Ballina Opinion Drejtësia e re: Të gjithë janë barabartë, por Blinda Balluku është më...

Drejtësia e re: Të gjithë janë barabartë, por Blinda Balluku është më e barabartë…

126
0

Nga Hysni Gurra 

Vendimi i SPAK për të mos vendosur asnjë masë sigurie ndaj ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, ndonëse ajo është e pandehur për shkelje të ligjit në tenderin e tunelit të Llogarasë me shkelje miliona euro në dëm të buxhetit të shtetit, ka rikthyer pyetjen e vjetër:

A është drejtësia njësoj për të gjithë?

Ndryshe nga rastet e kryetarit të opozitës, Sali Berisha, i cili u mbajt në arrest shtëpie pa patur një akuzë, pa thënë që masa u mor në bazë të një kallëzimi të rremë, ose tërheqja zvarrë e ish-presidenti Ilir Meta, ndaj të cilit janë kërkuar masa sigurie deri në “arrest me burg”, Balluku vijon detyrën pa asnjë kufizim.

Sali Berisha dhe Ilir Meta nuk kishin asnjë mundësi të prishnin prova apo të iknin jashtë vendit.

Ky kontrast nuk është vetëm procedural, por ka edhe një dimension simbolik: për qytetarët duket se drejtësia nuk peshon njësoj për të gjithë. Kur të tjerët përballen me masa absurde, ndërsa numri 2 i qeberisë në detyrë mund të operojë lirshëm, faktohet dyshimi se pozita politike funksionon si një imunitet i padeklaruar, nëse je njeri i besuar i Edi Ramës.

Masat e sigurisë nuk janë dënime, por garanci për mbarëvajtjen e procesit hetimor. Kur ato vendosen selektivisht, efekti nuk është vetëm te individi, por te sistemi i drejtësisë që e tregon veten totlisht të ndikuar nga politika.

Mosvendosja e një mase ndaj zëvendëskryeministres, tregon edhe njëherë, si përherë, se SPAK-u është vegël politike e kryeministrit.
Reforma në drejtësi ka pasur për qëllim të ndajë shtetin nga pushteti, por vendime si ky për Ballukun hedhin në erë çdo sondazh të gënjeshtërt e të paguar për SPAK-un dhe fakton se drejtësia është e pjesshme dhe selektive.

SPAK është sot simboli i reformës dhe çdo vendim i tij shihet si testi i kredibilitetit të institucioneve të reja. Nëse ligji nuk zbatohet në mënyrë të barabartë, perceptimi publik është i qartë: një peshore për Edi Ramën dhe këdo që ai dëshiron, një tjetër për të tjerët.

Në fund të ditës, qytetarët kërkojnë drejtësi të barabartë, jo spektakolare. Deri sa një ministre, njëkohësisht numri 2 i qeverisë, mund të vazhdojë detyrën edhe si e pandehur ndërsa të tjerët përballen me kufizime lirie, problemi nuk është vetëm individual — është sistemik.
Praktikisht kemi një drejtësi që thotë: Të gjithë të barabartë para ligjit, por Rama e Balluku janë më të barabartë.