Nga Basir Çollaku
Një burrë i moshuar mbi të 80-at e thërriste prej kohësh të shoqen “shpirt” e “zemër”. Por kurrë në emër. Një moshatar i tij mik e pyet:
– Kaq i sevdallosur je ende, duke e thirrur vetëm kështu?!
– Epo – thotë ai, në një moment sizmik të kërkimit të të dhënave në trurin e tij, pronë e sëmundjes – Alzheimeri…!!
Në raportimin e kreut të Strukturës së Posaçme, Altin Dumani, në Kuvend, një nga pyetjet ishte për Olsi Ramën dhe “Xibrakën”, për përfshirjen e tij në këtë procedim për trafik ndërkombëtar droge.
Mes të tjerash, Dumani tha se:
“…SPAK rifilloi hetimet, kreu veprimet e nevojshme dhe, në përfundim, konkludoi me pezullim të hetimeve për shkak se nuk u zbuluan autorët e veprës penale dhe hetimet i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Policisë së Shtetit.”
Çfarë çalon, çfarë nuk shkon dhe çfarë po fshihet në këtë histori, të ngjashme me mjaft të tjera?
Kjo dosje e nisur me gjurmët që në vitin 2014 dhe janar 2015, kur nisën arrestimet, përfoli si një pjesëtar të grupit vëllanë e kryeministrit. Hera e parë një laborator kokaine në Shqipëri. Gjurmët sollën shumë material hetimor. Dekonspirimi në Tiranë solli arratisjen e disa personave në hetim, mes të cilëve një nga krerët, Genc Xhixha, i larguar në Kubë.
Përdorimin më shumë se një herë të makinës së të pandehurve të “Xibrakës” e ka pranuar edhe Olsi Rama, pasi është thirrur për dëshmi. Por deri këtu, pasi krasitjet kishin punuar rrugës. U hetuan e u gjykuan afro 11 persona. Ervin Kondili, sot në SPAK, dhe Olsian Çela, sot Prokuror i Përgjithshëm, ishin prokurorë të çështjes.
Në Apel shkuan të pandehurit, jo prokurorët, ndonëse gjykata dha dënime më të ulëta se kërkesa e tyre. Oficerë policie ka jo pak ndërhyrës e ndërlidhës në këtë dosje.
Pyetja një milionë dollarëshe!!!
Nëpër dosje thuhet, mes të tjerash, se është një person 45-vjeçar, i gjatë, me flokë të prera shkurt, i paidentifikuar.
Pra?!
Nuk e njohin agjentët gjermanë, nuk e njeh Policia e Shtetit, nuk e njohin prokurorët e Krimeve të Rënda, nuk e njeh Gjykata e Shkallës së Parë dhe Apelit të Krimeve të Rënda, Byroja Kombëtare e Hetimit, nuk e njohin prokurorët e SPAK, as Gjykata e Lartë e shprehur me vendim për një nga kërkuesit?!?!
Pika e ujit!!
Këtë individ të përshkruar në detaje e kanë parë sigurisht me foto! Përse të gjithë hetuesit, prokurorët e gjyqtarët nuk kanë kërkuar publikimin e këtyre fotove, për të kërkuar ndihmë nga qytetarët, se mbase dikush këtë anonim do ta identifikonte në pak sekonda?!
Ka vetëm një përgjigje:
Një.
Ata nuk e publikojnë, madje do e kenë fshehur, që të mos bjerë në dorë “të gabuar”.
Kjo vetëm për faktin se e njohin dhe e dinë se kush është. Madje e dinë hollësisht edhe çfarë ka bërë. Por kërkon tani me zell komik Prokuroria Speciale autorin, autorët… Deri kur ai apo ata të bëhen 100 vjeç!!!
Kjo “harresë”, ky Alzheimer i gjithë sistemit për Olsin, është varësia e dukshme nga Edi.
Të tjerat janë dokrra, hi në sy…







