Avokatja e Popullit Erinda Ballanca iu përgjigj akuzave të kreut të Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ndaj institucioneve të drejtësisë për mënyrën e arrestimit të ish-presidentit Ilir Meta.
Ballanca tha se institucioni që ajo drejton nuk ka gjetur shkelje të institucioneve të drejtësisë dhe jo të gjitha pretendimet që dolën në media qëndronin.
Avokatja e Popullit tha se nuk kishte dallime në uniformën e përdorur nga forcat speciale.
“Nuk kemi gjetur shkelje të institucionit të drejtësisë. Kemi mandat të kufizuar për sa i përket institucionit të drejtësisë.
Sa i përket policisë së shtetit, kemi gjetur disa shkelje. Jo të gjitha pretendimet e paraqitura në media kanë qenë të bazuara. Ajo që kemi identifikuar është që mënyra e ndalimit është në kundërshtim me ligjin përkatës, sepse nuk është respektuar dinjiteti njerëzor i zotit Meta. Kishte problematikë me njësinë dalluese dhe me uniformën që duhet përdorur nga forcat speciale”, tha ajo.
Ballanca tha se Meta nuk kishte pretenduar dhunë nga Policia e Shtetit dhe në prani të avokatit sipas dokumenteve kreu i PL-së ka deklaruar se nuk u dhunua.
“Ai nuk ka pretenduar dhunë nga Policia e Shtetit. Ka dy dokumente, një në prezencë të avokatit dhe një në momentin e parë të hyrjes në bllokun e sigurisë, ku ai ka pranuar që nuk është dhunuar”, deklaroi Ballanca.







