Menjëherë pasi mazhoranca refuzoi ngritjen e dy komisioneve hetimore parlamentare të kërkuara nga opozita, kreu i PD, Sali Berisha mori fjalën në foltoren e parlamentin.
Berisha tha se ky është një ndër aktet më të rënda në historinë e vendit dhe premtoi se opozita do të bëjë çdo betejë për të rikthyer votën e lirë.
“Të dashur qytetarë dhe qytetare! Zgjedhjet e 11 majit morën damkën përfundimtare si farsë elektorale në një raport prej 45 faqesh. Faqezitë dhe kriminelët që dhunuan ato zgjedhje, refuzuan qoftë dhe një debat për raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet në parlament, dhe tani shkelmojnë një të drejtë kushtetuese të atyre që përfaqësojnë qindra mijëra shqiptarë me votë të dhunuar në këtë vend. Me këtë vendim, ju vetëm sa firmosni fundin e këtij parlamenti.
Ne nuk kemi njohur zgjedhjet. Nuk kemi njohur rezultatin e tyre. Komuniteti ndërkombëtar i damkosi si zgjedhje që shkelën në mijëra raste ligjet e vendit. Shkelën parimet më themelore të zgjedhjeve të drejta. Ata përdorën të gjithë mekanizmat e një diktature autokratike për të deformuar rezultatin dhe tani keni frikë nga mijëra fakte që ne disponojmë. Ju besoni se duke na bllokuar të drejtën kushtetuese mund të kapërceni këtë? Kurrë jo! Ne do t’iu përgjigjemi,” shtoi Berisha.
 
            