Ministria e Shëndetësisë ka propozuar një projektligj për vendosjen e standardeve në cilësinë dhe ruajtjen e Substancave me Origjinë Njerëzore (SoHo). Bëhet fjalë për substanca si gjaku, indet apo qelizat riprodhuese që përdoren për riprodhimin mjekësor të asistuar (fertilizimi invitro) dhe inseminim artificial.
Në relacionin e projektligji “Për standardet e cilësisë dhe sigurisë për substancat me origjinë njerëzore të destinuara për aplikim njerëzor” theksohet se synimi i draftit është që, nëpërmjet vendosjes të rregullave, substancat e marra nga njerëzit (përfshirë gjakun, qelizat, indet ) të jene të sigurta dhe me cilësi, kur përdoren nga dhuruesit te marrësit. Projektligji i propozuar synon të vendosë standarde sigurie dhe cilësie, si për dhuruesin, por edhe marrësin e substancave me origjinë njerëzore, veçanërisht në procesin e riprodhimit mjekësor të asistuar (procesin invitro)
“Ky ligji ka për qëllim të përcaktojë masa që vendosin standarde të larta të cilësisë dhe sigurisë për të gjitha substancat me origjinë njerëzore (SoHO) të synuara për aplikim te njeriu dhe për aktivitete të lidhura me ato substanca, si dhe të sigurojë një nivel të lartë të mbrojtjes së shëndetit të njeriut, veçanërisht për dhuruesit SoHO, marrësit SoHO dhe pasardhësit nga riprodhimi mjekësor i asistuar, duke përfshirë forcimin e vazhdimësisë së furnizimit me SoHO kritike. Ky projektligj promovon solidaritetin, dhurimin vullnetar dhe pa pagesë dhe vetë-mjaftueshmërinë duke rritur në këtë formë besimin publik”, theksohet në relacion e draftit të publikuar te konsultimet publike.
Drafti përcakton se siguria në cilësi do të garantohet në të gjitha fazat e përdorimit të substancave me origjinë njerëzore. Që do të nisë që nga regjistrimi dhe vlerësimi i dhuruesve, testimi dhe mbledhja e SoHO, deri te përpunimi, kontrolli i cilësisë, ruajtja, shpërndarja, importi/eksporti dhe aplikimi te njeriu, si dhe regjistrimi i rezultateve klinike.
Në thelb, projektligji mbulon gjithë ciklin e menaxhimit të SoHO për të garantuar cilësinë dhe sigurinë e përdorimit të tyre.
Projektligji nuk do të zbatohet për transplantet e organeve, për qumështin e gjirit që nëna e përdor vetë për fëmijën e saj, dhe për rastet kur materiali njerëzor përdoret nga i njëjti person pa u përpunuar apo ruajtur më parë.
 
            