Ballina Editorial Shansi i Dytë i Artë i Lulzim Bashës, 21 Janari rrëfimi që...

Shansi i Dytë i Artë i Lulzim Bashës, 21 Janari rrëfimi që i detyrohet historisë

75
0

Nga Sidi Hasanaj 

Një provë karakteri mes së shkuarës dhe të vërtetës

Rrallë në politikë historia të troket dy herë në derë.
Lulzim Bashës po i troket për herë të dytë dhe ndoshta kjo është edhe mundësia e fundit që mund ta shpëtojë nga humbja politike.

Gabimi i parë: Lufta me “armë paqësore”

Bashës iu dha një mundësi e artë me shpalljen non grata të Sali Berishës. Ishte momenti kur mund të ndahej përfundimisht nga e kaluara dhe të ndërtonte një Parti Demokratike të re, moderne dhe të besueshme. Por nuk e bëri dot dhe sot PD është kthyher përsëri në kthetrat e Berishës.

Arsyet janë të shumta…disa mendojnë se nuk donte të hapte një luftë civile brenda demokratëve; të tjerë se nuk guxoi ta përballonte Berishën; të tjerë se ishte në një lojë të dyfishtë.
E vërteta, si gjithmonë në politikë, nuk është bardh e zi.

Lulzim Basha nuk deshi të fuste demokratët në një përplasje shkatërruese vëllavrasëse.
Ai kërkoi të fitonte me qetësi, me argumente, shpesh i mbështetur në ndërgjegjien e ish bashkëpunëtorëve të tij… që një nga një u thyhen nga joshja apo frika e pushtetit despotik të Berishës.

Por në politikë, kush hap një luftë, jo vetëm duhet të ketë vendosmërinë dhe vetësakrificën që ta çojë deri në fund, por duhet të hyjë me bindjen se ka vetëm një opsion: të fitojë!

Nuk mund të përballesh me përbindëshin me “armë paqësore”, as me argumenta, as me program, as me fushata pozitiviste teksa ai lëshon vrerin më helmues të shpifjeve kundër teje.

Ai u përpoq të luftonte me procedura ligjore, me diplomaci në Washington, ndërsa beteja zhvillohej në terrenin e brutalitetit politik shqiptar.
Ky ishte gabimi i tij më i madh.

Por ndonjëherë historia të jep një mundësi të dytë.
Sot, me thirrjen e tij në SPAK si person që ka dijeni për ngjarjet e 21 Janarit, Lulzim Basha përballet me një provë karakteri, me një mundësi unike të dytë.

Nuk është thjesht një procedurë ligjor por është një test moral.
Nga sot e tutje, sa herë të thirret në SPAK, Basha duhet të kujtojë se besnikëria e tij e vetme duhet të jetë me të Vërtetën, jo me Sali Berishën.

Ai ka një detyrë të qartë morale: t’u shërbejë demokratëve dhe të vërtetës, jo babëzisë politike që i ka mbajtur peng për dekada.
Jo me urrejtje, jo me hakmarrje për Berishën, por me guxim dhe dinjiter të përballet me të vërteta përpara shpifjeve dhe intrigave të tij.

Publiku duhet ta dijë të plotë të vërtetën e 21 Janarit.
Duhet të dijë konfliktin e Bashës me Berishën gjatë protestës, largimin demonstrativ të tij nga Kryeministria drejt Ministrisë së Brendshme, dhe urdhrin e qartë që ai kishte dhënë për policinë:

“Asnjë efektiv me armë. Asnjë kundërpërgjigje me armë. Asnjë protestues të mos dëmtohet.”

Këto nuk janë udhëzime teknike, por janë gurë themeli të përgjegjësisë morale.
Publikimi i këtyre fakteve do të ishte një akt shpërblimi ndaj nesh bashkëpunëtorëve të tij që Zoti e di sa kemi sakrifikuar qetësi shpirtërore, një shërbim ndaj së vërtetës dhe ndaj drejtësisë që Shqipëria ende s’e ka parë.

Nga Sot Basha ka në dorë jo të hakmerret, por të çlirojë ndërgjegjen e demokratëve nga frika dhe heshtja.
Sepse në fund, historia nuk do ta gjykojë më për gabime taktike, por për mungesë guximi moral.

Nga sot ka shansin tju tregojë atyre që e konsiderjnë “në lojë” me Berishën, “ të trembur nga Berisha” se e vërteta është krejt ndryshe.

Por ka edhe detyrimin ndaj pak njerëzve që i qëndruan dhe qëndruam edhe pas 11Majit, në krah… njerëtve më të fshikulluar nga ushtarët e Ramës-Berishës dhe Metës.

Siç thoshte Adam Smith:
Mëshira ndaj të ligut është mizori ndaj viktimës.