Ballina Opinion Umberto Eco, Facebook dhe “pushtimi i idiotëve”!

Umberto Eco, Facebook dhe “pushtimi i idiotëve”!

100
0

Nga Arian Galdini

Zhurma s’është më tingull, është bërë mënyrë jetese.

Një kor që s’lind nga turmat, por nga ekranet, pa fytyrë, pa turp, pa kufij.

Në këtë zhurmë, çdo fjalë që dikur fitohej me dije, me mund e me kulturë, sot hidhet si monedhë e lehtë në tregun e vanitetit.
Umberto Eco e pa këtë më herët se ne.

Ai e denoncoi “invasion of idiots”, pushtimin e idiotëve, përmbytjen e padijes së sigurt që vjen jo me armë, por me tastierë.

Eco nuk e urrente popullin, as fjalën e lirë.

Ai e njihte dhimbjen e heshtjes që lind fjalën e vërtetë.

E dinte se liria e shprehjes nuk është barazi e mendjeve, por barazi e dinjitetit.

E drejta e fjalës pa detyrën e kuptimit është liri pa busull.

Opinioni i informuar kërkon tri gjëra të thjeshta, një fakt të verifikueshëm, një arsyetim që mban peshë dhe një kufi të pranuar të dijes.

Pa këto, fjala s’është mendim, është jehonë.

Fjalët e Umberto Ecos ishin thirrje për dallim, jo për ndalim.

Sepse, në çastin kur çdo mendim trajtohet si “opinioni im”, e vërteta rrëzohet nga froni dhe shndërrohet në status.

Liria nuk rrezikohet nga fjala, rrezikohet nga fjala pa provë.

Fjala, pa provë, është zë pa shtyllë.

Rrjetet sociale, sa herë shpërblejnë reagimin mbi kuptimin, prodhojnë një ekonomi të nxitjes, një bursë vëmendjeje.

Aty shpërblehet vëmendja, informacioni i bindet klikimit, reagimi vrapon, e kriteret mbeten pas perdes.

Sot, çdokush mund të ngjitet në të njëjtën platformë me një nobelist, jo pse ka ecur në dije, por pse ka sinjal.

Kështu, graviteti i mendimit hollohet në kursin e egos.

Facebook-u na lidhi lehtë dhe na ndau pa e vënë re.

Na mësoi të rrimë para glacës së ekranit dhe të mos kërkojmë burimin.

Në këtë botë, leximi është bërë dekor, kur librat nuk lexohen, por ekspozohen, kultura kthehet në tempull pa besimtarë, e heshtur dhe e braktisur nga vetë murgjit e saj.

Kur filtrohet me rreptësi dhe kulturë, rrjeti mund të bëhet bibliotekë e hapur, kur e udhëheq zemërimi, shndërrohet në gjyq.

Ka edhe një të vërtetë tjetër, rrjetet u dhanë zë atyre që bota analoge i mbajti në heshtje, kur prova është e hapur dhe rregulli i përbashkët, fjalët e tyre bëhen dokument, jo zhurmë.

Kur rrjeti e ngre barrën e provës mbi vete, me burime të hapura, “fact-check” (verifikim, vërtetim faktesh) dhe korrigjim të ndërsjellë, ai nuk prodhon thjesht zhurmë, ndërton bibliotekë.

Në botën dixhitale, ekspertiza humb terren sepse informacioni nuk kalon më përmes institucioneve të dijes, por përmes emocioneve që kapin vëmendjen.

Kjo është përmbysja e madhe epistemike që Eco e pa, kur ekspertiza nivelohet me ndjesinë.

Verifiko burimin. Ngadalëso reagimin.
Shpall kriteret.

Ky është alfabeti minimal i fjalës së lirë që nuk gënjen.

Pa to, çdo “like” është votë e hedhur në terr.

Pa to, fjala qarkullon si kartë pa vlerë nominale.

Këto s’burojnë nga censura, por nga vetëdisiplina e lirisë.

Sa herë impulsi zë vendin e provës, fjala bie nga barra.
Pyetja shpëtuese mbetet e vetme: “Nga e di?”.
Dora qëndron mbi ‘share’.

Dy sekonda heshtje. Pastaj, jo.

Në këtë përmbytje, padija nuk vjen më nga boshllëku, por nga bindja se di gjithçka.

Padija e vetëbesuar e epokës dixhitale është e sigurt në veten e saj.

Ajo është e armatosur me meme, citate të shkëputura dhe vetëbesim të pasqaruar.

Nuk kërkon dije, kërkon shkëlqim të çastit.
Kjo është forma moderne e arrogancës, padija e vetëbesuar nën vezullimin e ekranit.

Eco e kuptoi se rreziku i rrjeteve nuk është fjala, por mungesa e filtrit moral të saj.

Në një botë ku çdokush ka mikrofon, të ndalosh së foluri kur s’di është akt qytetarie, të kërkosh shkaqe para qëndrimeve është revolucion, të lexosh pa audiencë është rezistencë.

Në epokën e “share”-it, rruga me dinjitet për të qenë i lirë është të mos ndash çdo gjë.

Në fund, Eco nuk na tha të mbyllim gojën, por të hapim mendjen.

Ai na la amanet një dallim që sot është shpëtimtar, mes të drejtës për të folur dhe detyrës për të kuptuar.

Sepse e drejta për të folur është biologjike,
ndërsa kuptimi është akt shpirtëror.

Pa këtë dallim, rrjetet nuk bëhen kurrë shoqëri, bëhen agora të zjarrta pa verifikim.

Kjo është epoka ku fjala është më e lirë se kurrë, por mendimi më i burgosur se ndonjëherë.
Në një botë ku gjithkush ka zë, vlera nuk matet me volumin.

Mendimi nuk bërtet, piqet.
Kur piqet, flet pak, dhe mban peshë.

Ah sikur të kishim një shoqëri të tillë, me një qytetar të tillë që do të zotohej se do të kërkonte vërtetësinë dhe të të drejtën në fjalët a statuset që vendos të besojë e të shpërndajë, të ngadalësojë e reflektojë thellë para se të reagojë, të shpallë kriteret para se të gjykojë.

Epigram: Liria e sjell fjalën, e vërteta i jep peshë, përgjegjësia e mban në këmbë.