Ballina Kuriozitete Shkencëtarët zbulojnë një formë të panjohur jete nën akullin e Arktikut

Shkencëtarët zbulojnë një formë të panjohur jete nën akullin e Arktikut

81
0

Një zbulim befasues nga shkencëtarët e Universitetit të Kopenhagenit po sfidon atë që dihej deri tani për jetën nën akullin e Arktikut. Një studim i ri ka treguar se procesi i “fiksimit të azotit”, i domosdoshëm për jetën në tokë dhe në oqean, mund të ndodhë edhe nën akullin e detit, diçka që deri më sot konsiderohej e pamundur.

Në Tokë, oksigjeni është thelbësor për shumicën e formave të jetës, por atmosfera përbëhet kryesisht nga azoti, një gaz inert që duhet “fiksuar” në forma të përdorshme për organizmat e gjallë, si amoniaku apo amonium. Këtë proces, të quajtur fiksim i azotit, në tokë e kryejnë bimët dhe disa baktere, ndërsa në det janë cianobakteret që luajnë rolin kryesor.

Këto organizma janë themeli i zinxhirit ushqimor, pasi produktet e tyre ushqejnë algat, burimin kryesor të ushqimit për jetën detare. Deri vonë besohej se fiksimi i azotit ndodhte vetëm në ujërat e ngrohta, por studimet e fundit kanë treguar se ky proces ndodh edhe në Oqeanin Arktik. Studimi i ri, botuar në Communications Earth & Environment, konfirmon se ai zhvillohet edhe nën shtresat e akullit, për herë të parë në histori.

Shkencëtarët kanë zbuluar një organizëm të ri, të quajtur “diazotrof jokianobakterial” (NCD), që mund të kryejë këtë proces edhe në ujërat e ftohta të Arktikut. Ai është zbuluar në kufirin e akullit që po tërhiqet për shkak të ngrohjes globale dhe duket se fiksimi i azotit ndodh edhe nën akullin e detit, çka mund të ndryshojë tërësisht mënyrën si kuptohet ekosistemi arktik.

Pasi algat janë thelbësore për ushqimin e planktonit dhe peshqve të vegjël, ky zbulim mund të ketë ndikim të madh për jetën detare, dhe gjithashtu për klimën, pasi algat thithin dioksid karboni nga atmosfera.

“Ende nuk dimë nëse efekti përfundimtar do të jetë pozitiv për klimën”, thekson Lasse Riemann, bashkautor i studimit. Edhe pse njerëzimi vazhdon të dëmtojë planetin, duket se Toka ende gjen mënyra për të mbajtur jetën gjallë.