Ballina Politika “Shqipëria që po lulëzon” vetëm në video-mesazhe: kur Eurostat, INSTAT dhe Banka...

“Shqipëria që po lulëzon” vetëm në video-mesazhe: kur Eurostat, INSTAT dhe Banka e Shqipërisë rrëzojnë të gjitha pretendimet e qeverisë për mirëqenie

84
0

Video-mesazhi i ministres Delina Brahimaj pak ditë më parë ishte vërtet një akt propagande me të cilin thjesht mund të talleshe. Por përtej kësaj përpjekje për të mbajtur gjallë narrativën e “Shqipërisë që po lulëzon” shifrat ndërkombëtare dhe ato zyrtare që vetë qeveria publikon tregojnë një panoramë krejt tjetër: një vend ku perceptimi i varfërisë, çmimet, pagat dhe mundësia për të ndërtuar një jetë dinjitoze janë në përplasje drastike me atë që njoftohet zyrtarisht.

Propaganda rilindase po kthehet përditë e më shumë në stilin e propagandës enveristo-komuniste, me boshtin qendror që kalon mes dy argumenteve kryesore:

1.      lumturinë dhe begatinë e miletit shqiptar nën udhëheqjen e ndritur të Rilindjes e komandatit të saj kryeministër, si dhe

2.      përpjekjeve të të tjerëve për të nxirë Shqipërinë dhe udhëheqjen rilindase.

Fakti kryesor: 55% e shqiptarëve të anketuar janë shprehur se kanë „më shumë vështirësi“ apo se „me vështirësi“ arrijnë të përballojnë fundin e muajit. Kjo shifër është ndjeshëm më e lartë kur krahasohet me mesataren e BE-së, 17.4%. Duket se ky fakt e zemëroi qeverinë, sepse i rrëzoi propagandën, dhe Ministrja e Ekonomisë e shpalli shifrën si të gatuar ne departamente opozitarësh. E vërteta është që kjo shifër ka dalë nga EUROSTAT në kuadër të matjes që ky institucion i bën varfërisë subjektive, pra matjes së perceptimit individual të individëve. EUROSTAT-i nuk është departament i opozitës shqiptare dhe kjo rrëzon poshtë pretendimin që ngre Ministrja për këtë shifër. Por edhe nëse mënyra se si matet treguesi ka në vetvete subjektivitet të theksuar, kjo tregon që përtej propagandës qeveritare, mbi gjysma e shqiptarëve ndihen të varfër.

Fakte të tjera që rrëzojnë mrekullinë rilindase:

Sipas EUROSTAT, Shqipëria (qershor 2025) ka pagën minimale më të ulët në Europë (pa shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik). Madje kjo pagë është 34% më pak sesa mesatarja e pagave minimale të Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë – pra të Ballkanit të hapur që e kishte për zemër Kryeministri ynë.

Sipas EUROSTAT, Shqipëria (2024) ka cmimet e ushqimeve 1% më të shtrenjta se mesatarja e BE-së (këtë në fakt nuk ka nevojë aq shumë të na e thotë EUROSTAT, sepse cdo shqiptar që udhëton jashtë dhe hyn në supermarkete e bën menjëherë këtë llogari), ndërkohë që të ardhurat janë sa 41% e mesatares së BE-së. Kërcimi i cmimeve në Shqipëri ka filluar sidomos pas vitit 2018. Nëse nga 2005-2018 këto cmime ishin rreth 68-78% e mesatares së BE-së, më pas filluan t´u afrohen atyre dhe në 2023 ishin 93% e mesatares së BE-së.

Sipas INSTAT, paga mesatare mujore bruto krahasuar me dhjetë vite më parë (2024 kundrejt 2014) ka rritje nominale 70% dhe të indeksuar me inflacionin 42.4%. Rritja e pagës ka qenë më e lartë në dy vitet e fundit, nën ndikimin e rritjes së pagave të administratës. Por krahasuar me rajonin (përjashtohet Kosova) përsëri janë 30% më të ulëta.

Sipas treguesit Numbeo (mesi i vitit 2025), një familjeje mesatare shqiptare i duhet mesatarisht të punojë për rreth 16.3 vite që të arrijë të blejë një apartament (pavarësisht se kudo në Shqipëri ngrihen kulla). Kjo periudhë është më e gjata në të gjithë Europën dhe lidhet me nivelin e të ardhurave, por dhe me përshpejtimin e rritjes së cmimeve të apartamenteve. Indeksi Fischer (që mat cmimin mesatar të banesave të shitura, publikuar nga Banka e Shqipërisë) u rrit me 44.5% krahasuar me një vit më parë dhe 23.6% krahasuar me gjatë muaj më parë.

Sipas Bankës Botërore (2021) shpenzimet për frymë për shëndetin në Shqipëri janë 465 dollarë dhe nga kjo shumë 60% përballohen nga xhepi i shqiptarëve, dhe është në rritje që nga viti 2000 (rreth 52%), përsëri duke patur nivelin më të lartë të shpenzimeve që përballohen nga xhepi krahasuar me të gjitha vendet e Europës. Ndërkohë që për disa vite rresht në rishikimet që i bëhen buxhetit të shtetit në fund të vitit, miratohet shkurtimi i shpenzimeve të buxhetuara për kujdesin shëndetësor. Pesha e shëndetësisë në shpenzimet publike ran ga 10.45% vitin e kaluar në 9.7% këtë vit, madje edhe nnë kushtet kur në nëntë muajt e parë të vitit 2025 buxheti ka një suficit prej 47 miliardë lekë.

Sipas INSTAT (2024) 40.5% e popullsisë shqiptare është në rrezik varfërie ose përjashtimi social. Kjo do të thotë që kjo pjesë e popullsisë plotëson të paktën një nga kriteret në vijim: është në rrezik të varfërisë monetare, me të ardhura më të ulëta se 60% e mesatares kombëtare; ka mungesa të theksuara materiale apo sociale, pra nuk ka mundësi të përballojë shpenzimet bazë të ngrohjes, faturave, ushqimit, veshjeve etj.; si dhe jeton në familje me të rritur që punojnë shumë pak apo aspak gjatë vitit. E vërteta është që tre vite më parë ky tregues ishte më i lartë (44.5%), por nga të dhënat e EUROSTAT tregojnë që ky tregues është më i lartë në Europë dhe sa dyfish mesatarja e BE-së (21%). Në qytetet e mëdha të Shqipërisë (Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier) 41.8% e popullsië është e rrezikuar nga varfëria, ose gati sa dyfishi i mesatares së BE-së.

Sipas Kombeve të Bashkuara, Shqipëria renditet në vendin e 89-t (nga 140 vende gjithsej) në indeksin e lumturisë për vitin 2025, duke qenë më e palumtura në Europë (lë pas vetëm Turqinë), kryesisht për shkak të korrupsionit (ky faktor e rendit Shqipërinën ë vendin e 114-t), mbështetjen sociale (vendi 111).

Sipas Institutit të Vjenës për Studime Ndërkombëtare, Shqipëria është ndër vendet pe ecurinë më të ngadaltë në konvergjencën me BE-në në fushat e arsimit dhe shëndetësisë. Shpenzimet për arsim janë 57% e mesatares së BE-së, ndërsa për shëndetësinë sa 43%. Sipas Converge2.eu, Shqipërisë i duhen 39 vite që të arrijë nivelin europian në shënteësi dhe më shumë se 50 vite që të arrijë nivelin arsimor.

Ka dhe plot tregues të tjerë që mund të sillen për të evidentuar hallet dhe palumturinë shqiptare. Por këto janë disa nga më tipiket që rrëzojnë propagandën rilindase të sintetitzuar në monolgun ministror, që konfirmojnë perceptimin që kanë 55% e shqiptarëve se e mbyllin muajin me vështirësi.

Këto koncepte, tregues dhe burime, Ministres nuk i lejohet t´i shtrembërojë në monologun prapagandistik, sidomos nga fakti që ajo vetë ka drejtuar dikur INSTAT dhe duhet të jetë më shumë se kushdo në atë qeveri e njohur me to.

Por pritet të ndodhë një gjë e tillë në një qeveri që ka në fokus të kënaqë klientelizmin, oligarkinë. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, buxhetet faktike për vitet 2017-2024 tregojnë se për 12 koncesione janë dhënë 84 miliardë lekë. Për gjysmën e tyre (6 koncesione, në total 39 miliardë lekë) janë hapur apo kanë filluar procedura hetimore nga SPAK me akuza për korrupsion, shpërdorim detyre dhe deri pastry parash.

Ky mal korrupsioni sigurisht frymezon monologjet propagandistike, por shifrat e rrëzojnë përtokë./vna