Nga foltorja e Kuvendit, deputetja Jozefina Topalli ka lëshuar akuza të forta ndaj reformës në drejtësi, duke e cilësuar atë si një eksperiment të dështuar që e ka lënë shtetin “në koma” dhe ka shkatërruar besimin e publikut tek institucionet. Në një fjalim të ashpër, Topalli pikturoi një panoramë të zymtë të sistemit gjyqësor, 10 vite pas nisjes së reformës.
Sipas saj, dështimi i reformës në drejtësi është shumë më i rrezikshëm se dështimi i çdo reforme tjetër, pasi krijon një vakum alarmues. Ajo theksoi se vendi ka kaluar pesë vite pa Gjykatë Kushtetuese dhe një kohë të gjatë pa Gjykatë të Lartë funksionale, duke e përkufizuar këtë periudhë si një “shtet pa të drejtë për qytetarët”.
“Nëse në një zyrë gjykate mungon gjykatësi, aty ligji vdes. Nëse në një zyrë mungon prokurori, aty krimi jeton”, deklaroi Topalli, duke denoncuar se mbi 30% e vendeve në gjykata dhe prokurori janë vakante. Kjo situatë, sipas saj, ka çuar në zvarritje ekstreme të proceseve, ku qytetarëve u duhet të presin deri në 16 vite për një vendim gjyqësor, duke shuar shpresat dhe durimin e tyre.
Deputetja vuri në dyshim narrativën e suksesit të reformës, duke pyetur retorikisht se përse ky model nuk u aplikua në asnjë vend tjetër të rajonit, si Maqedonia e Veriut apo Mali i Zi. Ajo solli në vëmendje edhe faktin absurd se numri i personave në paraburgim është disa herë më i lartë se numri i të dënuarve, duke ngritur pyetjen: “A thotë Kushtetuta se duhet të jetë ligji përpara prangave dhe jo pranga para ligjit?”
Fjalimi i saj kishte shembuj tronditës, duke përmendur dramën e një gjykatësi të vrarë në sallën e gjyqit dhe rastin e një avokati të arrestuar arbitrarisht, si dëshmi të kolapsit të sistemit. Duke e cilësuar reformën si “eksperimenti më i pamëshirshëm me shtetin shqiptar”, Topalli bëri thirrje për pranimin e dështimit dhe ndërmarrjen e hapave urgjentë për të rikuperuar kohën e humbur dhe për të rindërtuar një sistem që u jep besim qytetarëve.
Jozefina Topalli: Ndodh dhe ka që edhe reformat dështojnë.
Kur reforma dështon në drejtësi, sigurisht që kjo është shumë më e rrezikshme se dështimi i çdo reforme tjetër.
Por kur pushteti refuzon dështimin e reformës, atëherë ne kemi një përballje me një alarm të madh, mjaft që quhet shtet.
Pas 10 viteve, ne përballemi me një situatë që nuk ka lidhje me ato që lexojmë në letra, as me ato raporte që sapo dëgjuam.
Pas 10 viteve, nga të cilat ne kemi përjetuar pesë vite pa Gjykatë Kushtetuese, do të thotë kemi jetuar me një gjykatë, me një sistem dhe me një shtet arbitrar.
Në këto 10 vite, po kaq gjatë, kemi jetuar me mungesën e Gjykatës së Lartë.
Që do të thotë se ne jemi përballë dhe kemi pasur një shtet pa të drejtë për qytetarët, ose një shtet në koma.
Gjatë kësaj periudhe ne përballemi me gjykata dhe prokurori që mungojnë mbi 30%, kanë vakanca dhe janë të paplota.
Nëse në një zyrë gjykate mungon gjykatësi, aty ligji vdes.
Nëse në një zyrë mungon prokurori, aty krimi jeton.
Nëse një vendim gjyqësor ne duhet që ta marrim mbas 16 vitesh, kjo ka të bëjë me atë që thuhet, koha dhe ndikimi i tij në dhënien e drejtësisë.
A keni parë se sa të padurueshëm janë bërë njerëzit, sepse humbin durimin? A keni vënë re se sa pak besim kanë ata ndaj sistemit të drejtësisë, sepse ne i kemi dhënë të kundërtën.
Dhe kur i heq besimin dhe ai humb edhe durimin, ai mund të kalojë edhe në momente të një humbje të vetëdijes, se për shpresë nuk flitet më.
Këtu, edhe nga drejtorët e drejtuesit e institucioneve, ngrihet anë që numri i atyre që janë në paraburgim është disa herë më i lartë se numri i atyre të burgosur.
Më thoni pak, ku janë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut?
Ky është kapitulli i kushtetutës që i jep garanci qytetarit, njeriut, që të ketë të mbrojtur të drejtën e tij në çfarëdo situate.
Po nëse ti i vendos prangat përpara ligjit, si e ka emrin ky shtet?
A thotë kushtetuta se duhet të jetë ligji përpara prangave dhe jo pranga para ligjit? Dhe ju i thoni sukses, dhe ju thoni se kjo reformë nuk ka dështuar?
Po t’ju bëj një pyetje.
Pse kjo reforma juaj që për mua personalisht është eksperimenti më i dështuar në raport me shtetin, nuk u aplikua as në Maqedoni, as në Mal të Zi, as në vende të tjera?
Po si ka mundësi që e quani një sukses kur në gjykatat e rretheve të ndryshme mund të ketë një, dy apo tre gjykatës?
Dhe këto shkojnë dy apo tre ditë në javë.
Kaq të iluminuar janë këto, kaq të lirë janë këto se e dinë që dita e punëve në javë është si ajo që ka thënë kryeministri i vendeve nordike ta bëjmë me katër ditë, këta e kanë bërë me dy ditë.
Edhe datën kur e kanë për proces gjyqësor, ato nuk janë aty dhe nuk paraqiten.
A mund të quhet sukses një reformë kur nuk ka drejtues të prokurorive në rrethe? Më thoni ju.
A mund të quhet sukses? A mund të quhet sukses një zyre apo prokuroria që nuk ka drejtuesit e vet në rrethe.
A na falet ne që kanë kaluar kaq pak javë dhe ne nuk flasim për skandalin dhe për dramën më të madhe që ka ndodhur në sistemin e drejtësisë, kur një gjykatës vritet duke dhënë vendimin në sallën e gjyqësorit?
Nuk na falet ne, që një avokat të merret dhe të arrestohet sepse ashtu e mendon një prokuror.
Kush mund të më thotë mua se rekrutimi i magjistratëve është një proces i purifikuar, pa ndërhyrje politike apo pa pagesa aty.
A është mirë që të mendojmë që, t’i japim përgjegjësi vetes së pari dhe pastaj t’ia kërkojmë të tjerëve, që të, së pari të pranojmë se ne kemi dështuar në atë që është reforma e drejtësisë, që ka zgjatur 10 vjet dhe jemi më keq se ç’kemi qenë 10 vite përpara.
E dini sa familje janë shuar duke pritur vendimet gjyqësore? Pse nuk flet kush për kontratat, që nuk i del garant asnjëri?
Nuk flet njeri për problemet familjare dhe zgjidhjet e divorceve.
Sikur nuk ka rëndësi jeta e njeriut, paqa në familje, paqa në shoqëri. Por nëse ne i kemi hequr atyre besimin, shpresën,
çfarë mendoni ju, se shoqëria do të jetë në paqe, se njerëzit do të jenë të lumtur?
Po a mendoni se është rastësi që brenda një dite u vranë menjëherë shtatë vetë, mes të cilëve kryesisht të rinj?
Këtu dëgjoj ministren që thotë që është rritur, është ulur numri i të vrarëve. Ndërkohë, prokurorët flasin për krijimin e organizatave kriminale tmerrësisht të rrezikshme. Prokurori i Përgjithshëm thotë që nuk kemi 30% të, i kemi bosh, po nuk kemi edhe zyra në qoftë se ato nuk kthehen. Prokurori i Përgjithshëm thotë se jemi shumë më në vështirësi sesa ishim përpara.
Ju i thoni sukses. Unë ftoj ndërgjegjen tuaj, politike, por edhe njerëzore.
Vëjeni veten të përballeni në një sistem gjyqësor ku ju nuk keni të garantuar të drejtat dhe liritë themelore.
Kur nuk keni mundësi për të kërkuar të drejtën.
Dhe përveç të gjithë këtyre, e dini ju që institucionet kryesore, qeveria e gjyqësorit, qeveria, prokurorë, qeveria e prokurorisë dhe qeveritë e tjera nuk flasin me njëri-tjetrin?
A e dini se edhe brenda vetë institucioneve nuk flasin me njëri-tjetrin?
Ky ishte eksperimenti më i pamëshirshëm që mund të bëhej me shtetin shqiptar. Po kjo kërkon që të paktën, një, të kërkosh të falur, dy, me shpejtësinë më të madhe të rekuperosh kohën sa të jetë e mundur për të ndërtuar një sistem që kërkon dhe të jep besim.
 
            