Bulevard news*
Kompozitorit Ylli Ramzoti i pëlqen pa masë të kujtojë vetëm dy vargje “Qoftë mallku sahati shkretë/ që ne u morëm vesh/ unë ta shkela komën m’i goce / ti zune me qesh”. Emri tij qëndron plot dinjitet përkrah emrave të mëdhenj të artit si Çesk Zadeja, Kozma Laro, David Tukiçit, ndërkohë që shumë qytete në Shqipëri e kanë përzemër artistin për shkak të punës plot pasion dhe bashkëpunimit të palodhur.
Pasioni për muzikën tek Ylli Ramzoti u shfaq në fëmijëri. Të gjithë qytetarët e Durrësit mbajnë mend lulishten e vogël në shëtitoren “Taulantia” të njohur ndryshe “Vollga”, buzë deti. Aty durrsakët bënin natë për natë xhiron e mbrëmjes të zënë dorë për dore me fëmijët. Këtë fat e pati edhe Ylli. Muzikantët interpretonin muzikë e këngë të ndryshme duke tërhequr të gjithë, edhe fëmijën Ramzoti i cili, si çdokush tjetër, nuk shkulej së andej. Veprimet e përditshme të tij me këmbënguljen për të dëgjuar e ndjekur interpretimet e muzikantëve ngjallën kureshtjen e prindërve. Ata vinin re se Ylli ishte shumë i dhënë pas muzikës ndaj edhe menduan ta regjistronin në shtëpinë e pionierit në rrethin e fizarmonikës. Këtu nis rruga e tij drejt artit. Vetëm 9 vjeç, sapo kishte hyrë në klasën e tretë. Shtëpia pionierit thithte talente dhe përgatiste të tillë. Fillimet e artit për Ylli Ramzotin nisën me pasionin për fizarmonikën. Me kalimin e kohës u regjistruar në degën e kompozicionit. Vitet e largëta nga ditët e para nuk kanë pasur forcën të fshinin nga kujtesa e tij emrat e instruktorëve të cilët punuan me shumë pasion në përgatitjen Ramzotit. Xhevdet Nova, Taip Kadiu, Rifat Dedja, Hajdar Haxhihyseni, Po ashtu, kur përmend kengetaret e Pallatit “Rinia”, Sotir Telo, Agim Berisha qenë ata që edukuan dhe ndikuan në forminin artistik përmes nxitjes së regjimit të studimit dhe të provave. Ylli nuk e harron për asnjë çast dhe ka shumë dëshirë të theksojë e ritheksojë disa herë emrin dhe përkushtimin e profesorit të tij të nderuar Nazmi Mici, emër me ndikim të fortë në shtëpinë e pionierit në Durrës për shkak të seriozitetit dhe këmbënguljes në përgatitjen e artistëve të rinj. Profesori Mici i jep Ramzotit një fizarmonikë me qëllim që Ylli të studionte në shtëpi gjatë sezonit të verës. Bëhej fjalë për një fizarmonike të vogël, me ngjyrë të zezë e modelit rus. Me të nis e ushtrohet. Fillimisht për qejf e argëtim, më pas për të arritur perfeksion. Fati qe me Yllin pasi me të përfunduar studimet në arsimin e detyruar shkollor, nuk do të ishte e nevojshme për të udhëtuar drejt Tiranës, ngase në Durrës hapet shkolla e artit të muzikës. Vetëm një vit më parë kjo shkollë kishte çelur dyert e dijes dhe në vitin e parë, si dhe në vitet e mëpasme, pati shumë interesim për regjistrime. Ylli u bë kështu brezi i dytë i shkollës së mesme artistike “Mujo Ulqinaku”. Me shumë admirim kujton koncertet e organizuara nga shkolla e tij e mesme, koncerte që drejtoheshin nga Mjeshtëri i madh i punës, Ermir Dizdari. Dirigjenti Dizdari e pati për zemër djaloshin nga Durrësi talenti i të cilit nuk qe i vështirë për t’u identifikuar. Ai i besoi të drejtën për të lozur si solist me fizarmonikë me orkestrën e kësaj shkolle muzike. Ramzoti mban mend se pikërisht në ato vite të para ka guxuar të lozë edhe pjesë të rëndësishme dhe gati të pamundura për moshën siç ishte “Fantazia” e Tish Daisë dhe Agim Krajkës e cila i përkiste një niveli shumë të lartë teknik. Ndonëse nxënës në arsimin e mesëm, në vitin 1975 përfaqësoi Durrësin në koncertin konkurues të qytetit, të zhvilluar në pallartin e sportit “Ramazan Njala”. Aty lozi si solist në trion orkestrale përkrah dy instrumentistëve më në zë të qytetit si Vladimir Caku violinist dhe Dashnor Hoxha në klarinetë. Me të mbaruar arsimin e mesëm i hyri një pune me jo pak mundim e sakrificë. Duke qenë si i kishte vënë vetes detyrën për të marrë pjesë në konkurimin për t’u regjistruar si student në Akademinë e Arteve, programon kohën dhe grumbullon forcat për javë të tëra. Asokohe me të përfunduar arsimin e mesëm detyrimisht të rinjtë duhej të kalonin një vit në stazh, në prodhim dhe më pas kishin të drejtën të kandidonin për studime të larta.Kështu ndodhte me të gjithë të rinjtë që synonin të hynin në auditoret e universiteteve dhe instituteve arsimore. Pasi përfundonte punën në fermë në ora 18, pushonte për disa minuta për shkak të mundit të madh fizik dhe shkonte sistematikisht në palestrën e shkollës së muzikës. Atje, tek shkolla gjendej një piano me të cilën kalonte çaste të panumëruara.Orët ecnin ashtu në punë si pa u ndier. Ndërsa akrepat shënonin një e më shumë pas mesnate, Ylli merrte rrugën për në shtëpi, por detyrimisht duhej të zgjohej me të zbardhur për të nxituar për në punë, në fermë. Si çdonjëri punëtor paraqitja në punë duhej bërë para se ora të shënonte 7 e mëngjesit, kësisoji Ramzoti kishte fare pak kohë pushimi aq sa nuk ngopej me gjum.
Studimet e larta
Në Institutin e Lartë të Arteve mësoi kompozicion nga artisti i madh shqiptar Tish Daija që përveç se pedagog, qe edhe personalitet i artit dhe kulturës shqiptare. Veç mësimi, Daija gjente kohën për t’u treguar studentëve për shkollën ruse dhe pedagogët e universitetit “Çajkovski”, ku kompozitori shqiptar kishte kryer vitet e studimeve të larta në Moskë. Jo pak ndikim dhe mbresa ka lënë në formimin e personalitetit krijues të Ramzotit edhe Tonin Harapi, një tjetër vlerë e madhe e artit shqiptar. Harapi shfrytëzonte çdo dritare pushimi për t’u dhënë mundësi studentëve të përfitonin sa më shumë dhe djaloshi durrsak nuk i shqet nga mendja fjalët plot pushtet të pedagogut të tij. Harapi nuk i ndante studentët në të tijët dhe në student të kolegut. Për të kishte rëndësi vetëm pasioni dhe koha që studentët të hynin në auditorin e pedagogut Harapi në çdo kohë. Ramzoti kujton se në ato vite askush nuk e çnte mendjen për pagesën e orëve të tilla shtesë pasi gjithçka bëhej me dëshirë dhe pasion, ndërsa Harapi kishte edhe një tjetër armë për të bërë të rinjtë studentë për vete, humorin, karakteristike e trevës së Shkodrës, vendlinjdes së Tonin Harapit. Gjatë studimeve të larta Ylli Ramzti i përkushtohet shumë degës së kompozicionit dhe ndër veprat mjaft të suksesshme të periudhës së shkollimit ishin romanca për tromp e orkestër, e cila u ekzekutua në dy koncerte nga orchestra e Institutit të Arteve me solist neë tropm Isak Shehu dhe dirigjent Rifat Teqja. Në periudhën e shkollës Ramzoti kompozoi kuartetin e harqeve për të cilin dekani i atëhershëm Muharrem Denisi do të shprehej “Është vepër që nuk na e kanë sjellë as kompozitorët e afirmuar”. Klasae kompozicionit kishte studentë të talentuar që do të bëjnë karrierë dhe emër pas studimeve: David Tukiçi, disa vite drejtor i orkestrës në Radio Televizion, Isak Shehu për vite të tëra dekan; Adriatik Lamollari koordinator në opera dhe Fatmir Zeqja.
Hapat në jetë…
Me të përfunduar studimet e larta emërohet në Berat, në shtëpinë e kulturës “Margarita Tutulani”. Ndonëse i ri dhe larg shtëpisë, Berati shumë shpejt do të bëhej folesë e ngrohtë pasi aty gjeti përkrahje dhe admirim të madh. I riu i arsimuar u njoh me muzikanët në zë si Sotiraq Konçi dhe Xhevdet Dervishi. Sotiraqi ishte muzikant me dhunti të veçanta. Ai i nxirrte notat duke dëgjuar në manjetofon, gjë që e habiste Ramzotin i cili do të bëjë të njëjtën gjë si dhe mjeshtri beratas në kohën që Ylli do të transferohej për në pallatin “Rinia” të Durrësit. Berati mësohet të ketë qenë një laborator më vete ku Ramzoti pati mundësi të plota dhe kushte mjaft të mira të krijuara nga muzikantët dhe stafi shtëpisë së kulturës beratase. Atje u bë praktik, shkruante këngë për Beratin si dhe kishte korespondencë edhe me qytetet e tjera tek të cilët përcillte këngë dhe orkestrime si për të rritur, edhe për fëmijë. Shumë tema popullore të qytetit të Beratit u përvetësuan me mjeshtëri dhe vizion,pasi njiheshin edhe si perla të vërteta të muzikës popullore. Këto u përdorën vite më vonë në Durrës teksa Ramzoti shkruan Rapsodi për orkestër simfonike me tema të Beratit, rapsodi e cila u luajt nga orkestra simfonike e qytetit të Durrësit me dirigjent Mustafa Krantja. Në Berat nisi gjithashtu një koncert për piano-orkestër. Fillimet e veprës i përkasin vitit 1979. Dhjetë vite kohë e punë i është dashur për ta përfunduar këtë vepër në vitin 1989 në Durrës, kohë që punonte në pallatin “Rinia”. Gjatë viteve 1983- 1985 punoi mësues në shkollën e mesme të muzikës në qytetin e tij të lindjes, në Durrës me ngarkesë të mëdhe punë aq sa edhe sot mban mend shumë detaje. Puna me klasa kolektive e vështrësonte shumë procesin, megjithatë Ramzoti ia doli mbanë. Aty dha lëndë të cilët kërkonin përgatitje të përditshme dhe kohë të konsideruar siç ishin Historia e muzikës, Literatura muzikore, Folklori popullor. Gjatë këtyre viteve prodhimtaria muzikore e Ylli Ramzotit qe shumë e madhe. Natyrisht që në këtë drejtim ka ndikuar edhe kontakti vazdhueshëm me muzikën e muzikantëve të mëdhenj botëror. Ndër veprat e kësaj periudhe janë “Noktun për oboje dhe orkestër”, “Variacione për violinçelë dhe orkestër”, “Tokata për piano dhe orkestër” “Trio instrumentale për violin, violinçel dhe piano” etj. Ramzoti pëlqen të nxjerrë mënjanë si veprën më të arrirë të asaj periudhe Poema për violin e piano të cilën më vonë e orkestori për orkestrën simfonike të Radiotelevizionit dhe u ekzekutua nga kjo orkestër me soliste Rajmona Koço dhe dirigjent Eno Koço. Kjo vepër cilësohej e rëndësishme për Ramzotin sepse u paraqit në konkursin që zhvilloi Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë me krijimtarinë e të gjithë krijuesve shqiptar me rastin e 40-vjetorit të çlirimit, pra në vitin 1984 dhe Ylli Ramzoti mori vendin e tretë në shkallë kombëtare. Ky qe një rast shumë i mirë për Ramzotin emri të cilit u rendit në të njëjtin nivel dhe përkrahje me emrat e mëdhenj si Çesk Zadeja dhe Kozma Laro. Emërimi tij në pallatin “Rinia” në Durrës e nxorri nga kornizat e shkollës. Atje punoi me të gjithë këngëtarët e qytetit si: Miga Hysi,. Zija Saraçi, Jolanda Dhamo, Petrit Dobjani, Ylli Çifti, Alma Gugashrremaj, Dhimitër Stefa, Artur Likaj, Mimoza Allaisufi, Engjellushe Laze, Servete Bagoi etj. Aktivitete muzikore e artistike të qytetit nxitën krijimtarinë e Ramzotit, i cili kishte fituar në këtë periudhe të jetës përvojë të lavdëruar. Përveç muzikës së kultivuar në këto vite u mor edhe me gjininë e këngës. Këtyre viteve i përket kënga “Qyteti im” me të cilin e vlerësuan me çmimin e pare me teskt të Met Dervishit, kënduar nga Miga Hysi; “Mbrëmje në bregdet” me tekst të Moikom Zeqos; “Malli marinarit” me tekst të Flora Dervishit që fitoi çmimin e parë në anketën muzikore. Ramzoti veçanërisht i ka kushtuar përkujdesje këngëve me karakter popullor që u paraqitën në festivalet e Durrësit. Në vitin 1987 Ramzoti mori çmimin e parë me këngën “Mas dallëndyshes po t’çoj fjalë” me tekst popullor, kënduar mrekullisht nga Miga Hysi. Edhe sot Ramzoti nuk i është ndarë krijimtarisë. Ka një studio të vogël pune ku ushtron profesionin e tij. Aty po dixhitalizon krijimtarinë e vet. E thënë me fjalë të tjera, po i hedh ato në nota si partiturat, edhe partet e orkestrës. Në punën e rëndësishme të këty viteve, Ramzoti veçon këngën për fëmijë “ Mësuesja dhe celulari” me tekst të Agim Bajramit me të cilin është vlerësuar me çmimin e parë në vitin 2010 në Durrës; “Ci-ci-ci e cju-cju-cju” me poezi të Matish Gjelucit mjeshtër i vargut të këngës dhe mik i Ramzotit. Kënga u vlerësua me çmimin e dytë në festivalin e Tiranës, para 2-3 vitesh. Në marsin e vitit të shkuar Teatri Operës dhe Baletit vuri në skenë “Traviata” e pavëna ndonjëherë në skenë në Shqipëri. Përshtatjen e artit vokal për orkestër e bëri vet Ramzoti. Madje edhe këto ditë u rivua në skenë jo më me dirigjent Eno Koço, por me Edmond Dokon. Me Teatrin Kombëtar të Teatrit të Operës dhe Baletit ka bashkëpunim të vazdhueshëm. Ndër to kujton Harmonizimin për korin e operës dhe orkestrimin për orkestrën e këtij institucioni të Himnit të Shoqërisë “Vatra” të Amerikës, kompozim i Thoma Nasit, vepër që iu dërgua shoqërisë “Vatra” . Episod emocionues për krijuesin Ramzoti është çati kur shkon për të ndjekur provat e saj. Zhani Ciko iu drejtua solistëve të korit dhe instrumentistëve duke i ftuar në duartrokitje për punën e Ramzotit të cilën Ciko e cilëson të shkëlqyer. Kohët e fundit, në një koncert të organizuar në hotel “Sheraton” Tiranë, Ramzoti ka pasur dy orkestrime tëe materialeve muzikore të kënduar nga tenori i famshëm shqiptar Josif Gjipali, dirigjent Ermir Dizdari. Ka shumë punë e plane në dorë. Janë dhjetra dosje, partitura, dvd që presin fjalën e mjeshtrit Ramzoti. Së bashku me këngëtarin Naim Kërçuku këto ditë kanë dërguar në TV “Klan” një këngë të karakterit popullor me titull “Ç’është kështu mi goce?” me tekst të Matish Gjelucit.
Mbresa e kujtime
Në festivalin e vitit 1987 kisha një këngë tjetër, por Miga Hysi kishte mbetur pa këngë. Drejtor qe Naim Nova dhe Hysi kërkon prej tij mbështetje. E pyet drejtorin “Pa këngë do të mbesë unë?”. Naimi e adreson tek unë duke i thënë që “…për kaq pak kohë sa ka mbetur deri ditën e festivalit veç Ramzoti nëse e bën”. Festivali do të zhvillohej pas dy ditësh. Miga më transmetoi fjalët e drejtorit. Unë nuk kisha tekst dhe këtë ia bërë të ditur këngtares. Ajo më afroi një tekst popullor të cilën e kishte marrë nga një fletore e një komshies së saj që sapo kishte ndërruar jetë. Fletorja kishte mbetur në shtëpinë e këngëtares për t’u bërë menjëherë objekt festivali. Ia kërkova të ma lexonte në telefon tekstin me të shkuar në shtëpi. Dhe kështu ndodhi. Në anën tjetër të telelfonit nisa të shkruaj këngën. Teksti ishte shumë i goditur dhe këtë e ndjeva në çast. Nuk e lexova më tekstin dhe e mbylla menjëherë fletoren sepse nuk doja t’i shpenzoja emocionet. Me të shkuar në punë ditën e nesërme, u ula në piano. Aq shpejt e kompozova, saqë nuk kisha kohë të shkruaja notat. Ato që më vinin në mend i shkruaja me nxitim për të mos i harruar.Me të ardhur Miga i tregova këngën e cila u pëlqye prej saj jashtë mase. Kjo qe e mjaftueshme për të shtyrë Migën drejt derës së drejtorit të cilit i bën të ditur se unë e kisha përfunduar këngën. Me t’u bindur se kënga do të këndohej në festival, nisa ta orkestroj. Kopjova gjithashtu edhe partet e orkestrës vet, pa pritur t’i kopjojë kopisti sepse partet duhej të ishin gati për orkestrën që do të bënte provat në mbrëmje. I pari që tregoi nuhatjen e tij prej muzikanti ishte virtuozi i violinës Enver Qerimi që sapo e dëgjoi këngën u shpreh se ajo ishte edhe kënga e çmimit të parë. Në këto festival shkrova disa këngë të karakterit popullor dhe prej tyre veçoj këngën “S’më ke, s’të kam faj” e cila edhe sot këndohet jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë, Zvicër dhe kudo ku ka shqëiptar. Po ju kujtoj vetëm dy vargje “ Qoftë mallku sahati shkretë/ që ne u morëm vesh/ unë ta shkela komën m’i goce / ti zune me qesh.
Ecja me vitet…
Karriera e kompozitorit Ylli Ramzoti është e ngjeshur dhe e dendur me aktivitete dhe krijimtari artistike. Lista e punimeve të tij modele është e sistemuar në dhjetra e dhjetra dosje të cilat po dixhitalizohen një nga një në studion modeste të Ramzotit. Në krijimtarinë artistike bien në sy lehtësisht dhjetra vepra që kanë dorën dhe mendjen e tij. Romancë për trombë e orkestër, përpunim koral, kuartet harqesh, variacione për violinçel e orkestër, romancë për bariton e piano, romancë për te tenor e piano, poemë për violinë e piano, tokatë për piano e orkestër, rapsodi për orkestër simfonike, trio instrumentale për violinë, kuintet instrumental, rondo për oboe, vals koncentor, përshtatje për trupën e baletit të Teatrit të Operës e Baletit i operës “Traviata” të Verdit janë një pjesë e listës së pafund të krijimtarisë artistike e cila mban emrin dhe nënshkrimin e Ramzotit. Kompozitori me përvojë të shumë dhe vullnet të veçantë ka përgatitur gjithashtu mbi 100 këngë të muzikës së lehtë, popullore dhe për fëmijë. Ndër këngët për të rritur i pëlqen të heq mënjanë dhe të ndalet tek “Qyteti im” çmimi i parë i këngës në Durrës 1987; “Një vello hëne” 1987; “Mbrëmje e qytetit tim” çmimi i tretë në festivalin e këngës në Durrës 1984; “Si atëherë” çmimi i tretë në festivalin e këngës në Durrës 1988; “Malli i marinarit” çmimi i parë në anketën muzikore të pallatit “Rinia” 1989; “ Kitaristi”, “M’as dallndyshes po t’çoj fjalë” çmimi i parë në festivalin e këngës popullore në Durrës; “S’më ke, s’të kam faj” çmimi i dytrë në një të tillë festival po në Durrës. Dhe për të mos u ndalur së lexuari edhe shumë e shumë vepra të tjera. Ramzoti ka përgatitur muzikë për teatër, muzikë teatri për fëmijë duke fituar edhe çmime me vlerë e peshë kombëtare. Kompozitori Ramzoti ka bashkëpunim të plotë dhe efektiv me disa qendra kulturore, shtëpi teatri e kulture, njësi administrative me shtrirje nga Jugu Shqipërisë deri në Veri. Bashkëpunim dhjetravjeçar, siç shprehet vet Ramzoti. Konkretisht kompozitori si krijues ka afruar përvojën, kulturën dhe përkushtimin e tij në Durrës, Krujë, Tiranë, Shkodër, Berat, Vlorë, Librazhd, Kukës, Elbasan, Lushnje, Tepelenë… Për merita në punë dhe suksese në koncerte e takime të ndryshme artistike Ramzoti është vlerësuar nga bashkitë e ndryshme me një sërë stimujsh moral. Në këndvështrimin e tij janë tre komponentë për të shkuar drejt suksesit :Talenti, frymëzimi, përkushtimi. Asgjë, sipas Ramzotit, nuk arrihet nëse këto kolona nuk janë në harmoni mes tyre. “Punonim aq sa nuk ngopeshim me gjum”,-thotë Ramzoti duke u përpjekur në këtë mënyrë të përcejllë mesazhin e qartë dhe të plotë për brezat e të rinjve në art. Ai ka pasur fatin të jetë drejtues artistik në disa festivale kombëtare të Gjirokastrës dhe drejtues i grupit të Durrësit në disa festivale kombëtare të këngës popullore qytetare të organizuar nga qendra kombëtare e veprimtarive folklorike Tiranë. Këto festivale e ballafaqime me ngjyra të theksuara kombëtare janë zhvilluar në Elbasan, Shkodër, Kavajë… Ramzoti vazdhon të jetë shumë aktiv. Në cilësinë e përgjegjësit të sektorit të muzikës në qendrën kulturore “Aleksandër Moisiu” të Durrësit kërkon të tjera ballafaqime e suksese. Ka qenë drejtues artistik i Ansamblit Popullor “Durrësi” për 15 vjet me radhë. Ky ansambël ka bërë një sërë turnesh jashtë vendit si në Itali, Mal të Zi, Bullgari, Kosovë. Në turneun që zhvilloi në Gilan, Kosovë, orkestra e këtij ansambli u vlerësua me çmim të parë ndër orkestrat e këtij festivali.Durrësi sot ka në aktivitet orkestrën e harqeve të drejtuar nga dirigjent Petrika Afezolli dhe orkestrën frymore e pranishme në të gjitha aktivitetet me karakter festiv. Janë aktivizuar gjithashtu në koncerte jubilare të qendrës kulturore: tenor Julian Gjoideshi, soprano Ilsid Çullhai, Olta Juba alto, Sajmir Kalaja oboe, Piro Sota fagot, Arben Leka klarinist …
1976-19880 student në Institutin e Lartë të Arteve
1980-1981 shtëpia kulturës Starovë, Berat
1982-1983 mësues, shkolla e mesme artistike “B. Dudë Karbunara” Berat
1983-1985 mësues, shkolla e mesme artistike “M. Ulqinaku” Durrës
1985-1991 pallati “Rinia” Durrës
1991 shef muzike, përgjegjës në sektorin e muzikës
Botime
Romancë shqiptare, shtëpia botuese “Toena”.
Romanca “Do të të pres këtu”
Romanca “Helmova hidhërimin”
Edukimi muzikor 3, shtëpia botuese “Alba prim”
Redaktor shkencor
Edukim muzikor 2, shtëpia botuese “Alba prim”
Redaktor shkencor
Edukim muzikor 5, shtëpia botuese “Alba Prim”
Kënga “Harabeli”
Kënga “Gjyshes time”.
Edukim muzikor 6, shtëpia botuese “Alba prim”
Kënga “Nën degën e qershisë”
*Sqarim: Për shkak të një problemi, janë fshirë nga memoria e web-it bulevardnews.com, më shumë se 100 portrete, intervista dhe dossier. Shkrimet në fjalë janë të gjithë të botuar në gazetën Bulevard në versionin print dhe pavarsisht se në këto vite shumë njerëz kanë shkruar edhe për emra të përbashkët, koha, rrethanat, problematika, këndvështrimi kur janë botuar këto shkrime mbartin në vetvete një pjesë të memories së qytetit të Durrësit. Duke kërkuar ndjesë, disa prej emrave të shkrimeve nuk jetojnë, redaksia do t’i rihedhë edhe në online, ashtu siç edhe janë botuar, pa ndërhyrë. Koha dhe njerëzit kanë të drejtën e gjykimit dhe vlerësimit. Ky sqarim do të shoqëroj çdo shkrim për të rikrijuar arshivën online. Një falenderim për grupin e punës dhe veçanërisht gazetarin Xhevahir Gradica, që është marrë me këtë rubrikë në gazetën Bulevard. Ju faleminderit për mirëkuptimin!
 
            