Ballina Sport Botërori 2026, çmimet marramendëse të biletave ndezin debat: Kush do të jetë...

Botërori 2026, çmimet marramendëse të biletave ndezin debat: Kush do të jetë në stadiume?

76
0

Me hapjen e fazave të para të shitjes së biletave për Kupën e Botës 2026, tifozët po përballen me çmime tejet të larta dhe me një sistem shitjeje tepër të komplikuar, duke ngritur pyetjen thelbësore: Kush do të ndjekë ndeshjet nga stadiumet dhe për kë është ky Botëror?

Leander Schaerlaeckens, gazetar dhe tifoz që ka ndjekur tri Botërorë më herët, rrëfen përvojën e tij gjatë fazës së parë të shitjes.

Sipas tij, edhe pse FIFA kishte premtuar mesatarisht çmime rreth 305 dollarë për ndeshjet e fazës së grupeve, realiteti rezultoi krejt ndryshe.

Biletat më të lira, kategoria 4, thuajse nuk ekzistojnë, dhe ato që kanë dalë në shitje  fillojnë nga 60 dollarë, ndryshe nga 21 dollarë që premtuan vite më parë.

Çmime stratosferike dhe vështirësi teknike

Në New Jersey, ku ndodhet stadiumi ‘MetLife’, biletat më të lira të mbetura për ndeshjet e fazës së grupeve shkonin deri në 465 dollarë copa.

Për një familje me katër persona, vetëm hyrja në stadium kap shifrën mbi 2.000 dollarë, pa llogaritur parkimin dhe shpenzime të tjera.

Nga grupi i tij prej 28 shokësh që luajnë futboll rekreativ, vetëm një pranoi të blinte bileta me këtë çmim.

Problemet nuk mbaruan me pagesën: transferimi i biletave nga llogaria e tij në llogarinë e mikut u bë thuajse i pamundur për tri javë, duke e lënë transaksionin pa asnjë provë apo konfirmim.

Një Botëror për elitën?

Me çmime që për finalen fillojnë nga 2.030 dollarë dhe me miliona kërkesa, lind një shqetësim i madh: A do të jenë tifozët e zakonshëm të futbollit në tribuna apo vetëm elita financiare, sponsorët dhe të ftuarit VIP?

Pyetja është veçanërisht e rëndësishme për tifozët jashtë Amerikës së Veriut, të cilët, përveç biletave, duhet të paguajnë fluturime dhe akomodim. Shumë prej tyre mund të mos kenë asnjë mundësi të afrohen pranë stadiumeve.

Një nënë nga New Yorku, e cila ëndërronte t’i siguronte djalit të saj të pasionuar pas futbollit një biletë, hoqi dorë sapo dëgjoi çmimet. “Jo… nuk ka mundësi”, tha ajo me keqardhje.

Nëse ritmi dhe politikat aktuale vazhdojnë, Botërori 2026 rrezikon të bëhet turneu i 1% më të pasurve, duke përjashtuar tifozët e thjeshtë që e mbajnë gjallë frymën e futbollit. Pyetja mbetet e hapur: Cilat tribuna do të jenë plot, dhe çfarë atmosfere do të na presë?