Kryetari i Unionit të Afaristëve për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Xhelal Mehmeti, ka njoftuar se më 7 nëntor do të mbahet konferenca e tretë me radhë “Ekonomia shpëton Luginën”, ku do të vendoset edhe gurthemeli i një projekti gjigand ekonomik pika grumbulluese për produktet bujqësore në Luginë.
Mehmeti në një Intervistë për Ekonomia Online tha se në këtë konferencë pritet të përmbyllet faza e parë e projektit që kap vlerën prej mbi 700 mijë eurosh dhe që po bashkon 100 aksionarë shqiptarë nga mbarë rajoni dhe diaspora.
“Kjo është konferenca e tretë me radhë, ashtu si dy konferencat e para, është “Ekonomia Shpëton Luginën”. Për dallim nga dy konferencat e kaluara kjo është një konferencë ku do të mbahet me panelistë, nuk do të ketë tryezë, dhe në këtë konferencë, nga konkluzionet e dy konferencave të para, kemi një projekt gjigand për ne në Luginë, ku do të vendoset edhe gurthemeli i pikës grumbulluese. Konferenca mbahet më 7 nëntor nga ora 10:00. Janë të ftuar gjithë afaristët dhe Odat Ekonomike të gjitha shteteve ballkanike”, tha ai.
Mehmeti theksoi se ideja për këtë nismë ekonomike daton që nga viti 2023, me themelimin e Unionit të Afaristëve për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
“Fillimisht ideja ka qenë qysh në vitin 2023 kur edhe është themeluar Unioni i Afaristëve për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Gjithsesi na është dashur që të bëjmë një avancim të bizneseve afariste dhe të Luginës së Preshevës i ka munguar një organizatë e tillë, dhe ne e kemi marrë iniciativën dhe kemi gjetur një përkrahje të madhe si në aspektin e politikës lokale dhe të dy qeverive – asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë. Gjithsesi neve na kanë përkrahur Odat Ekonomike si në Kosovë, në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. Po ashtu edhe rrjeti i bizneseve globale shqiptare, ku edhe unë jam pjesë e kryesisë së rrjetit, dhe nga dy konferencat e kaluar kemi pasur një eksperiencë jashtëzakonisht të mirë sepse kanë marrë pjesë dhjetëra biznese nga diaspora dhe biznese të mëdha si nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria”, tha ai.
Ai kujtoi se në konferencën e kaluar ishte marrë vendimi për fillimin e projektit të pikës grumbulluese për zhvillimin e bujqësisë.
“Në konferencën e kaluar një nga konkluzionet ka qenë zhvillimi i bujqësisë dhe në atë konferencë është marrë vendimi që të fillojmë me projektin pika grumbulluese. Ky është një projekt gjigand, një projekt i shtrenjtë dhe një projekt i domosdoshëm. Më 9 nëntor të vitit 2024, në Cyrih të Zvicrës kemi krijuar edhe atje një tubim me gjithë afaristët e Luginës së Preshevës dhe shqiptarëve që veprojnë në Zvicër. Kur e kemi elaburuar projektin tonë para tyre, të gjithë kanë qenë një zë që ky projekt mos të marrë kahje si humanitare, por të shkojë në aspektin e aksionarëve. Ky projekt kushton mbi 700 mijë euro dhe ne na duhet minimum 30 për qind me fondacion vetanak dhe aty është marrë vendimi që të ndahen 100 aksione nga 2500 euro, ku do t’i jepen Unionit të Afaristëve. Nga ai takim rrjedhi që janë mbledhur mbi 60 aksionarë nga 2500 euro që kanë kontribuar. Në këtë konferencë besoj që do të plotësohet numri”, tha Mehmeti.
Ai shtoi se ky është projekti i parë gjithëkombëtar që bashkon afaristë shqiptarë nga të gjitha trojet dhe diaspora.
“Është një projekt i parë gjithëkombëtar shqiptar që i mbledh 100 aksionarë përreth një projekti gjithëkombëtar. Aksionarët shumica janë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe diaspora, më së paku ka nga Lugina. E veçanta e kësaj është se u janë bashkuar shqiptarët anë e kënd me një model shumë modern, ku 2035 po bëhet një fondacion për një projekt për të zhvilluar Luginën e Preshevës. Andaj bëj apel që kjo është një konferencë historike dhe bëj ftesë të gjithë atyre që kanë mundësi të vijnë dhe të bëhen pjesë e kësaj historie”, tha ai.
Mehmeti theksoi se projekti synon jo vetëm zhvillimin ekonomik, por edhe frenimin e largimit të të rinjve nga Lugina.
“Sot të kontribuosh në ekonominë e Luginës së Preshevës është më shumë se atdhedashuri, andaj i bëj apel të gjithëve që të vijnë. Do të marrin pjesë panelistë të ndryshëm, por do të jenë edhe vetë afaristët që ballafaqohen me problematika të llojllojshme, gjithashtu edhe bujqit tanë që kanë jashtëzakonisht shumë nevojë për të punuar, por që kanë ngecur sepse krijohen kushte. Me bujqit tanë që nga paslufta nuk është marrë kush, është hapi i parë që është duke u bërë konkret me bujqit tanë dhe unë shpresoj që kjo do të jetë një ndër faktorët ku do të kemi mundësi me bërë edhe parandalim të të rinjve që të mos ikin, sepse ka ardhmëri edhe brenda Luginës së Preshevës dhe në këtë formë po e japim kontributin tonë”, tha ai.
Ai bëri të ditur se pika grumbulluese do të jetë një qendër e përbashkët për bujqit dhe distributorët ndërkombëtarë, duke përfshirë kompani nga Finlanda, Gjermania dhe Zvicra.
“Pika grumbulluese do të jetë një pikë ku i mbledh të gjitha produktet bujqësore dhe aty klasifikohen dhe produktet eksportohen nëpër vendet perëndimore. Ne kemi pasur kontakt me mbi 600 bujq dhe e dimë saktë çfarë kushte kërkojnë ata bujq, ku e kanë potencialin e tyre dhe çka mund të prodhojnë. Por njëkohësisht kemi edhe distributorë nga Finlanda, Gjermania, nga Zvicra të cilët na kanë kërkuar dhe janë shumë të interesuar, ku edhe do të jenë prezent në konferencë. Do të na shpjegojnë se për cilat produkte kanë më shumë nevojë. Tani ne kemi edhe Departamentin e Bujqësisë brenda Unionit, ku është profesori Fatgzim Latifi me ekipin e vet që kanë punuar shumë. Ne e dimë se klima e Preshevës çfarë produkti mund të ofrojë më shumë prodhim. Në bazë të kësaj do t’i elaburojmë ato në konferencë, për cilat produkte do të orientohemi. Pika grumbulluese do të garantojë për këto produkte dhe madje distributorët do të jenë garantues që nga fillimi deri në tregun ku do të shiten. Projekti tani do të fillojë dhe se brenda vitit 2026 do të mbarojë”, tha Mehmeti.







