Ballina Kulturë Albautor iu vjedh artistëve pronësinë intelektuale/ Redon Makashi: I kemi shokët tanë,...

Albautor iu vjedh artistëve pronësinë intelektuale/ Redon Makashi: I kemi shokët tanë, por na japin një pagë qesharake. Osman Mula: Na grabisin 30 vjet krijimtari!

103
0

Albautor duhet të kujdeset që krijimtaria e autorëve të vlerësohet dhe të ardhurat e mbledhura nga ajo vetë t’u shpërndahen. Por nuk është kjo ajo që po ndodh pasi artistët prej kohësh kanë ngritur shqetësimin që nuk marrin të ardhura nga organizata për veprat e tyre më të transmetuara.

Kompozitori dhe Mjeshtri i Madh, Osman Mula tha për Vetting se vetëm në Shqipëri nuk njihet e drejta e autorit, shpërdorohet dhe mund të merret çohet kudo, e t’i vihet emri i një personi që nuk është autori.

“Ne te shtëpia kemi dy sahata, kemi sahatin e ujit dhe sahati i elektrikut. Po kështu duhet moniturar dhe e drejta e autorit. Nuk guxon. Dhe n.q.s ti nuk paguan dritat, futesh në burg për 20 mijë lekë. Si është e munduar që e gjithë krijimtaria jote 20-30 vjeçare, a kupton, të mos paguhet, të nëpërkëmbet dhe të zhvatin shokët e tu?” shprehet i revoltuar Mjeshtri i Madh Osman Mula.

Një tjetër kompozitor dhe Mjeshtër i Madh, Vladimir Kotani pohon se nuk ndjehet i vlerësuar nga mënyra se si puna e tij vlerësohet rreth 100 euro në vit.

“Jam i ofenduar dhe i indinjuar dhe nuk e ndjej dhe as që e shikoj të mbrojtur të drejtat e mia krijuese dhe as që vlerësohet ekonomikisht transmetimit i krijimeve të mia, por tjetërsohet.

Bile nga disa institucione artistike, jo vetëm që nuk vihet në dijeni dhe të merret miratimi nga krijuesi, por mohohet edhe autorësia duke mos përmendur fare emrin e krijuesit kur e transmetojnë krijimtarinë,”, tha për “Vetting” kompozitori Kotani.

Madje dirigjenti në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, Edmond Doko shprehet se e drejta e autorit nuk ka asnjë lloj transparence.

“Unë jam anëtar si dirigjent i një shoqate interpretësh dhe është gati qesharake kur në fund të vitit, diku në numrin tim të llogarisë, në konton time bankare diku rreth 10 mijë lekë të reja, ndërkohë që unë s’e di sa opera e sa koncerte në këto televizione kam realizuar. Nuk i kam ndjekur, nuk kam qenë i kujdesshëm dhe unë s’e kam mbrojtur të drejtën time”, deklaron për “Vetting” Edmond Doko.

Albautor mbledh para, por nuk ua shpërndan artistëve
Në Shqipëri, SUADA është pika qendrore që bën lidhjen mes të gjitha organizatave kolektive të të drejtës së autorit, si Albautor, AKDIE, FMAA dhe FABER. Ndryshe nga këto agjenci që përfaqësojnë secila grupime të ndryshme krijuesish, autorë, kompozitorë, interpretues, producentë, SUADA nuk përfaqëson autorët direkt, por funksionon si një mekanizëm koordinimi dhe mbledhjeje të të drejtash.

SUADA mbledh tarifat nga përdoruesit në emër të të gjitha agjencive të licencuara dhe më pas i shpërndan ato tek organizatat përkatëse, të cilat i transferojnë më pas tek krijuesit dhe interpretuesit.

Sipas avokatit Evien Dako, Suada nëpërmjet rregullimeve ligjore, shpërndan këto të ardhura drejt agjencive të administrimit kolektiv.

“Këto agjenci, me të ardhurat që marrin, nëse mund të them që kanë mungesë monitorimi, mundet ose kanë detyrimin për të krijuar kushte për monitorimin e këtij tregu, pra të monitorojnë vetë se si është përdorur vepra”, tha për “Vetting” avokati Dako.

Sipas informacioneve të siguruara nga “Vetting”, të dhënat financiare të kompanisë “Albautor” përsa i përket të ardhurave që ka marrë nga sporteli unik SUADA rezultojnë me probleme dhe mungese transparence. Artistët pretendojnë se nuk vlerësohen sa duhet dhe nuk është e qartë mënyra se si realizohet ky vlerësim financiar nga organizata.

Madje njëri nga anëtarët e Komisionit të Posacëm për Informim te Albautor, kompozitori Redon Makashi ka ngritur pikëpëyetje përsa i përket shpërndarjes së të ardhurave te autorët. “Nuk e kuptoj se si ato të ardhura financiare të mbledhura nga të ashtuquajtura nga e drejta e autorit, nuk e di si përfundojnë. Dhe ne, në fund të vitit marrim një pagë qesharake, është për të qeshur dhe për të qarë. Më vjen keq në radhë të parë sepse janë miqtë tanë, shokët tanë, që unë arrita të flas deri këtu sepse jam shumë i indinjuar deri në këtë pikë”, thotë për “Vetting” kompozitori Redon Makashi.

Të njëjtin qendrim ka edhe Mjeshtri i Madh Zef Çoba, i cili shprehet i habitur për mënyrën se si bëhet vlerësimi dhe si shpërndahen të ardhurat.

“Gjatë gjithë këtyre praktikave që kemi patur me të drejtën e autorit, ne nuk jemi njohur ndonjëherë me kriteret, ligjet ose të paktën një formular në të cilën kanë buruar të ardhurat e mia”, shprehet kompozitori Çoba. Nga raportet e auditimit të Albautor nga Ministria e Kulturës për vitin 2022 dhe 2023 rezulton se organizata ka problemet që lidhen pikërisht me të ardhurat që duhet të shpërndahen artistëve.

Raporti i Ministrisë së Kulturës për vitin 2022 mbi veprimtarinë e “Albautor” tregon se ajo ka funksionuar sipas licencës, por me një sërë mangësish dhe shkeljesh që duhet të korrigjohen.

Ministria konstaton se, raporti nuk është i plotë dhe nuk siguron transparencën e nevojshme për mënyrën si përdoren dhe shpërndahen të ardhurat e mbledhura nga përdorimi i veprave muzikore.

Një tjetër problem është se disa të ardhura të deklaruara nga agjencia nuk janë arkëtuar gjatë vitit 2022, përfshirë fondet nga Broadcast Music dhe Autodia Greqi. Po ashtu, një pjesë e shpërndarjeve për agjencitë partnere janë kryer me vonesë, në tremujorin e parë të vitit 2023, megjithëse i përkasin vitit financiar 2022./emisioni vetting