Ballina Politika SHBA e hoqën Dodikun nga lista e zezë, a mund të ndodhë...

SHBA e hoqën Dodikun nga lista e zezë, a mund të ndodhë e njëjta gjë dhe me doktor Saliun?

146
0

Heqja e sanksioneve ndaj Millorad Dodikut nga SHBA ndezi menjëherë pyetjen që shumë e mbanin në heshtje: a mund të ndodhë e njëjta gjë me Sali Berishën?

Në pamje të parë, mund të duket e mundshme, në fund të fundit, është përsëri Uashingtoni që vendos.

Por kush njeh mënyrën si funksionon politika amerikane, e di se këtu s’bëhet fjalë për rastësi apo mëshirë diplomatike.

Dodik u “rehabilitua” për arsye gjeopolitike. SHBA po përpiqet ta mbajë Bosnjën larg ndikimit rus e serb, dhe në këtë lojë, më mirë ta kesh Dodikun në tavolinë. Ka zëra edhe që ai në këmbim do largohet nga politika.

Pra, lëvizje taktike, jo falje.

Ndërsa me Berishën, historia është tjetër. Shpallja “non grata” s’ka ardhur për shkak të ndonjë ekuilibri rajonal, por për shkak të korrupsionit dhe pengimit të drejtësisë në vendin e vet.

Ky është vendim me natyrë parimore, jo gjeopolitike. Dhe SHBA, për aq sa e ka treguar në dekada, nuk e përdor moralin si monedhë shkëmbimi.

Të mendosh se Berisha mund ta “heqë” non gratën si një njollë që fshihet me kohë, është ta mos kuptosh mesazhin e saj. Sepse ky status nuk është masë disiplinore, por një vulë që Uashingtoni vendos për të mbajtur një standard.

Vulat e tilla nuk hiqen për t’i bërë qejfin askujt, aq më pak për të rikthyer në lojë një njeri që për SHBA-në simbolizon vetë pengesën e tranzicionit shqiptar.

Në këtë kuptim, “non grata” e Berishës nuk është dosje që mbyllet. Është kapitull që nuk shkruhet më. (DITA)