shqiptare, i cili sapo mbushi 81 vjeç, do të bëjë një tjetër përpjekje për kryeministër.
Ky artikull është përshtatur nga libri i ri i Kenneth Vogel “Devils’ Advocates: The Hidden Story of Rudy Giuliani, Hunter Biden, and the Washington Insiders on the Payrolls of Corrupt Foreign Interests.”/Politico







