Ballina Bota Soros financoi prindërit e Mamdanit që në vitin 2004/ Zbulohen lidhjet e...

Soros financoi prindërit e Mamdanit që në vitin 2004/ Zbulohen lidhjet e ngushta familjare

90
0

Ai nuk ka fituar ende, dhe disa nga mbështetësit e tij më të zhurmshëm, tashmë po e pranojnë se do t’i duhet ndihmë.

Në tubimin e së dielës “Nju Jorku nuk është në shitje”, në stadiumin ‘Forest Hills’ në Queens, senatori Bernie Sanders i tha turmës së mbështetësve entuziastë të Zohran Mamdanit se, duke pasur parasysh përmasat e problemeve me të cilat përballet, idhulli i tyre – dhe ndjekësi i tij – “nuk do t’i ketë të gjitha përgjigjet”.

Ai shtoi: “Ju lutem, bëni gjithçka që mundeni për të punuar me Zohran-in, në mënyrë që ta bëni atë dhe administratën e tij më të mirën në historinë e Nju Jorkut”.

Ishte një deklaratë e çuditshme dhe aspak një votë besimi pa kushte. Disa madje mund të thonë se kishte një nuancë dëshpërimi. Si një nga kandidatët më pa përvojë në kujtesën e afërt që ka kandiduar ndonjëherë për kryebashkiak të Nju Jorkut – e lëre më ta fitojë – Mamdani me siguri do të ketë nevojë për këshilla.

Energjia dhe karizma e tij – për të mos përmendur dobësinë fatale të kundërshtarëve të tij – mund ta shtyjnë atë drejt fitores, por pikërisht aty do të fillojë puna e vërtetë për 34-vjeçarin, përvoja e mëparshme politike e të cilit përfshin vetëm tre nga 20 projektligjet që ai ka sponsorizuar në Asamblenë e Shtetit të Nju Jorkut.

E kujt mund t’i drejtohet ai për mbështetje?

Ekipi i Zohranit bën çmos për ta paraqitur atë si një frymëmarrje të re në politikën e lodhur amerikane – një politikan që s’i detyrohet as miliarderëve që i kritikon shpesh, as interesave të tjera të fuqishme – “jo demokrat”, thonë me krenari më idealistët mes tyre, “por një socialist demokratik”.

Megjithatë, ai ka lidhje të ngushta me një rrjet demokratësh të fuqishëm dhe, po, të pasur – përfshirë Barack Obamën dhe investitorin miliarder George Soros – ndikimi i të cilëve mbi Mamdanin mund t’i bëjë mbështetësit e tij “anti-establishment” dhe “kundër të pasurve” të ndihen paksa në siklet.

Soros, financieri 95-vjeçar që u bë famëkeq si “Njeriu që e rrëzoi Bankën e Anglisë” për shkak të bastit të tij të madh kundër sterlinës gjatë krizës monetare të Mbretërisë së Bashkuar në vitin 1992, ka mbushur në heshtje arkat e organizatave që mbështesin fushatën e Mamdanit.

‘The New York Post’ zbuloi këtë verë se që nga viti 2016, rrjeti filantropik prej 25 miliardë dollarësh i Soros-it, ‘Open Society Foundations’ (OSF), kishte “kanalizuar në mënyrë indirekte” gjithsej 37 milionë dollarë drejt ‘Working Families Party’ dhe të paktën nëntë organizatave të tjera, mbështetja politike e të cilave ndihmoi Mamdanin të mundë ish-guvernatorin Andrew Cuomo për nominimin e Partisë Demokratike për kryebashkiak të Nju Jorkut.

Dhe lidhjet mes Soros-it dhe Mamdanit shkojnë edhe më mbrapa në kohë. Në vitin 2004, nëna milionere e Mamdanit, regjisorja fituese e Oscar-it Mira Nair, themeloi në Ugandë një shkollë të quajtur ‘Maisha Film Lab’, që ofron bursa për kineastë të rinj dhe financohet pjesërisht nga OSF-ja e Soros-it.

Grupi i Soros-it gjithashtu ka ndihmuar në financimin e punës akademike të babait të tij, historianit të majtë Mahmood Mamdani. Midis viteve 2020 dhe 2023, organizata i dha 620.000 dollarë universitetit Makerere në kryeqytetin ugandez, Kampala, ku Mamdani drejtonte qendrën kërkimore të politikave sociale. Kjo qendër mori edhe grantin më të madh të vetëm nga Soros, plot 450.000 dollarë, për projektin “dekolonizimi i dijes në Afrikë dhe në akademinë afrikane”.

Soros – shpesh shënjestër e teorive të shumta konspirative që e portretizojnë si një “kukull të errët” që kontrollon fshehurazi ekonominë globale – ia dorëzoi drejtimin e OSF-së në vitin 2023 djalit të tij Alex, i cili ndjek të njëjtat vlera dhe përparësi si i ati.

“Ndërsa Zohran Mamdani sulmon krijuesit e vendeve të punës dhe flet kundër pasurisë, e vërteta është se ai po përfiton nga miliona dollarë mbështetje nga miliarderë dhe nga rrjeti jofitimprurës prej të cilit pretendon se qëndron i pavarur,” tha ish-rivali i Mamdanit, kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams, për lidhjet mes OSF dhe fushatës.

Kandidati republikan për kryebashkiak, Curtis Sliwa, gjithashtu e akuzoi Mamdanin se kërkon të heqë qafe vetëm miliarderët “që nuk financojnë axhendën e tij radikale”. Ai shtoi: “Nëse je George Soros apo pjesë e klasës së donatorëve të majtë ekstrem, merr falje dhe një vend në tryezë”.

Dhe kush ishte në krye të ‘Open Society Foundations’ për pjesën më të madhe të kohës që ajo tregonte bujari ndaj mbështetësve të Mamdanit? Një njeri i quajtur Patrick Gaspard, i cili ishte president i OSF për tre vjet deri në dhjetor 2020 dhe u shpërblye aq mirë sa fitoi mbi 1 milion dollarë vetëm në vitin 2020.

Sot, Gaspard – ish-drejtor ekzekutiv i Komitetit Kombëtar Demokratik dhe më vonë ambasador i SHBA në Afrikën e Jugut – është një këshilltar jozyrtar, por gjithnjë e më i afërt i Mamdanit, dhe ka qenë i tillë për më shumë se një vit.

Dhe Gaspard nuk është vetëm i afërt me Soros-in – ai është gjithashtu i lidhur ngushtë me Barack Obamën, për të cilin shërbeu si drejtor politik kombëtar në vitin 2008. Nuk është sekret që Obama ka ruajtur një interes të fortë për fatin e partisë së tij që prej largimit nga Shtëpia e Bardhë. Megjithatë, për shumë mbështetës të Mamdanit, mund të jetë më pak e njohur se ish-presidenti dhe ndihmësit e tij më të afërt kanë ndërtuar në heshtje lidhje me një kandidat për kryebashkiak që shumë e kanë krahasuar me vetë Obamën.

Pasi Mamdani fitoi zgjedhjet paraprake për kryebashkiak të Nju Jorkut në qershor, disa nga demokratët më të lartë vazhduan të distancoheshin nga kandidati radikal që e shihnin si përçarës dhe, nga ana e politikave, potencialisht katastrofik për partinë — por Obama mori telefonin për t’u lidhur me të.

Sipas ‘New York Times’, në një “telefonatë të gjatë” në qershor, Obama “e uroi zotin Mamdani, i dha këshilla për qeverisjen dhe foli për rëndësinë e dhënies së shpresës njerëzve në një kohë të errët”.

Edhe pse përpjekjet energjike të Obamës dhe bashkëshortes së tij, Michelle, për vetëpasurim – pasuria e tyre vlerësohet deri në 135 milionë dollarë – nuk mund t’i bëjnë shumë për vete fansat e Mamdanit që brohorasin “Tax the Rich” (“Tatoni të pasurit”), ish-presidenti mbetet përgjithësisht i pëlqyer mes demokratëve. Kështu që çdo fjalë e mirë prej tij është një ndihmë e madhe për fushatën e Mamdanit, e cila është përballur me hezitim nga demokratët e tjerë të “establishmentit”.

Disa nga ish-bashkëpunëtorët më të ngushtë të Obamës u afruan gjithashtu me kampin e Mamdanit rreth të njëjtës kohë. Jon Favreau, ish-shkrimtari i fjalimeve të Obamës, dhe ish-këshilltari i lartë Dan Pfeiffer, kontaktuan me Morris Katz, njërin nga ndihmësit më të afërt të Mamdanit. Ndërsa në korrik, David Axelrod, strategu kryesor i fushatës së Obamës, shkoi aq larg sa të vizitonte selinë e fushatës së Mamdanit në Manhattan, ku u takua me kandidatin dhe stafin e tij më të lartë.

Axelrod i tha ‘New York Times’ se ishte i impresionuar, duke thënë se kishte gjetur “një shpirt të njohur që s’e kisha parë prej kohësh – një idealizëm këmbëngulës e optimist”.

“Ti mund të mos pajtohesh me çdo përgjigje që jep apo me çdo ide që ka,” tha ai, “por ai padyshim po bën pyetjet e duhura – si mund ta bëjmë vendin të funksionojë për njerëzit që punojnë?”

Duke i nxitur demokratët ta përqafojnë Mamdanin në vend që ta dënojnë, Axelrod e bëri të qartë se partisë i duhet pak nga stili i Mamdanit dhe s’duhet të kapet pas politikave të tij.

Në vend që ta hedhin poshtë platformën e Mamdanit si “të parealizueshme, të papërballueshme dhe anti-biznes”, demokratët duhet të mësojnë prej tij, tha Axelrod për ‘Chicago Sun Times’.

“Reagimi i gabuar është ai instinktiv: të thuash se socializmi demokratik… është një kërcënim që do të na shkatërrojë,” tha ai. “Socializmi demokratik… është progresivizëm”.

Por, për gjithë këtë fjalë për barazi dhe drejtësi, bota brenda rrethit të demokratëve mbetet po ajo e vjetra dhe e ngrohtë – e lidhjeve dhe e rrotullimeve të zakonshme.

Në qershor u zbulua se një agjenci konsulence strategjish mediatike – ‘Debra Schommer Media Group’, me qendër në Los Anxhelos – e cila ka punuar në fushatat e kaluara të Obamës dhe drejtohet nga një ish-drejtore e planifikimit dhe blerjes së mediave për një firmë konsulence të themeluar nga David Axelrod dhe ish-këshilltari tjetër i Obamës, David Plouffe, është paguar kohët e fundit më shumë se 3 milionë dollarë për punën në reklamat televizive të Mamdanit, prodhimin TV dhe fushatat dixhitale.

Adhuruesit idealistë të Mamdanit, që presin prej tij një shkëputje të madhe nga pazaret dhe klanet në majat e politikës amerikane, mund të zhgënjehen.

“Njerëzit e zakonshëm kanë vetëm një votë,” tha Bernie Sanders në tubimin e Mamdanit të dielën. “Ndërkohë, miliarderët kanë mundësinë të shpenzojnë aq sa duan për të zgjedhur kandidatët që duan. Kjo është sfida e konteksti në të cilin po zhvillohet ky votim”.

Thjesht duket se disa milionerë dhe miliarderë të fuqishëm nuk janë edhe aq të papranueshëm sa disa të tjerë./  DAILY MAIL