Bulevard news*
Shumëkush ia ka lakmi aktorit shumë të njohur të humorit shqiptar Edmond Halili i cili në 40 vitet e tij në skenë ka pasur fatin të qëndrojë përkrah artistëve, këngëtarëve, humoristëve dhe instrumentistëve më të mëdhenj të estradës. Mondi siç edhe e therrasin gjithandej në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe diasporën shqiptare në Itali, Zvicer,Angli e Gjermani ka ndarë emocione të papërsëritshme me emra të mëdhenj si: Tano Banushi, Paulin Preka, Osman Mula, Zeliha Miloti, Gëzim Kruja, Zef Deda dhe këngëtarët plot famë të muzikës popullore dhe të lehtë Bin Ndoji, Bashkim Alibali, Bujar Qamili, Myfarete Laze, motrat Libohova, Shyqyri Alushin, Naile Hoxha, Artiola Toska, Aurela Gaçe, Ismet Peja, Sabri Fejzullahu, … Karriera e tij është shumë e pasur, me një galeri të pafund në role e personazhe. Publiku e adhuron pa masë veç tjerash edhe ngase humori i tij ka qenë qytetar, i emancipuar, larg banaliteteve dhe vulgariteteve, me mesazhe të qarta dhe të larmishme. Përgjithësisht admiruesit e estradës e përshëndesin duke i kujtuar personazhin, rolin. Kështu ka ndodhur në çdo vend dhe në çdo sallë, ngado ku ka qenë pjesë e festivaleve dhe koncerteve, apo edhe sot në turne brenda e jashtë vendi. Jeta e Halilit është një dokumentar me shumë episode, me shumë stacione, me mjaft peripeci dhe udhëkryqe. Interpretues i vlerave më të mira të skenës, në saj të fantazisë, shpirtit krijues dhe intuitës renditet në rradhën e aktorëve më të mëdhenj shqiptar duke i bërë nder vetes dhe respekt të veçantë Shkodrës. Personazh komik në skenë dhe shumë serioz e i përkushtuar në shoqëri, i prirur kurdoherë nga arsyeja dhe logjika e qetë.
Ngjitja në skenë
Pak kohë pasi pajtohet në punë Mond Halili kishte tërhequr vëmendjen e kolektivit tek ndërmarrja metalike në Shkodër me humorin e tij të gjallë, plot nuanca dhe shumë të pasur. Ishte vetëm 19 vjeç në kohën që do të zgjidhet si artist amator për të marrë pjesë në festivalin që zhvillohej mes ndërmarrjeve, institucioneve dhe kooperativa. Zbulimin e kishin bërë vet punëtorët, teknikët dhe specialistët të cilët e prisnin me shumë admirim takimin me Halilin i cili nuk kursente të manifestonte që në të gdhirë të gjithë kulturën humoristike dhe imituese për të argëtuar këdo në ndërmarrje. Në të gjitha sektorët e metalikut emri i djaloshit Mond Halili ishte bërë i dëgjuar. Ishin pikërisht ata që ndikuan dhe e bindën regjisorin e ndërmarrjes i quajtur Petrit Gega për ta përfshirë në grupin e festivalit. Vet Gega ishte i talentuar në fizarmonikë, së cilës i binte shpesh herë pasi kryente punën si motorist në ndërmarrje duke mbledhur rreth vetes mekanikët, tornitorët, teknikët… Metalikja krijoi një nga grupet më të mira dhe u paraqit shumë mirë në festivalin e zhvilluar në vitin 1974 duke marrë edhe çmimin e parë, ndërsa Flamurin e mori grupi me artistët amatorë të ndërmarrjes së duhanit dhe cigareve në të cilën ishte regjisor Gëzim Kruja, artist dhe talent i rrallë në artin shqiptar. Festivali u zhvillua në teatrin “Migjeni” dhe në këtë ballafaqim të parë me dashamirësit e këngës, humorit dhe valleve Mond Halili do të veçohet si më i miri aktor nga të gjitha grupet. Juria përbëhej nga mjeshtrat e skenës shkodrane si Gjosho Çarkaxhiu, Kolec Pepa, Tano Banushi. Për Halilin ishte hera e parë e prezantimit në të tilla takime. Ballafaqimi i suksesshëm do e bindë se rruga e artit për të ishte jo vetëm e mundur, por edhe e pashmangshme. Themeluesit e estradës së Shkodrës së pasçlirimit do ta adhurojnë pa masë ardhjen në skenë të 19-vjeçarit duke i bërë vend në mesin e tyre. Kjo e ngrohu shumë Halilin të cilit iu përforcua besimi dhe vullneti për t’iu përkushtuar estradës. Kjo qe e para herë që e shikonte publikun nga një podium i ngritur në mjediset e teatirit “Migjeni”, podium që quhej skenë dhe me të cilën do të ndajë më pas përjetime të pafundme në rrugën e nisur. I riu filloi të bëhej pjesë e bisedave në tryezat e artistëve amatorë dhe profesionistë, në gojën e regjisorëve dhe të publikut shkodran, aq shumë të dhënë pas humorit.
Klubet artistike
Me të përfunduar shërbimin ushtarak rikthehet në Shkodër, këtë herë në ndërmarrjen e ndërtimit “Muhamet Gjollesha”. Edhe këtu aktivizohet me estradën duke u bërë pjesë e artistëve më në zë në rradhët e grupeve pjesmarrëse në festival. Regjisori Hilmi Tukja i klubit “Rinia” kërkoi gjithandej talentet nëpër ndërmarrje dhe institucione. Në këtë klub që ishte edhe simboli e sinonim i gjallërisë artistike të jetës qytetare në Shkodër, ushtronin aktivitet humoristë, këngëtarë, valltarë e instrumentisit shumë të dëgjuar si: humoristët Zef Deda, Gjosho Vasia, Mark Lëkunda; këngëtarët Bashkim Alibali, Eduart Jubani, Bujar Qamili, Violeta Zefi; instrumentistët Osman Mula, Luan Borova; aktorët Moisi Preka, Aleks Selmani, Kol Kakariçi, Gëzim Kruja. Klubi “Rinia” ishte shtëpi për të gjithë këta artistë ngase çdonjëri prej tyre, pasi mbronte 8-orëshin në punë, niste përgatitjet në mjediset e klubit duke qëndruar deri në mesnatë. Klubi qe bërthama më e madhe e grumbullimit të talenteve, e promovimit të vlerave dhe e argëtimit të publikut. Kësaj plejade artistësh iu bashkëngjit Mond Halili i cili do ia dedikojë hapat e parë të suksesit drejtorit të klubit Nard Bushatit dhe regjistorit Tukja të cilët e përzgjodhën dhe i dhanë lirinë e ngjitjes në skenë. Klubi ishte krijuar diku rreth vitit 1959-1960 dhe humoristi i talentuar Halili do e gjejë në moshë të rritur dhe të pjekur këtë institucion që prodhonte art si asnjë klub tjetër në Shqipëri. Të përzgjedhur në saj të një përpjekje shumë të gjatë dhe serioze, klubi “Rinia” admirohet pa masë nga qytetarët të cilët e prisnin me padurim mbërritjen e artistëve. Çdo fshat e zonë, ndërmarrje, institucion, shkollë, repart ushtarak pati kënaqësinë të shijojë një pas një vlerat e artit të dhuruara nga artistët e klubit. Turnetë e tyre u kthyen në traditë për të përcjellë humorin, këngën dhe vallen shkodrane në të gjitha trevat shqiptare, në Veri e në Jug. E pamundur të gjendej një cep në Shqipëri që artistët shkodranë të mos kishin ngritur peshë admiruesit. Aktori Halili që në të parat ngjitje në skenë nisi t’u tregonte adhuruesve cilësitë e vyera si artist, humorist e imitues. Simpatia ndaj tij vinte e zgjerohej sa herë që trupa e klubit “Rinia” trokiste në një tjetër qytet, në një tjetër fshat a ndërmarrje. Turnetë jashtë Shkodre zgjasnin dhjetë ditë. Veç artistëve që ishin pjesë e grupit “Rinia” merreshin edhe këngëtarë, aktorë dhe valltarë të qytetit pritës, veprim që ndikonte pa masë në harmonizimin dhe përjetimin më të mirë të mesazhit që artistët përcillnin.
Përkrah të mëdhenjve
Mond Halili në një periudhë shumë të shkurtër do të bëjë kapërcimin e madh. Me t’u bërë pjesë e pallatit të kulturës së qytetit të Shkodrës “Vasil Shanto” përfshihet në rrethin solid të trupës. Pallati mbahej me emra shumë cilësorë në estradë si Gjosho Vasia, Mërgim Muja, Gëzim Kruja. Drejtori pallatit Marin Shestani thithi elementët më të mirë me synimin për të ndërtuar një trupë profesioniste dhe me jo shumë sakrfica ia arriti. Kjo ndodhi ngase artistët kishin bërë karrierë dhe skena për ta ishte e pazëvendësueshme. Regjisori Verdi Take, vëllai i këngëtares së talentuar Anita Take, dhe shefi muzikës Nazmi Lishi do e ngrenë cilësinë e trupës e cila pati marrë formë dhe përmbajtje shumë të veçantë. Mond Halili qe brezi i të rinjve që aderuan duke u sinkronizuar më së miri me artistët lider. Të kësaj kohe janë edhe Bashkim Alibali. Mukadese Çanga, Violeta Zefi, Bujar Qamili,… Halili sa herë që rrëfen për ato vite nuk harron të pohojë se i druhet shumë merakut nëse do të jetë në gjendje të kujtojë emër për emër të gjitha ata artistë që e ngritën shumë lart zërin e pallatit të kulturës “Vasil Shanto”. Për vite e vite me rradhë mblidheshin në një qytet të gjitha pallatet e kulturës nga e gjithë Shqipëria dhe për ditë me rradhë manifestonin përgatitjet. Festivale të tilla organizoheshin në Fushë Arrës të Pukës, brenda në Pukë, Kukës, Tropojë të vjetër e në Bajram Curri, Peshkopi, Rrëshen. Aktori Halili, mjeshtër në skenë, bënte për vete çdo kënd. Humori i tij ishte jashtëzakonisht i pasur, me mesazhe të forta dhe shumë i kulturuar. Ai kujton se regjisorët punonin shumë për të zgjedhur pjesët, shumë prej të cilave ishin krijime ndërsa në jo pak raste kërkohej e gërmohej edhe nga humori botëror dhe humoristët e njohur jashtë kufijve të Shqipërisë. Në të tilla festivale Edmond Halili, mori 15 diploma të cilat ishin shprehje e drejtpërdrejtë e vlerësimit që i bëhej artistit për nivelin e interpretimit. Festival pas festivali shpallet aktori më i mirë dhe një vlerësim i tillë i rrit shumë këmbënguljen për të tjera nisma. Rolet, pjesët, episodet, imitimet kanë qenë me përmbajtje të larmishme. Ato janë marrë nga jeta e përditshme, jeta patriarkale, veset e shoqërisë. Aktori Halili kujton se në pjesën më të madhe të roleve ka qenë personazh negativ, ka dalë në skenë si bartës i vetive joqytetare dhe prototip i pandreqshëm, njeri i së keqes. Ndër më të veçantat janë roli hileqarit, stimulantit, matrapazit, shpërdoruesit, dembelit, rojes hajdut, pijanecit, servilit, llafazanit. Çdonjërën prej tyre e ka interepretuar me seriozitetin më të lartë, me përkushtimin më të madh dhe ka mundur të marrë shumë e shumë simpati e duartrokitje. Suksesin Halili e lidh në mënyrë të drejtpërdrejtë me punën dhe vullnetin. Për të si njëra edhe tjetra janë të rëndësishme dhe vendimtare në suksesin e artistit. Megjithatë aktori i dhjetra e dhjetra roleve, në rastet teksa lypset për të renditur se çfarë e bën të padiskutuar suksesin, pohon se talenti është në ballë. Halili ka prodhur personazhe komik e tragjik në skenë shumë prej të cilëve mbeten edhe sot, ndonëse kanë kaluar edhe 30 a më shumë vite. Të kësaj periudhe janë edhe përpjekjet dhe suksesi që Mond Halili do të korrë në dramë dhe komedi. Janë vitet e bashkëpunimit me Tano banushin, Paulin Prekën, Zeliha Milotin, Gëzim Krujën, Zef Dedën, Tef Palushin.
Në skenë si profesionist
Vitet 1990 do i sjellin aktorit gjallëri dhe famë. Për tetë vite me rradhë ishte ngjitur në skenë i mpirë nga meraku se ndokush do e kapte përkrahu dhe do e dëbonte duke i kujtuar se i përkiste asaj shtrese shoqërore të padëshiruar për regjimin. Më shumë se gatimi i llaçit dhe betonit gjithë ditën, e mundonte meraku për të qenë i lirë, për t’u ngjitur me dinjitet në skenë dhe i patrazuar e i patundur nga asnjë lloj meraku. Sapo në Shqipëri kishin nisur proceset e para demokratike, aktorin e lënë në hije, e thërrasin në komitetin ekzekutiv, institucioni që kishte në dorë jo vetëm punën dhe karrierën e çdokuj, por edhe jetën e çdonjërit. Saktësisht kështu ishte deri në vitet 1990. Kishte ndodhur përmbysja e madhe. Shkodra e kishte ndier ndër të parat ardhjen e demokracisë. Në krye të institucioneve, edhe në komitetin ekzekutiv, kishin ardhur njerëz të cilët kishin vuajtur për vite e vite në burgje e biruca për shkak të bindjeve politike. Ndër ta Halili kujton kryetarin e të të përndjekurve politik Ferit Tarja, i burgosur në Spaç për 25 vite. Atje, në komitetin ekzekutiv i japin një zarf dhe i bëjnë të ditur se duhej ta dërgonte në dorën e drejtorit të teatrit “Migjeni”. Zarfi qe i hapur, por Halili, në shenjë besnikërie, nuk pranon të mësojë se ç’ishte shënuar në shkresë. Me t’ia lënë në dorë titullarit të teatrit, drejtori Feizi Shapiu, i kthehet me shumë admirim duke e përgëzuar. Aty mëson se diçka e mirë kishte ndodhur. Shkresa emëronte aktor profesionist në teatrin “Migjeni” aktorin Mond Halili. E papritur për të pasi nuk kishte bërë as përpjekjen më të vogël për të arritur deri këtu. Shumë e rëndësishme për aktorin ishte liria e fituar, e drejta për të folur lirshëm dhe i papërgjuar nga askush. Këtu nis edhe karriera më e pasur, më e frytshme dhe më e gjatë e tij. Që nga kjo kohë Halili bëhet protagonist kyç në ekranet e televizionit, në mikrofonet e radiove, në faqet e gazetave dhe të revistave. Për Halilin ditët në teatrin “Migjeni” do të ecnin shumë shpejt. E kishte ëndërruar dhe ia arriti të ishte i barabartë me protagonistët e humorit dhe të artit shkodran si Tano Banushi, Paulin Preka, Zeliha Miloti, Zef Deda, Besnik Qinari, Katrina Biga, Drane Xhaji. Nga ditët e para të demokracisë dhe deri në vitin 2002 në përbërje të estradës së teatrit “Migjeni” do të riniste turnetë e pambarim nëpër Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në diasporën shqiptare. I besohen role shumë me peshë, ndërsa bëhet edhe protagonisti kyç në estradë. Dalja e estradës “Migjeni” për herë të parë jashte vendi qe udhëtimi për në trojet shqiptare në Maqedoni në vitin 1992 duke shfrytëzuar ftesën që iu bë artistëve shkodranë. Halili kujton se ka qenë një nga udhëtimet më impresionues duke sjellë madje edhe episode mallëngjyese të cilat kishin në fokus mallin e madh që shqiptarët e atjeshëm kishin për Shqipërinë dhe artin shqiptar. Për 3 javë shëtitën dhe dhanë koncerte në Strugë, Tetovë, Shkup, Gostivar, Kërçovë, Manastir, Velesh, Ohër. Shtatëmbëdhjetë shfaqje në salla e pallate sporti të tejmbushur me shqiptarë që nuk reshtnin së duartrokituri. Në përbërje të estradës morën pjesë në këtë turne edhe këngëtarët Bik Ndoja, Shyqyri Alushi, Naile Hoxha, Mukadese Çanga, Violeta Zefi. Teksa ka sjellë emocionet e atij turneu aktori Mond Halili ka theksuar se ishte e pamundur të mbaronte rreshti i gjatë me adhurues të Tano Banushit, Bik Ndojës, Gëzim Krujës, Shyqyri Alushit të cilët prisnin me orë të gjatë për t’i përqafuar apo për të bërë një fotografi me ta. Pas këtij suksesi Halili ka udhëtuar drejt Ulqinit e Tuzit me qëndrime të gjatë dhe ftesa të përsëritura aq sa për dhjetë vite ka qenë ndër të ftuarit më të rëndësishëm. Edhe Kosova është bërë disa herë pjesë e guidës argëtuese. Para e pas Luftës së vitit 1999. Disa herë i ftuar nderi në spektaklin e madh të ndërrimit të viteve në transpetime të drejtpërdrejta nga hotel “Grand” në Prishtinë me më shumë se 600 të ftuar, koncerte humoristike shumë të suksesshme. Në çdo qytet të Kosovës dhe në çdo pallat kulturë emri i Mond Halilit është renditur ndër më të adhuruarit. Të njëjtat gëzime ka ndjerë edhe në disa koncerte në Angli bashke më Bujar Qamilin, Artiola Toskën, Violeta Zefin, Bashkim Alibalin, Zeliha Milotin, Drane Xhajin dhe Besnik Qinarin. Artisti i madh i skenës ka qenë disa herë edhe mes emigrantëve shqiptarë në Milano, Rimini, Padova e Rovena të Italisë.
Përndjekja
Përndjekja politike e gjen Mond Halilin në kulmin e manifestimit të vlerave si artist i humorit në Shkodër. Ndërsa kishte bërë gati shumë projekte, të gjitha rrënohen në një ditë për shkak të ngjarjes e cila përmbysi shpresat dhe besimin. Me 17 gusht 1982 vëllai tij, Tristan Halili tenton të kalojë kufirin shqiptar për të emigruar politikisht në Perëndim. 25-vjeçari zgjodhi fshatin Zogaj të Shkodrës, në kufi me Tuzin e Malit të Zi, brez shumë i patrulluar nga efekivat e kufirit. I riu ishte së bashku me një djalë nga Mirdita me të cilin qe njohur në Shkodër, ku edhe jetonte me familjen. Dy orë pas mesnate, djemtë, teksa e kishin menduar se rreziku ishte kaluar dhe se kapërcimi kufirit ishte vetëm fare pak hapa, gjenden nën breshërinë e armëve. Të nesërmen i ati, Medin Halili, një oficer karriere, shkon dhe e shikon vet trupin e të birit të vrarë, i cili nuk ishte hequr që aty edhe pse kishin kaluar shumë orë. Duke i njohur shumë mirë rregullat dhe ligjet e ushtrisë, ai akuzon për vrasjen urdhëruesit e ekzekutimit. Të njëjtën gjë bën Medin Halili edhe në sallën e gjyqit. Ngjarja me të birin i kushtoi profesionin, ndërsa qëndrimi akuzues ndaj asaj që kishte ndodhur si dhe akuzat e njëpasnjëshme dhe të hapura politike ndaj regjimit të kohës bënë që ai të merrte dënimin ekstrem. Medin Halili dënohet për “agjitacion e propagandë” me 25 vite heqje lirie. Gjyqi u zhvillua në Shkodër dhe ngjarja e dënimit të pafajshëm të tij qarkulloi për vite gjithandej. Në të tilla rrethana Mond Halili, aktori i humorit në estradën e Shkodrës, përfundon si punëtor në gropat e gëlqeres, në beton dhe në hekurthyes në ndërmarrjen e ndërtimit. Gjatë periudhës 1982 deri në vitin 1990, sa herë që do të dilte në skenën e estradës detyrimisht duhej leje nga strukturat politike dhe ekzekutive të kohës. Për shkak të talentit të Halilit, drejtues të pallatit të kulturës dhe të klubeve artistike kërkonin nga komiteti partisë në Shkodër ta lejonin aktorin të merrte pjesë në aktivitete dhe vetëm pasi fusnin në xhep shkresën e vulosur rendnin tek aktori për t’i dhënë lajmin e mirë. Kështu vazdhuan 8 vite.
Intervista
Për çdo artist është e vështirë të veçohet roli më i dashur apo roli më i suksesshëm. Megjithatë ka disa prej roleve që kanë lënë gjurmë.
Arti dhe artistët shqiptar pas viteve 1990 u çliruan nga dogmat dhe patën mundësinë e fatin të jenë të lirë, të bëjnë më të mirën dhe të korrin rezultatet e djersës. Kjo ndodhi edhe me mua. Karriera ime si aktor nisi në vitet 1974 dhe janë shumë e shumë role, mbresa, kujtime për t’u veçuar. Megjithatë po kujton vetëm disa prej tyre. Jam ndier shumë mirë dhe kam marrë vlerësime të panumërta tek “E shtuna gazmore e një qyteti” në vitin 1994. Ky lloj ballafaqimi televiziv me estradat më të mira, aktorët më të mëdhenj dhe pjesët më të spikatura drejtohej nga Koço Devole dhe Mirush Kabashi. Trupa e Shkodrës kishte regjisor në atë kohë Serafin Fankun, personalitetin e palodhur, njeriun e mrekullueshëm dhe potencialin e madh të arrit. Isha në rolet kyçe dhe daljet e mia qenë shumë, shumë të pëlqyera. U shpalla aktori më i mirë në karaktere. Shkodra më priti si hero. Asnjëherë nuk kisha përjetuar emociona aq të forta. Pastaj më duhet të kujtoj se më 1995 kam lozur në filmin “Pak fresk sonte” me regjisor Arjan Culiqi , në rolin e gjykatësit. Një vit më pas në filmin “Yppp Xhixhi” dhe këtu kam lozur me artistët Sejfulla Myftari, Behar Mera, Rita Lati. Mbaj mend se nuk guxonte femër me kalu në rrugë pasi gjithandej dëgjohej “Yppp Xhixhi”. Edhe ne si aktorë të filmit nisëm të identifikoheshim me emrin e personazhit, Xhixhi. Kam lozur më pas me Aleko Prodanin në vitin 1998-99 dhe xhirimet janë bërë në një mjedis që improvizonte ngjarjet në një spital të të çmendurve në Tiranë. Kam pasur mirësinë dhe fatin të bashkëpunoj me emra të mëdhenj të artit shqiptar, me këngëtarët më në zë, me aktorë e instrumentistë të niveleve më të larta. Edhe në Kosova bashkëpunimi im ka qenë shumë i suksesshëm ngase kam dhënë koncerte bashkë me Qumilin, Lecin, Nesret Muçiçin, Ismet Pejën, Sabri fejzullahun, Shkëlzen Jetishin, Ramadan Krasniqin. Në Ulqin së bashku me Bujar Qamilin, motrat Libohova, Aurela Gaçe, Artiola Toska kemi mbajtur për vite të tëra në këmbë artdashësit shpiptar në Ulqin e Tuz. Janë shumë turne, 22 vite gjithandej nga ka shqiptar brenda e jashtë Shqipërie. Kemi dhënë shfaqje e koncerte edhe në të gjitha burgjet: në Tiranë, Rrogozhinë, Peqin, Lezhë bashkë me Çiljetën, Myfarete Laze, Ingrit Gjonin e të tjerë këngëtarë. Në pallatin e kongreseve në Tiranë kam bërë shoë. E vështirë për të përballur spektatorin në të tilla mjedise. Aty mbahen mend spektaklet humoristike të dhënë nga Zef Deda, Gëzim Kruja dhe unë. Që të tre jemi pjesë e trupës nga Shkodra, gjë që do të thotë se Shkodra është djep i humorit.
Keni provuar edhe rolin në dramë e komedi. Ishte vullneti juaj, apo ndonjë shtytje nga aktorë e regjisorë?
Aktori i madh Fatbardh Smaja, gurëvënës me peshë të madhe në ngritjen e teatrit “Migjeni’ në Shkodër, këmbëngul ta më ketë në rolin kryesor tek drama “Familja e peshkatarit”. Për mua ishte eksperiencë e re ndaj më duhej ta mendoja mirë. Propozimi erdhi nga aktori që ne të gjithë e nderonim për atë që ka bërë në skenë dhe në rritjen e madhështisë së teatrit të Shkodrës. Qejfi ma kishte realisht ta provoja veten në dramë. Nga ana tjetër kisha jo pak dilema. Për shkak të daljeve të mia shumë të suksesshme në festivale me klubin “Rinia” dhe pallatin e kulturës “Vasil Shanto” si aktor estrade kisha krijuar emër gjithandej jo vetëm në Shkodër, por në shumë e shumë qytete të Shqipërisë. Për këtë arsye duhej te merrja në konsideratë aftësinë për t’u bërë pjesë e dramës në të cilën loza rol kryesor, rolin e Veipit. Më erdhi mirë dhe u gëzova pa masë kur dëgjova përgëzimet e aktorit Smaja, si dhe të aktorëve e të artistëve të tjerë. Edhe në Durrës kam pasur role të tilla. Konkretisht në komedinë e regjisorit Haxhi Rama “ Lojrati me numër 10”, edhe këtu në rolin kryesor.
Përpiquni të kujtoni disa nga rolet tua të cilat vazdhojnë të tërheqin edhe sot interesimin e artdashësve
Shumë nga rolet në estradë dhe imitimet e mia janë gjetje e regjisorëve, por kam edhe unë përpjekjet e mia për të gjetur karaktere me peshë dhe me ndikim në jetën shoqërore. Prej disa kohësh shumë të rinj që konkurojnë për të vijuar studimet në Akademinë e Arteve marrin pjesë të lozuara nga unë, pra janë imitime të roleve të mia. Në Ulqin sa herë që shkoj dëgjoj qytetarët të thonë “Erdhi Naqja, Naqja jam”, pra më njohin jo si Mond, por me emrin e personazhit, të rolit. Veç “Yp Xhixhi” do të veçoja rolet e tjera si “ Shaba, Shaba jam”, “ Ishalla më ec biznesi”, “Jam tirans, tirans i vjetër”. “Me na bo një hale në qytet”, “Drejtor a kanë ardh ata”…Publiku është shumë i ndjeshëm, shumë i interesuar. Pastaj humori është delikat, i hollë, me mesazhe. Ajo që na ka karakterizuar gjithnjë është fakti se edhe tek klubi “Rinia”, në pallatin “Vasil Shanto”, edhe te teatri “Migjeni” ne kemi bërë humor të emancipuar, larg gjuhës së rrugës.
Nëse do u kërkohej që të veçonit nga çdo estradë në Shqipëri dy emra të aktorëve më të spikatur, cilët do të ishin ata?
Vështirë të merret përsipër një përgjigje për sa kërkoni. Estradat në shumë nga rrethet e Shqipërisë për vite e vite kanë qenë mundësia e vetme e argëtimit. Në shtëpitë tona ka hyrë shumë vonë radio dhe edhe më vonë televizori, gazeta, revista. Pak qytete kishin teatër, estradë, kinema. Edhe atje ku ishin, frekuentimi ishte problem ngase familjet shqiptare ishin të varfra. Më duhet të them se kërkesën tuaj nuk mund ta përmbush për estradën e Shkodrës ngase Shkodra është estradë e kombit, ka nxjerrë aktorë të nivelit kombëtar dhe gjithçka e saj është përpirë nga publiku. Tano Banushi, Paulin Preka, Zeliha Miloti, Gëzim Kruja, Zef Deda… Sa u bënë? Ka edhe të tjerë. Të kalojmë në Tiranë: Skënder Sallaku, Vasillaq Vangjeli, Behar Mera, Rita Lati; Berati dhe jo vetëm Berati, krenohet me Sejfulla Myftarin (Ceken); Korçka ka Aleko Prodanin, Zamira Kita; Vlora ka parodistët e mëdhenj: Goni, Meti, Afrimi e Manja; Durrësi me Fadil Hasën, Roland Koçi dhe Muharrem Hoxhën; Fieri spikat me Arqile Lipe… Këto janë edhe rrethet që kanë pasur aktorë. Estadë ka pasur edhe në të tjera qytete.
Pas një karriere shumë të gjatë në Shkodër, shfaqeni në estradën e Durrësit.
Jam i lindur në Durrës. Me këtë qytet me lidh malli dhe dëshira për të jetuar. Pas viteve 1990 Shkodës nisën t’ikin një nga një mjekë, inxhinierë, ekonomistë… dhe pas tyre u pakësuan edhe aktorët. Ikën, emigruan jashtë Shqipërisë. Të tjerë u sistemuan në Tiranë. Kjo qe arsyeja e fortë që më nxiti të lëviz edhe unë familjarisht. Mora Liljanën (bashkëshorten) dhedjemtë Erjolin e Devisin. Në vitin 2002 përfshihen në estradën e Durrësit. Aty gjeta regjisor Haxhi Ramën dhe bashkëpunova në disa shfaqje dhe premiera me Fadil Hasën, Adem Gjepalin, Muharrem Hoxhën, Roland Koçin. Për 3-4 vite gjithçka eci mirë deri sa vjen edhe momenti ndëshkimit tim. Në një koncert që do të zhvillohej në mjediset e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu” në Durrës ftohen si aktorë persona që nuk njiheshin as në lagjen dhe fshatin e tyre. Kjo revoltoi drejtorin e pallatit. Edhe unë reagova. Listën e artistëve nuk e kishte bërë drejtori, por një njeri që jo vetëm nuk ka lidhje me artin, por as nuk ka njohuritë më minimale. Bëhej fjalë për disa pazare të pista që ai kishte bërë me të ftuarit të cilëve u jepte nga një lemoshë dhe pjesën më të madhe të parave e dërgonte në xhepin e tij. Këtë praktikë e ka bërë dhe fatkeqësisht e bën edhe sot. Reagimi im u prit shumë keq. Më larguan nga puna dhe që nga viti 2006 vazdhon të mos ketë asnjë lloj amnistie për mua. Kjo nuk do të thotë se unë kam ndenjur jashtë skenave, megjithatë shteti më hodhi në rrugë.
*Sqarim: Për shkak të një problemi, janë fshirë nga memoria e web-it bulevardnews.com, më shumë se 100 portrete, intervista dhe dossier. Shkrimet në fjalë janë të gjithë të botuar në gazetën Bulevard në versionin print dhe pavarsisht se në këto vite shumë njerëz kanë shkruar edhe për emra të përbashkët, koha, rrethanat, problematika, këndvështrimi kur janë botuar këto shkrime mbartin në vetvete një pjesë të memories së qytetit të Durrësit. Duke kërkuar ndjesë, disa prej emrave të shkrimeve nuk jetojnë, redaksia do t’i rihedhë edhe në online, ashtu siç edhe janë botuar, pa ndërhyrë. Koha dhe njerëzit kanë të drejtën e gjykimit dhe vlerësimit. Ky sqarim do të shoqëroj çdo shkrim për të rikrijuar arshivën online. Një falenderim për grupin e punës dhe veçanërisht gazetarin Xhevahir Gradica, që është marrë me këtë rubrikë në gazetën Bulevard. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
 
            