Gjergj Nika është regjistruar nga KQZ për zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit për Bashkinë e Vlorës si kandidat i pavarur. Vendimi u mor nga Kolegji Zgjedhor në mbledhjen e sotme, ndërsa bëhet me dije se Nika do të rendit i treti në fletën e votimit.
“Pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor të datës 30 Tetor 2025, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve shqyrtoi projektvendimin “Për regjistrimin dhe caktimin e numrit rendor në fletën e votimit për kandidatin për Kryetar Bashkie z. Gjergji Nikë Nika, i propozuar nga zgjedhësit, për Bashkinë Vlorë, për zgjedhjet e pjesshme vendore në disa njësi të qeverisjes vendore, të datës 9 nëntor 2025”. Komisioneri vendosi regjistrimin e z. Gjergji Nikë Nika, si kandidat për kryetar të Bashkisë Vlorë, i propozuar nga zgjedhësit dhe do të renditet i treti në fletën e votimit të njësisë zgjedhore Bashkia Vlorë.”, njofton KQZ.
Pak ditë më parë, vetë KQZ e kishte hedhur poshtë kërkesën e tij për kandidim, me argumentin se duhet të ishte propozuar nga një Komitet Nismëtar dhe duhet të kishte respektuar procedurën. Vendimin e KQZ-së, ish-këshilltari i PD-së e ankimoi menjëherë në KAS.
Gjerjgi Nika u shkëput nga Partia Demokratike pak ditë më parë, duke u shpallur kandidat i pavarur. Sipas këshilltarit, Partia Demokratike ka nevojë të “çlirohet” nga individë groteskë, siç i cilëson ai, dhe se opozita nuk mund të tallet më me demokratët.
 
            