Një gjykatë në Santo Domingo Este ka dënuar me 15 vite burgim shtetasin shqiptar Sejdin Kote, i shpallur fajtor për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, pasi në vitin 2024 tentoi të nxirrte nga Aeroporti Ndërkombëtar “Las Américas” në drejtim të Madridit, 40 pako me kokainë.
Vendimi u dha pas kërkesës së Prokurorisë së Santo Domingo Este, e përfaqësuar nga prokurorët Evelyn Peña dhe Alexis Casado, të cilët paraqitën para trupit gjykues prova të mjaftueshme që vërtetuan fajësinë e të pandehurit.
Sipas aktakuzës, të përgatitur nga prokurori hetues César Augusto Veloz, ngjarja ndodhi në mbrëmjen e 16 nëntorit 2024, kur oficerët e Qendrës së Informacionit dhe Koordinimit të Përbashkët të Drejtorisë Kombëtare të Kontrollit të Drogës (CICC–DNCD) vunë re imazhe të dyshimta gjatë kontrollit me rreze X në bagazhet e pasagjerit shqiptar. Gjatë inspektimit, në brendësi të valixheve u gjetën 40 pako me kokainë, të ndara në dy grupe, me peshë totale 39.13 kilogramë.
Trupi gjykues i Gjykatës së Parë Kolegjiale të Santo Domingo Este, i përbërë nga gjyqtarët Elizabeth Esperanza Rodríguez Espinal, Flor E. Batista Polo dhe José Leonel Asencio Quezada, vendosi që i dënuari të vuajë dënimin në Qendrën e Korrektimit dhe Rehabilitimit “Najayo Hombres”, në provincën San Cristóbal.
 
            