Ballina Aktualitet Raporti i Gallup: 71% e shqiptarëve ndihen të sigurt duke ecur vetëm...

Raporti i Gallup: 71% e shqiptarëve ndihen të sigurt duke ecur vetëm natën

54
0

Raporti i vitit 2025 i Gallup Për Sigurinë Globale (të dhënat për vitin 2024) si rezultat i sondazhit global mbi perceptimin e sigurisë publike arriti në përfundimin se 73% e të rriturve në mbarë botën deklaruan se ndihen të sigurt kur ecin vetëm natën në qytetin ose zonën ku jetojnë.

Ky rezultat përfaqëson një rritje prej tri pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2023 dhe është niveli më i lartë që nga fillimi i matjeve në vitin 2006, duke kaluar rekordin e mëparshëm prej 72% në vitin 2020. Gjithashtu, kjo tregon një rritje prej 13 pikësh gjatë dekadës së fundit, një ndryshim domethënës dhe afatgjatë në perceptimin global të sigurisë personale.

Rezultatet bazohen në intervista me 145,170 të rritur (mosha 15 vjeç e lart) në 144 vende dhe territore, duke ofruar një pasqyrë të gjerë të mënyrës se si njerëzit në mbarë botën e vlerësojnë ndjenjën e tyre të sigurisë.

Nga të dhënat Shqipëria renditet ndër vendet ku ndjenja e sigurisë personale është në nivele të larta, me 71% të të rriturve që ndihen të sigurt duke ecur vetëm natën. Ky rezultat e vendos Shqipërinë në të njëjtin nivel me SHBA-në, Izraelin dhe Maltën dhe mbi shumë vende të tjera të zhvilluara.

Shqipëria në kontekst rajonal dhe global

Në rajon, Shqipëria (71%) qëndron ndjeshëm më lart se Greqia (64%) dhe mbi Bosnjë-Hercegovinën (69%), duke treguar një perceptim më pozitiv për sigurinë publike sesa fqinjët ballkanikë. Në krahasim me Italinë, e cila përfshihet në listën e vendeve me hendekun më të madh gjinor në ndjenjën e sigurisë, Shqipëria paraqitet më mirë në nivel të përgjithshëm, duke reflektuar ndoshta një komunitet më të vogël, më të lidhur socialisht dhe me norma më të ulëta të kriminalitetit të dhunshëm.