Ballina Opinion Sikur Berisha të kishte dëgjuar Bashën për nongratën!

Sikur Berisha të kishte dëgjuar Bashën për nongratën!

84
0

Nga Ermal Peçi 

Në Ballkan, politika është si një shfaqje që nuk mbaron kurrë: aktorët ndërrohen, por skena mbetet e njëjtë. Mjafton të shohësh rastin e Milorad Dodik dhe Sali Berishës për të kuptuar se si dy histori të ngjashme ndahen nga një detaj themelor, refuzimi për t’u larguar me dinjitet.

Së fundmi, Departamenti i Shtetit njoftoi se Dodik është hequr nga lista e zezë amerikane, pasi ai u tërhoq nga politika aktive. Një vendim që nuk është as dhuratë, as harresë, por një mesazh politik: “kur lëshon pushtetin, hap rrugën për reflektim dhe normalizim.”
Në thelb, SHBA-ja dha një sinjal të qartë për gjithë liderët e rajonit edhe për ata që sillen sikur janë të përjetshëm: përulësia përballë shtetit ligjor dhe demokracisë shpërblehet; sfida ndaj tyre ndëshkohet.

Në krahun tjetër të kufirit, Sali Berisha mbetet në “listën e zezë” amerikane dhe britanike, i izoluar, i mbyllur në një bunker politik që tashmë e ka kthyer PD-në në një armatë të mbijetuarish që luftojnë jo për pushtet, por për mbrojtjen e një njeriu të vetëm.
Kjo është diferenca mes Dodik dhe Berishës: i pari kuptoi që era ka ndryshuar; i dyti pret që era të kthehet në kahun e tij.

Dodik, nacionalist i njohur, u bë simbol i rezistencës ndaj Perëndimit, por në fund, zgjodhi të dalë nga skena me një kompromis politik. Ai pranoi se pa SHBA-në dhe Bashkimin Europian, çdo tentativë për “anarki boshnjake” është një ëndërr që mbaron keq.
Berisha, në të kundërt, ka ndërtuar një narrativë martiri, ku e sheh veten si viktimë të një “komploti ndërkombëtar”. Ai nuk pranon asnjë lloj përgjegjësie, as për korrupsionin, as për ndarjen e opozitës, as për prishjen e marrëdhënieve me aleatët historikë të Shqipërisë.

Ndoshta më domethënëse është fjala e Lulzim Bashës, i cili dikur i kërkoi publikisht Berishës të bëjë një hap pas që të “negociohej një zbutje e qëndrimeve ndërkombëtare ndaj tij.”
Ishte një thirrje që sot tingëllon profetike për demokratët : nëse Berisha do të kishte zgjedhur daljen e butë, sot PD mund të ishte në pushtet dhe jo në luftë për ekzistencë.
Nëse do të kishte pranuar të bënte një hap pas , ndoshta do të ishte edhe ai, si Dodik, në një “listë të bardhë” të kujtesës politike, jo të ndëshkimit.

Berisha zgjodhi tjetër rrugë. Rrugën e përplasjes, të viktimizimit, të një lufte që e di se nuk ka fitore. Për këtë arsye, çdo ditë që kalon, ai po e thellon hendekun mes vetes dhe atyre që dikur e shihnin si simbol të demokracisë shqiptare.

Në fund, çështja nuk është më nëse SHBA do ta heqë Berishën nga lista e zezë.
Çështja është nëse Berisha do ta heqë veten nga lista e zezë e historisë.

Koha i fal gabimet, por nuk fal ata që nuk dinë të ndalen. Historia, në Ballkan apo gjetkë, nuk e shpërblen kurrë këmbënguljen në gabim ajo nderon vetëm ata që dinë të dalin nga skena në kohë. Dodik e bëri. Berisha jo.

Ndaj, sot kemi një “listë të bardhë” që fshin mëkatet e tërheqjes, dhe një “listë të zezë” që vulos kokëfortësinë e mbetjes.
Mes këtyre dy emrave, më shumë se një kufi politik, qëndron një mësim që çdo lider ballkanik duhet ta dëgjojë:
Kur Amerika mbyll derën, nuk është një pafundësi por ajo nuk hapet kurrë me forcë, vetëm me përulësi dhe duke bërë një hap pas.