Dy raporte, dy qëndrime për fatin e Niko Peleshit në krye te Kuvendit.
Ne raportin e Partisë Demokratike ku rendit 5 shkelje që në bindjen e demokratëve janë shkak për ndërprerjen e mandatit te kryeparlamentarit.
Akuza kryesore për shkarkim e Niko Peleshit, është qëndrimi i njëanshëm i kryeparlamentarit ne shërbim te partisë që e ka vendosur në krye te piramidës se shtetit duke shndërruar Kuvendin në “teatër kukullash” me dirigjent shefin e tij politik.
“Fakti që Kryeministrin e kanë lëshuar nervat, është i lodhur dhe ndjehet i padenjë për të përballuar debatin parlamentar, nuk mund të nënkuptojë kurrë që ai mund t’i caktojë linjën e sjelljes deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, apo mund të vijë në seancë plenare dhe të sillet siç dëshiron në kundërshtim me Kushtetutën. Salla e seancës plenare nuk mund të shndërrohet nga një Kryeministër karagjoz në një “teatër kukullash”,- citohet ne raportin e PD.
Demokratët i referohen dy seancave specifikisht të 16 shtatorit e thirrur dhe drejtuar sipas tyre në kundërshtim me afatet e parashikuara në Kushtetutë dhe Rregullore, ku u miratuan projektvendime me procedurë të përshpejtuar pa respektuar afatet, si dhe seancën e 18 shtatorit ku sipas raportit kreu i Kuvendit nuk i ka lejuar opozitës të diskutojë për programin politik dhe përbërjen e Qeverisë duke ia kaluar fjalën “Diellës”, ministres virtuale.
“Kushtetuta e Shqipërisë, ashtu si edhe Rregullorja e Kuvendit në frymë dhe në gërmë, kanë sanksionuar statusin dhe figurën e Kryetarit të Kuvendit, si person që qëndron mbi palët dhe shërben për zgjidhjen dhe ndërmjetësimin e problemeve që mund të krijohen gjatë aktivitetit parlamentar, megjithëse fillimisht propozohet dhe zgjidhet nga një palë politike e caktuar. Nga faktet, e drejta e aplikueshme dhe analiza ligjore është e qartë se Z. Niko Peleshi nuk përmbush këtë status të veçantë, pasi me sjelljet, veprimet dhe mosveprimet e tij kanë treguar sjellje krejtësisht të njëanshme, që nxit tensionin dhe konfliktin ndërmjet palëve, duke pamundësuar zhvillimin normal të debatit parlamentar”, thuhet ne raport.
Raporti i PD ashtu si i PS do hidhet për votim ne seancën e se enjtes, por kërkesa e opozitës është thjesht një akt politik, pasi për të shkarkuar kryetarin e Kuvendit duhen 71 vota pro.







