Ballina Kuriozitete Digital ID– Dera që nuk duhet hapur

Digital ID– Dera që nuk duhet hapur

80
0

Zhvillimet teknologjike të dekadave të fundit kanë sjellë ndryshime të thella në mënyrën se si shtetet ndërveprojnë me qytetarët e tyre. Megjithatë, çdo hap drejt digjitalizimit duhet të shoqërohet me kujdes dhe transparencë, për të mos rrezikuar themelet e privatësisë dhe lirisë individuale. Në këtë kuadër, koncepti i Identitetit Digjital – Digital ID ngjall debat të gjerë në mbarë botën, për shkak të implikimeve në jetën personale dhe të drejtat themelore të individit.

Në teori, identiteti digjital synon të lehtësojë aksesin në shërbime publike dhe private, duke integruar të dhënat personale në një sistem të unifikuar. Por në praktikë, shumë ekspertë dhe organizata të të drejtave të njeriut paralajmërojnë se një sistem i tillë mund të shndërrohet në një mjet mbikëqyrjeje dhe kontrolli të gjerë shtetëror, nëse nuk ekzistojnë garanci të forta ligjore për mbrojtjen e të dhënave.

Shembulli i Britanisë së Madhe, e cila po përpiqet të implementojë një formë të tillë identifikimi, tregon se shqetësimet janë reale. Projekti është përballur me protesta masive dhe kundërshtim qytetar (3 milion qytetarë protestuan në Londër disa ditë më parë), pikërisht nga frika se sistemi mund të shfrytëzohet për monitorim të përhershëm të individëve. Edhe në vendet e tjera të Bashkimit Europian, nismat e ngjashme janë pritur me skepticizëm dhe rezerva të mëdha.

Në këtë kontekst, vendosmëria e Shqipërisë për ta zbatuar e para një sistem të tillë ngre pyetje legjitime:

Pse ky nxitim? A janë garantuar të gjitha standardet e sigurisë, transparencës dhe mbrojtjes së të dhënave? Apo kemi të bëjmë me një përpjekje për të rritur kontrollin shtetëror mbi jetën e qytetarëve?

Është e rëndësishme të theksojnë se, origjina e idesë së Identitetit Digjital lidhet me diskutime të zhvilluara në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku në kuadër të “Agenda 2030” janë hedhur propozime që ngjallin debat mbi ndikimin e tyre në shoqëri – që nga qytetet “inteligjente” dhe përdorimi i kamerave me njohje fytyre, deri te ndërhyrjet në mënyrën e jetesës për arsye klimatike apo shëndetësore, vaksinimi masiv i popullsisë, si dhe zhdukja e parasë fizike dhe zëvendësimi me monedhën digjitale. Pavarësisht qëllimeve të deklaruara si “progresive”, shumë prej këtyre ideve kanë ngjallur frikë se mund të çojnë drejt një shoqërie të mbikëqyrur dhe të kontrolluar dhe kundërshtohen me forcë nga shumë shtete me orientim konservator, të cilat mbrojnë vlerat dhe liritë e qytetarëve të tyre.

Prandaj, çdo hap drejt implementimit të një identiteti digjital kërkon debat publik të hapur, garanci të qarta ligjore dhe transparencë maksimale. Qytetarët kanë të drejtë të dinë se kush do të ketë akses në të dhënat e tyre, si do të ruhen ato, dhe cilat janë kufijtë e përdorimit të tyre.

Kur teknologjia hap një derë të rrezikshme

Qeveria shqiptare po përgatitet të zbatojë në fillimtë vitit të ardhshëm sistemin Digital ID, një identitet elektronik që do të lidhë çdo qytetar me shërbimet publike e private.

Në letër, kjo duket si një hap drejt modernizimit dhe afrimit me Bashkimin Europian.
Por në realitet, është një derë që mund të çojë drejt kontrollit të padukshëm mbi çdo aspekt të jetës sonë, duke krijuar dhe rrezikuar atë që do tëguxoj ta quaj si“skllavëri digjitale”.

Nëse hapim këtë derë pa garanci të qarta për privatësinë dhe sigurinë, rrezikojmë të humbasim më shumë se sa fitojmë.

Privatësia: viktima e pare

Koncepti i Digital ID nënkupton grumbullimin e të dhënave personale, biometrike dhe financiare, etj, të çdo qytetari në një sistem të vetëm.

Por kush garanton që këto të dhëna nuk do të përdoren për qëllime politike, tregtare apo të tjera?

Në një vend ku databazat publike janë ekspozuar disa here dhe të dhënat personale e sensitive të qytetarëve janë bërë publike, çdo premtim për “siguri maksimale” mbetet fjalë e pambështetur në fakte.

Pa mekanizma të fortë mbrojtjeje, ky sistem mund të kthehet në një “sy dixhital” që sheh gjithçka dhe i përket vetëm Shtetit/Qeverisë.

Nga shërbim lehtësues në mjet kontrolli

Nëse çdo shërbim lidhet me Identitetin Digjital – Digital ID, do të jetë e mundur të ndiqet çdo lëvizje: ku ke qenë, çfarë ke blerë, kujt i ke dërguar para, çfarë vizita mjekësore apo analizakeni bërë, çfarë ke kërkuar online, çfarë ke kërkuar në institucionet publike dhe ato private.

Në duart e një pushteti që s’ka transparencë, teknologjia kthehet në kontroll, jo në përparim.

Përjashtimi i të pambrojturve

Mijëra qytetarë – veçanërisht të moshuarit dhe banorët e zonave rurale – nuk kanë akses digjital.

Nëse identiteti elektronik bëhet kusht për marrjen e shërbimeve publike, ata do të përjashtohen automatikisht nga sistemi.

Digjitalizimi pa përfshirje sociale nuk është zhvillim – është përçarje.

Projekt-ligj jo i qartë, pa transparencë, dhe me mungesë besimi

Draft-ligji aktual nuk qartëson:

kush do ta administrojë dhe aksesojëdatabazën masive të të dhënave personale,
si do të auditohet dhe si do të garantohet pavarësia dhe paanshmëria e auditimit,
masat konkrete të sigurisë së të dhënave personale,
Impaktin që do të ketë në privatësinë e qytetarëve ose DPIA (si kriter dhe detyrim ligjor bazuar në legjislacionin e ri për mbrojtjen e të dhënave personale në përputhje me GDPR).
mbi publikimin e politikave të privatësisë,
afatet e ruajtjes së të dhënave personale,
të drejtat e plota të qytetarëve në kuadër të mbrojtjes së të dhënave personale,
cilat janë mekanizmat e kontrollit nga qytetari,
nëse do të ketë auditim të jashtëm dhe publikim të rezultateve të sigurisë,
cilat institucione do të kenë akses në të dhënat personale dhe Portofolin e Identitetit Digjital,
konceptin dhe mekanizmat e transferueshmërisë së të dhënave dhe transferimit ndërkombëtar të tyre,
çfarë roli do të ketë Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale,
çfarë ndodh në rast abuzimi apo rrjedhjeje të të dhënave.
dhe cilat janë mekanizmat e ankimit dhe raportimit të shkeljeve.

Në mungesë të përgjigjeve, Digital ID nuk është reformë – është rrezik kombëtar i fshehur pas fjalëve “transformim digjital”.

Përparim pa liri nuk quhet përparim por regres

Asnjë vend nuk duhet të zgjedhë mes komoditetit dhe lirisë.

Identiteti digjital mund të jetë një mjet i dobishëm, por vetëm kur qytetari ruan kontrollin absolut mbi të dhënat e tij.

Nëse ky kontroll kalon në duart e qeverisë, atëherë teknologjia kthehet në armë – jo në shërbim.

Parashikim

Jo pa qëllim në Shqipëri, paralelisht me Identitetin Digjital-Digital ID, Qeveria është duke ndjekur me mjaft interes edhe “reformën” për heqjen e parave cash dhe zëvendësimin me atë digjitale (të dyja pjesë e Axhendës 2030).

E para e ndihmon të dytën, pasi pa Digital ID nuk mund të implementohet monedha digjitale dhe transaksionet digjitale. Në fakt Digital ID është pika e kthesës për të realizuar atë që vjen më pas.

Por cfare pritet më pas?

Tani “ata” thonë që Digital ID do të lehtësojë shërbimet ndaj qytetarëve. Por më pas ata do ju thonë:

Ju duhet për të udhëtuar,
Ju duhet për të blerë (ushqime dhe cdo lloj produkti ose pasurie),
Ju duhet për të aksesuar në shërbimet shëndetësore,
Ju duhet për të drejtuar automjetin,
Ju duhet për të naviguar online në internet,
Ju duhet për të votuar,
Ju duhet për të hyrë dhe ndërvepruar në shoqëri.

Dhe pasi të miratohet Digital ID nuk ka mëkthim mbrapa, çdo veprim dhe zgjedhje e juaja do të gjurmohet dhe kontrollohet nga Shteti. Ky nuk është progres është kontroll total.

Dera që s’duhet hapur

Digital ID është një derë që na kërkohet ta hapim në emër të progresit.

Por progresi pa mbrojtje ligjore është mashtrim.

Sot, duhet të kërkojmë transparencë, debat publik dhe garanci të qarta që asnjë sistem digjital nuk do të përdoret kundër qytetarit.

Nëse nuk e bëjmë këtë tani, nesër mund të zgjohemi në një vend ku identiteti ynë nuk na përket më neve – por sistemit dhe qeverisë që e kontrollon.

Autori: Edrin Fidhe/ (Autori është ekspert në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale dhe privatësisë prej 15 vitesh,jurist, Data Protection Officer ose DPO, studiues i të drejtave të njeriut, etj.)