Raporti i Geo-Power-EU, botuar nga Newton Research Europe tregon qëndrimet e qytetarëve në Ballkan dhe Evropën Lindore ndaj varësisë ekonomike nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Në kontekstin e sondazhit rajonal, Shqipëria dallohet për qëndrimet e saj më të forta pro lidhjeve ekonomike me të dy kontinentet, duke reflektuar një perceptim të qëndrueshëm për rëndësinë e këtyre partnerëve strategjikë në zhvillimin ekonomik të vendit.
Në krahasim me mesataren rajonale prej 41% që mendojnë se vendi i tyre duhet të ulë varësinë ekonomike nga SHBA-të, vetëm 25% e shqiptarëve mbështesin një reduktim të tillë, ndërsa 69% e kundërshtojnë, përqindja më e lartë e qëndrimeve “pro-varësisë” ndaj SHBA-së në të gjithë kampionin. Ky rezultat e vendos Shqipërinë në krah të Kosovës dhe Gjeorgjisë, ku mbizotëron besimi se Shtetet e Bashkuara janë një partner i domosdoshëm ekonomik dhe politik, bashkëpunimi me të cilin nuk duhet kufizuar.
Nga ana tjetër, në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Ukrainë, përqindje shumë më të larta të të anketuarve (61% dhe 57%) mbështesin uljen e varësisë nga SHBA, ndërsa Serbia dhe Moldavia shfaqin qëndrime më të ndara.
Kur vjen puna te Bashkimi Evropian, tabloja është e ngjashme: vetëm 23% e shqiptarëve mendojnë se vendi duhet të reduktojë varësinë ekonomike nga BE, ndërsa 73% e kundërshtojnë këtë ide, duke e bërë Shqipërinë vendin me mbështetjen më të lartë për vazhdimin e integrimit ekonomik me unionin.
Në nivel rajonal, mesatarja e atyre që duan të ulin varësinë nga BE është 33%, ndërsa 59% janë pro ruajtjes së marrëdhënieve ekzistuese. Vendet me skepticizmin më të madh janë Serbia (42%) dhe Ukraina (43%), të ndjekura nga Moldavia (40%), ndërsa në Kosovë (28%) dhe Mali i Zi (25%) qëndrimet janë më të afërta me ato shqiptare.
Në tërësi, rezultatet tregojnë se Shqipëria renditet ndër vendet më pro-perëndimore në rajon, si në raport me SHBA-të, ashtu edhe me BE-në, një qëndrim që reflekton orientimin strategjik të vendit drejt integrimit euroatlantik dhe perceptimin e lartë të besueshmërisë ekonomike e politike të këtyre partnerëve./ekofin.al
 
            