Berisha tha se vendi ndodhet në një moment kritik, ku “ngrehina e narkoshtetit kundërmon më shumë se kurrë” dhe ku drejtësia, sipas tij, është e kapur nga pushteti. Ai e cilësoi si “një akt guximi të jashtëzakonshëm” thirrjen si e pandehur të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, të cilën e akuzoi për “shpërdorime dhe vjedhje marramendëse në tendera”.
“Zëvendësja më besnike e Edi Ramës në 25 vitet e fundit merret e pandehur për një të mijëtën e aferave të saj, ndërsa prokurori që firmosi këtë thirrje u përball me kërcënime të rënda nga lart”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, kërcënimet ndaj prokurorit kanë ardhur “nga Altin Troplini, shefi i vërtetë i Skapit, dhe nga vetë kryeministri Rama, nëpërmjet ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja”. Ai shtoi se kjo tregon “shtrirjen e frikës dhe kontrollit të plotë të qeverisë mbi sistemin e drejtësisë”.
“Cili je ti, i thotë Ramaduro prokurorit, që guxon të prekësh pasaportën e zëvendëskryeministres?”, citoi Berisha, duke e përshkruar këtë si një shembull të qartë të ndërhyrjes politike.
Berisha deklaroi se Edi Rama “përdor propagandën dhe çdo mjet shtetëror për të mbrojtur veprimtarinë e tij kriminale dhe për të sulmuar opozitën”.
FJALA E BERISHËS:
Kjo mbledhje e grupit parlamentar thirret në një moment kritik për vendin, në një moment kritik për opozitën dhe opozitarizmin.
Ju jeni dëshmitarë se ngrehina e narkoshtetit, e qelbur nga koka, kundërmon sot më shumë se kurrë në Shqipëri dhe në botë.
Zëvendësja më besnike e Edi Ramës në 25 vitet e fundit, Lubi Balluku, merret e pandehur për një të mijëtën e vjedhjeve dhe shpërdorimeve të saj.
Një të mijëtën!
Dhe marrja e saj e pandehur ishte një akt kaluari i vërtetë, do të themi atë që është, për atë prokuror që guxoi të firmosë thirrjen e saj.
Ai prokuror që guxoi të firmosë thirrjen e një personi që bashkë me Edi Ramën kanë zhdukur miliarda në tendera në këtë vend, ai u përball me kërcënime vrasësish, me kërcënime indirekt të bosit të tij, Troplinit në krye të Skapit, por edhe me kërcënime direkt të kryeministrit nëpërmjet telefonit të faqezi Manjës, Ulsi Manjës.
Shikoni se ku jemi.
Cili je ti, i thotë Ramaduro prokurorit, që guxon të prekësh pasaportën e zëvendëskryeministres së Shqipërisë?
Kjo është e vërteta.
Dhe kur merr ca mesazhe Ramaduro, e qep gojën sepse ishte vetë personazh që duhej t’i hiqej pasaporta.
Por, pavarësisht nga kjo situatë, ai zgjedh të mbrojë me kusht veprimtarinë e tij kriminale.
Përdor të gjitha mjetet e propagandës kundër opozitës, dhe jo vetëm propagandës, dhe mbrojtjen e krimeve të tij.
 
            