Nga Arjan Kallço
Para disa ditësh, në sallën e konferencave të Muzeut Kombëtar të Arsimit në Korçë, në kuadrin e muajit të Letërsisë, Klubi “Bota e re” i Korçës organizoi promovimin e librit më të ri të autorit korçar Ilir Manxura, prej 27 vitesh me jetesë e punësim në Lion të Francës. Takimin e çeli nënkryetarja e Klubit, poetja Gerta Bandilli. Ajo i uroi mirëseardhjen autorit dhe e falenderoi që zgjodhi qytetin e Korçës për të promovuar vëllimin e tij me poezi dhe prozë, duke vlerësuar nismën e Manxurës që t’i drejtohet dhe gjinisë tjetër letrare, prozës. Erdhën në këtë takim dhe ceremoni promovimi poetë, shkrimtarë, artistë, arsimtarë…Nostalgjia për Korçën dhe kontaktet e pandërprera me mikeshat e miqtë e shumtë, sidomos nga fusha e krijimtarisë letrare që ka këtu, e nxitën të zgjidhte përsëri këtë qytet për promovimin e këtij libri. Duke pasur parasysh se prej mbi 30 vitesh letërsia, ashtu si edhe artet e tjera, po përjetojnë braktisje masive nga lexuesit dhe spektatorët, si rrjedhojë e rënies së interesit dhe të fuqisë blerëse të shumicës së qytetarëve, sidomos tek masa e rinisë, pjesëmarrja në këtë ceremoni promovimi, mund të vlerësohet e kënaqshme. Për më tepër, edhe me emra të hershëm e të rinj nga fushat e letërsisë e të kulturës, disa prej të cilëve shprehën me objektivitet opinionet e tyre për këtë libër dhe autorin. Disa anëtarë të klubit recituan poezi dhe u ndalën në analizën e tyre duke theksuar faktin se autori vjen me një libër me mesazhe të qarta për lexuesin. Në vargun e tij plot figuracion gëlon jeta e poetit, që di të hedhë në vargje ndjesitë dhe emocionet e jetuara plot intensitet. Njëkohësisht, ata nxorën në pah vlerat e këtij vëllimi të ri si një arritje dhe përsosje të vargut të vet dhe vetë poezisë së autorit.
HESHTJA
Unë e di
Që qetësinë time do ta prish
Nëse flas
Ndaj po hezitoj
Dhe tik-taket e orës
Me gjuhën e fjalëve platonike
Një e nga një i refuzoj
Ato tik-taket
Që monedhat e arta të jetës
T’i vjedhin si pa u ndjerë
Dhe lëmsh m’i bëjnë fjalë e mendime
Teksa unë près
Që fjalët më të forta nga heshtja t’i gjej
E më pas të flas
Të flas diçka…
Diçka nga jeta ime
Fjala
NDODH
Dëshira
Ndonjëherë guxon e përballet
Me ndonjë rastësi misterioze
Me ndonjë rastësi yjnore që ndoshta nuk vjen kot
Diku
Në ndonjë cep rruge apo në një shëtitore
Aty
Ku për ndonjë shikim të kryqëzuar
Mashtrohen zemra
Që mbi copëza kënaqësie dhe iluzionesh
E humbin arsyen pa u menduar
E humbin
Nga emocione ndjenjash delikate
Nga ato ndjenja të shkathëta
Ku pasioni derdh gjithë përkëdheljet e tij
Dhe zemrat
Luhaten ëmbël mbi një tendë psherëtimash
Pa e ditur se dashuria
Rëshqet një ditë atje tej në një shteg
Ku e panjohura
Rishtas humbet duke u larguar
Dhe më pas
Arsyeja…
Fillon e i grindet fatit
Pa e ditur dhe pa e kuptuar
Fjala
Ja disa pjesë të shkurtra nga diskutimet dhe opinionet e disa pjesëmarrësve:
Mustafa(gazetar, shkrimtar, redaktor i përmbledhjes në prozë të këtij libri…): Është për të theksuar fakti se edhe pse Iliri nuk ka sasi të madhe titujsh në poezi, përsëri mund të thuhet pa mëdyshje e pa qenë subjektiv, se ai ia ka arritur me sukses të formojë e forcojë individualitetin e tij si poet. Poezia e tij karakterizohet nga vargu i lirë, nga lirizmi i çlirët e jo i kërkuar e sforcuar; nga një sens mase në figuracion. Por, edhe nga rrëfimet mjeshtrore poetike, nga përjetimet personale e përtej vetjake, me dozë të lehtë meditimi e psikoanalize…! Shumica e vjershave shquhen edhe për ideimin dhe ndërtimin e tyre si copëza videosh, nxitëse për t’u shtyrë edhe në përfytyrim, edhe për t’u thelluar në nëntekstin e tyre. Iliri është edhe vetvetja, por i bën lexuesit edhe të mendojnë se ka shprehur me origjinalitet artistik në poezitë e tij edhe përjetime e ndjesi të tyre…
Salollari( poete, autore e librave poetikë “TROKAS”, “COPËZA TË PAGJUMËTA”, “ERDHI” JEHONA E SYRIT) Është kënaqësi të jem pjesë e këtij promovimi, ku fjala dhe ndjenja ecin dorë për dore në Bulevardin e Vargut. Libri i Ilir Manxurës më përcolli frymën e poezisë së vërtetë, atë që ndalet, vështron, dhe flet me zemrën e njeriut. Nga vjershat e këtij libri përjetojmë një tufë ndjesish e kënaqësish, frymëzim që na mëson “sekrete” të labirintit apo “detit” të dashurisë. Por, edhe flakjen e ndrojtjes për të shprehur ato që ndjejmë në zemra. Edhe që të heshtim, kur është e nevojshme dhe e dobishme, duke u kthyer te vetja e duke mbetur, mundësisht përjetësisht, vetvetja. Falënderim dhe suksese autorit për këtë udhëtim me emocione të ndjeshëm në poezi e prozë, dhe gjithë atyre që e duan fjalën poetike si një shteg drite në shpirt e në natyrë! Mua më ka pëlqyer shumë vjersha “Stinët e mia”. Besoj se do të më jepni të drejtë, pas leximit të saj…
Suela Cenolli Armata (Poete dhe prozatore, autore e librave Dremitja e lumturisë” dhe “Kur flet ndjenja”, poezi; “Shitësja e ëmbëlsirave”, roman): Poezia e Ilir Manxurës dallohet për ndjeshmëri dhe butësi shpirtërore dhe elegancë shprehjeje, brenda pak vargjeve apo në një hapësirë koncize. Ai depërton lehtësisht e thellë në shpirtin, zemrën dhe mendjen e femrës. Njëkohësisht në shumicën e vjershave të këtij vëllimi bie në sy përzierja e pasionit tokësor e njerëzor me magjinë hyjnore, si diçka që duhet fshehur, por edhe si një dhuratë që ia shton kuptimin, bukurinë, ndjenjat jetës… Sipas gjykimit tim, vjersha ”Historia ime” ka një ton të ndjeshëm emocional, reflektues e romantik. Në të flitet për një dashuri, që përshkruhet si unike, e sinqertë dhe e pastër për nga raportet dhe ndjenjat. Duke e përmbledhur, mund të them se “Është një poezi që nuk kërkon të jetojë fizikisht, sepse ka arritur të mbetet përjetësisht në shpirt…!”
Karafili(Poete e re): Unë jam poetja më e re në klubin e shkrimtarëve të Korçës dhe sot jam vërtet e emocionuar në promovimin e librit “Në bulevardin e vargut” të poetit Ilir Manxura. Më duket vetja si nxënësja para mësuesit. E kam lexuar librin e tij dhe vërtet më ka pëlqyer shumë. Poezitë e poetit janë origjinale, prekëse, filozofike, lirike, erotike, elegante…Ato kërkojnë vëmendje gjatë leximit. Shquhen për përjetime dashurie emocionale, për stilin ekspresiv, për fuqinë me të cilën përcillet mesazhi. Mua më ka pëlqyer shumë poezia ” Lumturi që tremb”. Vargjet e saj zhbirojnë thellë në shpirtin e mbyllur nga krenaria dhe vetmia. Janë vargje të shkruara me finesë. Me vëmendje dhe interes u dëgjuan nga të pranishmit edhe diskutimet prej njohësish të mirë të vlerave dhe të veçantave të krijimtarisë poetike të Ilir Manxurës, edhe të Robert Vangjelit, autor i 9 librave me poezi, të Mimoza Markos, gjithashtu autore e disa vëllimeve me poezi, publicistikë dhe prozë, etj. Edhe këta vunë në dukje në opinionet e veta origjinalitetin poetik të autorit, vlerat më karakterizuese të tij dhe përpjekjet e tij për të qenë sa më tërheqës dhe i pëlqyeshëm për lexuesit, me vjersha që nuk i zhgënjejnë! Edhe që u dhurojnë surpriza me gjetjen e temave sa më jetësore dhe emancipuese dhe me trajtimin e tyre me cilësi artistike, me emocione dhe kënaqësi.
LUMTURI QË TREMB
Nën hijen e krenarisë
Gjithë dritën e mbylli në sytë e saj
Mendonte
Se ajo dritë veç për të ish krijuar dhe…
Për dritën e burgosur
Asnjëherë nuk u ndje në faj
Edhe një zogu aty
Duke i murmuritur cicërimat
Ja vodhi këngën e folesë
Ja vodhi ashtu në fluturim
Pa ja ndjerë fare
Hej !..
Kjo “dreq egoiste e pashpresë” !
…………………
Dhe kështu
I mori e i mbylli të gjitha në shpirt e në zemër
I mbylli ashtu si dinte vetem ajo
Madje
Pa iu vënë as ndonjë numur e as ndonjë emër
Por…
Ditën kur vështrimin drejtoi diku
As qerpiku i saj nuk ju bind më e nuk ju hap
Ndaj…
Tani edhe cicërima zogjsh kur dëgjon
Frika nga deliri e kap
…………………..
Më pas
Veten e lëshoi dalëngadalë…
Ndërsa unë që ja njoha historinë
Nuk mundem më…
Nuk mund të them dot asnjë fjalë.
Fjala
TEK PUSI YT
Tani
Ti m’i njeh mirë të gjitha huqet
M’i njeh edhe dëshirat
Ndonjëherë
Duket se m’i njeh edhe mendimet
Por …
Mos u mundo më kot
Të ma njohesh imagjinatën
Ndryshe
Duke pastruar iluzione
Që të vertetën ta pasurojmë
Do mbetemi gjithë natën
…………..
Edhe unë të njoh
Paçka se je një pus i thellë
Një pus
Ku e fsheha imagjinatën pa e ditur
Dhe pa të treguar
Aty tek pusi yt
Me huqet dëshirat e mendimet e tua
Trazuar…
fund, Ilir Manxura falenderoi Klubin “Bota e re” për mikpritjen, në takimin për herë të dytë për promovim si dhe të gjithë pjesëmarrësit artdashës, sidomos të poezisë. Më pas autori dhuroi për të gjithë të pranishmit nga një kopje të librit me autograf, si shenjë falënderimi për respektin që treguan me pjesëmarrjen dhe opinionet e tyre duke ia shtuar gëzimin në këtë ditë të shënuar për atë si autor e për krijimtarinë e tij artistike. Urimet dhe diskutimet rreth librit vazhduan më pas në një koktejl, që autori shtroi për pjesëmarrësit, si mirënjohje për miqësinë dhe komunikimin në vite si miq në jetë e si kolegë në letërsi.







