Ky është furgoni në të cilin u gjet një arsenal i madh armësh në Tiranë ndërsa qëndronte i parkuar në zonën e “Myslym Shyrit” dhe ishte kamufluar me mbishkrimin “mirëmbajtja rrugore”.
Burimet bëjnë me dije se arsenali i armëve dyshohet se i përket grupit të strukturuar kriminal të drejtuar nga Aurel Hoxha, i shpallur në kërkim nga SPAK.
Furgoni është regjistruar si pronë e Eugert Sinës, i cili u arrestua nga uniformat blu, ndërsa 2 persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale u shpallën në kërkim.
Para hetuesve, 34-vjeçari ka deklaruar se nuk ka dijeni se kush i ka vendosur armët në furgon, duke mohuar lidhjen e tij me këtë ngjarje.
Policia ka shoqëruar rreth 20 persona, të cilët dyshohet se kanë dijeni për arsenalin e armësh.
Për disa vite, rezulton se Eugert Sina ka punuar si banakier në lokalin në pronësi të Aurel Hoxhës ndërsa ky i fundit akuzohet nga SPAK si porositës i vrasjes së Klevis Lleshit.
Disa javë më parë, Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion ka sekuestruar pasuritë në emër të Aurel Hoxhës që kapin vlerën e 5 milionë euro, dhe bëhet fjalë për 3 subjekte tregtare, 7 apartamente, 6 njësi tregtare, 32 automjete dhe 52 llogari bankare.
Gjatë kontrollit të ushtruar në furgon, shërbimet e policisë gjetën 23 armë zjarri, 5 prej tyre me snajper, 1 silenciator, 17 krehra me municion luftarak, celularë dhe pajisje për shpërthime në distancë, pajisje për bllokimin e valëve, uniforma si të Policisë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
 
            